Sfida mes Cagliarit dhe Juventusit përfundoi në barazim 1-1, por vëmendjen pas ndeshjes e mori përplasja mes dy trajnerëve, Luciano Spalletti dhe Fabio Pisacane, të cilët u ndëshkuan me karton të kuq.
Menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare, situata u tensionua pranë pankinave, ku dy teknikët u përfshinë në një debat të ashpër verbal.
Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, iu drejtua pankinës kundërshtare, duke shkëmbyer fjalë fyese me homologun e tij, Fabio Pisacane. Përplasja mes tyre u shoqërua edhe me një kontakt të lehtë fizik, çka solli ndërhyrjen e arbitrit të katërt për të qetësuar situatën.
Gjyqtari kryesor, Matteo Marcenaro, vendosi të ndëshkonte të dy trajnerët me karton të kuq. Vendimi shkaktoi reagimin e Pisacanes, i cili iu drejtua arbitrit me fjalët: “Por çfarë bëra unë?”
Ndërkohë, Spalletti u shoqërua menjëherë drejt tunelit që të çon në dhomat e zhveshjes, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Pas ndëshkimeve, të dy trajnerët rrezikojnë pezullimin për ndeshjet e ardhshme. Në pritje të vendimit të gjykatësit sportiv, Spalletti pritet të mungojë në pankinën e Juventusit për përballjen me Lazion në Allianz Stadium, ndërsa Pisacane mund të mos drejtojë Cagliarin në sfidën ndaj Monzës.