Tirana nis merkaton në “hije” dhe kontakton lojtarë të mirë pa kontratë. Këto ditë, drejtuesit bardheblu kanë hyrë në bisedime me dy nga lojtarët më të rëndësishëm të Egnatias, Albano Aleksin dhe Arbin Zejnullain.egnatiaNjë emisar i bardhebluve ka folur me dy futbollistët mbi mundësinë që ata të vishen bardheblu për sezonin e ri. Kontakti ka ardhur, pasi lojtarët janë pa kontratë dhe nëse dëshirojnë, mund të transferohen në çdo skuadër tjetër. Gjithsesi, burime në klubin bardheblu bëjnë me dije se lojtarët për momentin kanë thënë “jo”, pasi presin të mbyllin bisedimet me Egnatian, me të cilën u shpallën kampionë të vendit. Veç kësaj, një problem tjetër ka qenë rroga që kërkojnë lojtarët, e cila është shumë e lartë në krahasim me atë që është standardi i këtij sezoni te KF Tirana, ndonëse te bardheblutë çmenduritë gjithmonë kanë ndodhur. Për të mos folur se dyshja është e joshur për të luajtur në Champions League ose kërkon aventura të reja jashtë Shqipërisë. Zejnullai nuk ka luajtur më parë me Tiranën, ndërsa ndryshe është puna me Aleksin, i cili ka qenë pjesë e bardhebluve dy sezone më parë, por nuk mundi të fitonte trofe.
Gjithsesi, për momentin është herët për të folur, por bardheblutë kanë nisur të lëvizin për të plotësuar ekipin, i cili ka pafund boshllëqe dhe këta dy lojtarë janë perfektë për 26 herë kampionët. Pa harruar se pesë titullarë të KF Tiranës mund të largohen që në fillim të qershorit. Klubi duhet të mendojë për t’i zëvendësuar, sepse në të kundërt i mbeten vetëm lojtarët e akademisë. Tirana mbylli një sezon me oshilacione, por nga ana tjetër ende nuk po “vrapon” që të mbajë të bashkuar skuadrën edhe për kampionatin e ri. Në këtë moment që flasim, janë pesë titullarë apo potencialisht të tillë, që duhet të rinovojnë me skuadrën bardheblu dhe janë në prag të largimit. Bëhet fjalë për dy portierët Gentian Selmani, Leon Kozi, mbrojtësit Gledi Mici, Florjan Përgjoni, si dhe anësorin Rimal Haxhiu. Të pestë janë ose pa kontratë ose do të zhvillojnë bisedime për edhe një vit tjetër bardheblu.
EGNATIA KUNDËRPËRGJIGJET – Nëse Tirana kërkon lojtarët e Egnatias, edhe kampionët, duan të “vjedhin” te bardheblutë. Ata i kanë vënë syrin Florjan Përgjonit. Tetova e ka pasur te Tirana dhe e vlerëson Florjanin dhe e do me çdo kusht në ekip, pasi në krahun e majtë është nga më të mirët në rolin e tij. Jo vetëm kaq, por Edison Ndrecës që Egnatia e ka në krahun e majtë i ka përfunduar kontrata, si dhe ka qenë i dëmtuar. Me saktësi nuk dihet nëse Ndreca do të jetë pjesë e rrogozhinasve, dhe për këtë qëllim bardhejeshilët e duan Përgjonin.
PENGESA – Mbrojtësi i majtë i Tiranës që mban edhe shiritin e kapitenit, në fund të sezonit mbyll zyrtarisht bashkëpunimin me bardheblutë. Klubi Tirana ka shumë dëshirë që mbrojtësi të vazhdojë me 26 herë kampionët. Përgjoni për momentin nuk ka rinovuar, por ka deklaruar se në Shqipëri do të firmosë vetëm me bardheblutë. Nga ana tjetër, ai ka vënë si kusht për rinovimin, një klauzolë që, nëse ka një opsion për jashtë, të largohet. Një xhep, që Tirana nuk e pranon, pasi, nëse Përgjoni largohej në 31 gusht, do të hidheshin në erë planet e bardhebluve. Deri në fund do të pritet për këtë lojtar nëse do të ketë marrëveshje.