Miliona euro të planifikuara për investime në tre muajit e parë të vitit nuk u shpenzuan nga institucionet qendrore dhe pushteti vendor, ndërkohë që investimet që kanë bërë nuk i kanë likuiduar.
Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, shifrat e Ministrisë së Financave tregojnë se ministritë dhe bashkitë i rritën detyrimet e papaguara me 2.1 miliardë lekë (21 mln euro). Totali i detyrimeve të papaguara ka arritur në 94 milionë euro nga 73 milionë euro që ishte vlera në fund të vitit 2024.
Peshën më të madhe të borxheve e ka Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me 19 milionë euro, ndjekur nga Ministria e Brendshme me 5.5 milionë euro dhe më pas Ministria e Mbrojtjes me 4 milionë euro detyrime. Kurse tek bashkitë e para është Tirana me 12 milionë euro detyrime, Kavaja me 7.5 milionë dhe Pogradeci me 2.5 milionë euro.
Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se ‘hallet e vjetra’ po shoqërojnë edhe 2025-ën, pasi pjesa më e madhe e borxheve janë ndaj kompanive private për punë, shërbime, mallra apo mirëmbajtje të kryera, të cilat kanë arritur në rreth 40 milionë euro, dhe ndahen në mënyrë të barabartë mes bashkive dhe institucioneve qendrore.
Problematikën më të madhe të investimeve të palikujduara e ka Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me 14 milionë euro, detyrime për investime, ndjekur nga Ministria e Bujqësisë me 2.3 milionë euro. Ndërsa tek pushteti vendor, Bashkia Tiranë është e para për borxhet për investime me 1.2 milionë euro, ndjekur nga Bashkia Cërrik me 1.1 milionë euro, investime të papaguara.
Ndërkohë shifrat tregojnë se gjatë këtij tremujori janë rritur edhe detyrimet për vendimet gjyqësore nga 3.8 milionë euro vjet në janë rreth 24 milionë euro në fund të muajit mars e që kryesisht lidhen me largimet e padrejta nga puna të punonjësve të administratës qendrore dhe vendore