Në Fier, numri i të prekurve nga kanceri i lëkurës ka njohur rritje alarmante. Sipas të dhënave zyrtare nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 janë regjistruar 18 raste me sëmundje tumorale të lëkurës, krahasuar me vetëm 2 raste në vitin 2023 dhe 11 në vitin 2024.
Aktualisht, në shërbimin Onkologjik të Fierit trajtohen 10 pacientë me melanomë, një nga format më të rënda të kancerit të lëkurës. Sipas mjekes onkologe Anisa Mone, pacientët janë kryesisht të moshuar mbi 80 vjeç, të cilët për vite me radhë kanë punuar në bujqësi, të ekspozuar në mënyrë të vazhdueshme dhe pa mbrojtje ndaj rrezeve të diellit.
Edhe në poliklinikën e qytetit, mjekët flasin për një fluks të përditshëm pacientësh me probleme të lëkurës. Dermatologu Ermal Sina shprehet se mbi 50 persona në ditë kërkojnë ndihmë për alergji, infeksione apo shenja tumorale. Ndryshimi i ngjyrës apo formës së një nishani mund të jetë sinjali i parë i një problemi serioz.
Ndotja e ajrit dhe e ujit në zonat naftembajtese po konsiderohet një tjetër shkaktar i shtimit të rasteve me sëmundje të rënda të lëkurës.
Në kushtet kur temperaturat rriten dhe plazhet frekuentohen masivisht, kujdesi ndaj lëkurës nuk duhet neglizhuar, si përdorimi i kremrave mbrojtës nga dielli, veshje mbrojtëse për bujqit në ara si dhe shmangia e orareve të pikut 11:00 me 16:00 ku rrezet e diellit arrijnë intensitetin më të lartë.