Pas sulmit të SHBA ndaj tre bazave iraniane, Izraeli dhe Irani kanë kryer sërish sulme ndaj njëri-tjetrit. Ushtria izraelite bëri me dije se kreu sulme gjatë natës kundër “objektivave ushtarake” iraniane, duke përfshirë vendet e lëshimit dhe magazinimit të raketave, ndërsa Irani nga ana tjetër, lëshoi raketa në disa zona të Izraelit.
IDF kreu sulme edhe në 6 aeroporte të Iranit, ku u goditën pistat e fluturimit dhe avionë F-14, F-5 dhe AH-1 që i përkisnin regjimit iranian. Sipas IDF, avionët e shkatërruar do të përdoreshin kundër Forcave Ajrore Izraelite dhe për të prishur operacionet e tyre brenda territorit iranian. Në mëngjes, Forcat Ajrore Izraelite (IAF) njoftuan se po bombardojnë objekte ushtarake në Kermanshah, në Iranin perëndimor.
Nga sulmet iraniane në Izrael, u raportua për disa të plagosur. Sipas mediave vendase, dy persona kishin mbetur të bllokuar në një ndërtesë që u godit nga një raketë në Izraelin qendror. 14 persona u plagosën nga goditja e ndërtesës, përfshirë një grua 60-vjeçare në gjendje të rëndë. Shpërthime të forta u dëgjuan edhe në Tel Avivi, ndërsa IDF dha paralajmërim për sulme ajrore për shkak të raketave iraniane që po vinin. Më vonë, u lëshuan sërish alarme për sulme ajrore në disa zona të vendit, përfshirë Tel Aviv, Haifa dhe Jerusalem