Prej 1 korrikut ka hyrë në fuqi Marrëveshja dhe Rregullimi Administrativ mes Shqipërisë dhe Italisë për sigurimet shoqërore, duke sjellë ndryshime të rëndësishme për qytetarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali.
Vendimi Nr. 2211 i Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Itali (INPS), i datës 10 korrik 2025, konfirmon se kjo marrëveshje, e nënshkruar në Romë më 6 shkurt 2024 dhe e ratifikuar nga Shqipëria me Ligjin Nr. 29 të datës 11 mars 2025, ka hyrë tashmë në zbatim.
Sipas rregullave të reja:
Shtetasit shqiptarë në Itali që kërkojnë pension sipas marrëveshjes ose sistemit italian duhet të paraqesin kërkesën nëpërmjet Institutit të Sigurimeve Shoqërore Shqiptare (ISSH), i cili do ta përcjellë dokumentacionin në Zyrën Provinciale të INPS në Perugia.
Për periudhat e sigurimit të realizuara në Shqipëri para vitit 2012, duhet të bashkëngjitet detyrimisht “Deklarata e Historikut të Punësimit” dhe çdo dokument tjetër që provon të dhënat e punësimit, si dhe një kopje e dokumentit të identitetit shqiptar.
Shtetasit italianë në Shqipëri duhet të dorëzojnë kërkesat për pension vetëm online, përmes zyrës INPS të përcaktuar në bazë të vendbanimit ose ish-punëdhënësit për rastet e punonjësve publikë.
Marrëveshja synon të sigurojë njohjen dhe mbrojtjen e periudhave të sigurimit në të dy vendet, të thjeshtojë procedurat burokratike dhe të ofrojë më shumë qartësi për pensionistët dhe punonjësit që kanë lëvizur mes Shqipërisë dhe Italisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.