Mijëra qytetarë nga gjithë Kosova dhe rajoni protestuan të enjten në Prishtinë kundër asaj që e quajtën “padrejtësi” nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Protesta u organizua nga kategoritë e dala nga lufta, të cilat kërkuan drejtësi të barabartë dhe trajtim të drejtë për të akuzuarit në këtë proces.
Pjesëmarrësit u mblodhën në qendër të kryeqytetit për të shprehur pakënaqësinë ndaj, siç thanë organizatorët, qasjes së njëanshme të Gjykatës Speciale, e cila po tenton të zhvendosë fajësinë nga pushtuesit te çlirimtarët.
Në fjalimet e mbajtura u theksua se drejtësia selektive krijon padrejtësi dhe dëmton procesin e vërtetë të pajtimit dhe drejtësisë.
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Katër ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Qëndrimi i tyre pesëvjeçar në paraburgim është kritikuar gjerësisht në Kosovë si shkelje e të drejtave të njeriut.
Procesi gjyqësor nisi në prill të vitit 2023, dhe gjatë kësaj periudhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka thirrur 125 dëshmitarë dhe ka paraqitur rreth 3,000 prova materiale. Më 16 prill 2025, ZPS-ja konfirmoi përfundimin e paraqitjes së provave të saj.
Tashmë është radha e mbrojtjes për të paraqitur rastin e vet, por avokatët e të akuzuarve janë ankuar për afate të pamjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes. Parashikohet që mbrojtja të nisë me paraqitjen e dëshmive në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit.
Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit u konfirmua në tetor të vitit 2020, por u bë publike një muaj më vonë. Ata akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e mbi 100 personave, ndalim të paligjshëm dhe tortura ndaj qindra viktimave.
Sipas ZPS-së, të katër ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” me qëllim të marrjes dhe ruajtjes së kontrollit në Kosovë përmes frikësimit, dhunës dhe eliminimit të kundërshtarëve politikë dhe etnikë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura si Gjykata Speciale, u themeluan nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015. Edhe pse janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, ato operojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.
Krijimi i kësaj gjykate u votua nga 88 deputetë, përfshirë PDK-në, LDK-në, Listën Serbe dhe komunitetet joshumicë, ndërsa Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ishin kundër. Pesë deputetë të PDK-së votuan kundër dhe një abstenoi.
Gjykata heton krimet e pretenduara të UÇK-së kundër pakicave dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000. Financimi i saj bëhet kryesisht nga Bashkimi Evropian, me ndihma nga SHBA, Kanadaja, Norvegjia, Zvicra dhe Turqia, dhe për dy vitet e fundit ka pasur një buxhet prej rreth 100 milionë eurosh.
Në të kaluarën janë mbajtur disa protesta në Kosovë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe përpjekje parlamentare më 2017 për ta shpërbërë këtë gjykatë – përpjekje që dështuan.