Hetimet janë finalizuar pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin e koduar SKY ECC.
Rrit madhesinë e shkrimit Zvogëlo madhesinë e shkrimit
Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po zhvillon një operacion në disa qytete të vendit për goditjen e një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Burime për gazetaren e Report Tv, Keti Banushi, bëjnë me dije se janë lëshuar 15 masa sigurie në total. Krahas masave të sigurisë, me vendim gjykate janë urdhëruar edhe kontrolle banesash.
Sipas informacioneve të para, grupi kriminal i goditur nga SPAK trafikonte lëndë narkotike nga vendet e Amerikës Latine drejt Evropës.
Operacioni, që ka nisur në orët e para të mëngjesit, po zhvillohet në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës.
Mësohet gjithashtu se urdhra-arresti janë lëshuar edhe për 4 persona që janë të burgosur, nën akuzë për vepra të tjera penale. Atyre u është komunikuar në qeli edhe arresti në kuadër të këtij operacioni.
Masat e sigurisë u lëshuan pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin e koduar “Sky ECC”. Hetimet e SPAK janë udhëhequr nga prokurori Vladimir Mara.
Të tjera detaje për këtë operacion pritet të mësohen gjatë orëve në vijim.