“Ne nuk kemi pranuar denoncim të shkruar nga prindërit, prandaj nuk kemi pasur bazë ligjore për të vepruar”, thuhet në përgjigje.
Ndërkaq artikulli i Nistorit dokumenton akuza publike, kontrata të ndryshme, deklarata të prindërve dhe stafit arsimor. Mjafton që një medium të publikojë prova dhe dyshime të tilla, që inspektorati të niset për kontroll.
Inspektorati në fillim thotë se nuk kanë hapur rast për inspektim, ndërkohë në pyetjet tjera të Nistorit e paragjykon rastin. Për shembull kur pyetet “Pse shkolla në fjalë dallon në çmim me të tjerat, kur e njëjta ofertë, e njëjta kompani ka realizuar me çmim prej 600 denarësh në shkollën e Shipkovicës?“,
Inspektorati njëherë thotë “deri më tani nuk është hapur procedurë disiplinore apo financiare dhe nuk është zhvilluar kontroll nga inspektorati komunal”, e më pas flet për marrëveshje kontraktuale:
“Diferenca në çmim është rezultat i marrëveshjes kontraktuale, ku përveç shërbimit bazë, në koston janë përfshirë edhe dy mjekë shoqërues, nxënësit me raste sociale, arsimtarët shoqërues dhe shërbimet e tjera logjistike të shkollës”, përgjigjen nga Inspektorati.
Por, në prononcimin për Nistorin, drejtori i shkollës, Bujar Islami, deklaroi se “shpenzimet e mjekut i ka mbuluar agjencia”, ndërsa agjencia “Bashkim Tours” tha se “shkolla ka paguar mjekët”. Inspektorati nuk e bën të qartë se kush në të vërtetë ka bërë pagesën e mjekëve, sepse aty vjen në shprehje dallimi i çmimit të ekskursionit dhe transparenca.
Inspektorati Komunal i Tetovës përsërit versionin e drejtorit, pa verifikuar realisht faturat apo dokumentet bankare.
Mosqartësia mbi pagesën e mjekut
Inspektorati e justifikon me: “përfshirë mjekë, raste sociale, arsimtarë, logjistikë”.
Pra, kemi tre versione të ndryshme dhe inspektorati:
Drejtori: “E ka paguar agjencia”.
Agjencia “Bashkim Tours”: “E ka paguar shkolla”.
Inspektorati: “Është përfshirë në çmim, gjithçka është në rregull”.
Palët ia hedhin topin njëri-tjetrit për pagesën e mjekut. Asnjëra nuk ka dhënë dëshmi financiare.
Itinerari i ndryshuar
Kontrata e nënshkruar ndërmjet shkollës dhe agjencisë “Bashkim Tours” përfshinte vizitë në Ohër dhe Shën Naum. Por sipas dëshmive të prindërve, mësuesve dhe nxënësve, ata qëndruan vetëm në Strugë.
Por çfarë thotë Inspektorati?
“Itinerari është realizuar për shumicën e nxënësve. Vetëm disa klasa, në ditën e ekskursionit, me kërkesë të nxënësve dhe me miratim të kujdestarëve të klasave, kanë vendosur të mos udhëtojnë deri në destinacionet e përmendura”.
Kjo është kontradiktë, sepse artikulli dokumenton se vetëm klasat e 9-ta (që përbën ekskursionin e një dite tjetër dhe me një ofertë krejtësisht tjetër) shkuan në Ohër, pjesa tjetër jo. Pra, Inspektorati mbulon devijimin duke ua hedhur përgjegjësinë nxënësve/kujdestarëve. Cilët mësuesë e aprovuan ndryshimin e destinacionit? Këta që thotë Inspektorati apo ata që thonë: “nuk kemi qenë as në Ohër dhe as në Shën Naum” të cilëve nuk u është dhënë arsyetim!
Ky version i Inspektoratit bie ndesh me dëshmitë e publikuara nga ana e prindërve që kontaktoi Nistori e që thonë “nxënësit nuk kanë qenë në Ohër, por vetëm në Strugë”.
Raportimi i drejtorit te Këshilli i Shkollës
Inspektorati thotë se drejtori e ka informuar Këshillin, madje edhe ish-kryetarin. Por a nuk ishte vetë ish-kryetari që ka dhënë dorëheqje pikërisht se nuk u informua, procesi nuk ishte transparent dhe nuk iu dhanë dokumentet? Nga e di këtë Inspektorati, ndërsa nga ana tjetër thotë se nuk ka hetim real!


Inspektorati Komunal i Arsimit në Tetovë ka dhënë shpjegime që në disa raste përputhen me versionin e drejtorit të shkollës, por nuk ka adresuar kontradiktat e hapura mes deklaratave të aktorëve të përfshirë. Pyetjet mbi mënyrën e përzgjedhjes së agjencisë, ndryshimin e itinerarit dhe transparencën financiare mbeten ende pa një sqarim të plotë, pasi:
- Ka kontradikta të hapura midis provave (nxënësit, prindërit, mësuesit, dokumentet) dhe narrativës zyrtare.
- Inspektorati nuk ka bërë verifikim të faturave, ofertave të shkollave tjera dhe as të kontratës krahasuar me shpalljen publike.
- Ka zgjedhur të mbulojë çështjen me përgjigje burokratike (“nuk ka denoncim, nuk kemi bazë”) dhe me alibi të gatshme (“nxënësit vetë nuk deshën të shkojnë në Ohër”).
Në thelb, përgjigjet e Inspektoratit nuk e sqarojnë skandalin që pretendohet në artikullin e Nistorit, por e fshehin atë, duke krijuar edhe më shumë dyshime për keqpërdorime. /Nistori/
Çfarë u publikua në artikullin e 13 korrikut 2025?
Një debat serioz ka shpërthyer brenda ShF “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Poroj të Tetovës, ku ish-kryetari i Këshillit të Shkollës, Mahi Murtezani, ka dhënë dorëheqje duke ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj drejtorit të shkollës, Bujar Islamit, për mungesë transparence, shkelje ligjore dhe dyshime për keqpërdorim të fondeve në organizimin e një ekskursioni shkollor, shkruan Nistori.
Në letrën e dorëheqjes dhe deklaratat publike, Murtezani pretendon se është përjashtuar nga procesi vendimmarrës, i është mohuar e drejta për informim dhe se janë shmangur kërkesat për dokumentacion zyrtar lidhur me përzgjedhjen e agjencisë turistike dhe kontratës më të volitshme.

Akuzat e rënda të Murtezanit: “Refuzim për transparencë, shkelje ligji, dyshime për keqpërdorim”
Në një deklaratë të dërguar redaksisë sonë, Mahi Murtezani thotë:
“Më datë 13.06.2025 kam dorëzuar dorëheqjen time nga pozita e kryetarit të Këshillit të Shkollës, për shkak të mungesës së transparencës nga ana e drejtorit dhe komisionit për organizimin e ekskursionit. Kjo përfshin mospërfilljen e kërkesave të përsëritura për dorëzimin e një raporti me shkrim mbi përzgjedhjen e agjencisë, kryetarit dhe anëtarëve të komisionit, si dhe kopjen e kontratës së lidhur.”
Ai nënvizon se drejtori nuk ka respektuar detyrimin ligjor për të raportuar para Këshillit për aktivitetet e shkollës, dhe thekson se:
“Për gjashtë muaj me radhë nuk ka pasur komunikim institucional nga ana e tij me Këshillin.”, sqaron Murtezani
Ai flet edhe për një mbledhje të thirrur më 03.06.2025, për të trajtuar një ankesë prindërore mbi ekskursionin, mbledhje që, sipas tij, u injorua. Takimi i vetëm, sipas tij, ndodhi tri ditë para dorëheqjes:
“Pa ndonjë dokumentim zyrtar dhe me refuzim për të dorëzuar kontratën, duke mohuar kompetencat e Këshillit, në kundërshtim me ligjin.”, thekson ish-kryetari i Këshillit, Mahi Murtezani
Për më tepër, ai hedh akuza konkrete për manipulim financiar:
“Është e dokumentuar se shkolla jonë ka paguar 700 denarë për nxënës për ekskursionin Tetovë–Strugë–Ohër, ndërkohë që të gjitha shkollat tjera të komunës kanë paguar vetëm 600 denarë apo 500 denarë për të njëjtin itinerar.”, thekson Murtezani.
Murtezani shkon edhe më tej:
“Drejtori pretendon se nxënësit kanë vizituar Ohrin (përfshirë Shën Naumin), gjë që është e pavërtetë, siç dëshmohet nga vetë pjesëmarrësit. Vetëm klasat e nënta kanë qenë në Ohër, por organizimi i tyre ka qenë një ditë tjetër dhe nuk lidhet me këtë ekskursion, pasi ata kanë pasur ofertë tjetër dhe nuk futen te ky 700 denari”.
Drejtori Bujar Islami, nga ana tjetër, e quan dorëheqjen pasojë të mungesës së bashkëpunimit brenda këshillit dhe e mohon çdo pretendim për shkelje ose mungesë transparence. Sipas tij, të gjitha procedurat janë ndjekur konform ligjit dhe mjekët, transporti e rastet sociale janë përfshirë në koston e arsyeshme të ekskursionit.
Reagimi i drejtorit: “Këshilli është organ këshillues, jo vendimmarrës. Gjithçka ka qenë transparente”
“Sa i përket dorëheqjes së tashmë ish-kryetarit të Këshillit të Shkollës, kjo ndodh edhe në shumë shkolla të tjera, në rastet kur mungon bashkëpunimi i anëtarëve të tjerë të këshillit me kryetarin”, shprehet Islami.
Ai nënvizon se shumica e anëtarëve të këshillit e kanë kërkuar më herët dorëheqjen e Murtezanit dhe thekson:
“Këshilli i Shkollës nuk është organ vendimmarrës, por një organ këshillues që jep mendime për Drejtorinë e Shkollës, ndërsa drejtori është organi që merr vendime.”, shton më tej drejtori i shkollës në fjalë.
Drejtori mbron rolin e vet si transparent dhe ligjor:
“Unë, si drejtor, zakonisht kam njoftuar dhe raportuar në Këshillin e Shkollës për çdo punë dhe aktivitet që është realizuar.”, thotë Islami.
Lidhur me ekskursionin, drejtoi sqaron se komisioni për organizimin e ekskursionit ka funksionuar korrektësisht dhe ka përfshirë përfaqësues të prindërve dhe arsimtarëve.
“Kryetari i komisionit është nga prindërit, dhe komisioni funksionon në mënyrë të shkëlqyer.”, thekson drejtori.
Përplasja për ofertat dhe pagesën e mjekut: “Nuk zgjodhëm ofertën më të lirë, por më të favorshmen”
Një tjetër pikë e mprehtë është përzgjedhja e agjencisë dhe përfshirja e shërbimit mjekësor.
Murtezani akuzon për mosrespektim të ofertave më të lira dhe mungesë dokumentacioni për përzgjedhjen. drejtori, në anën tjetër, thekson:
“Sipas ligjit, kemi të drejtë të zgjedhim ofertën më të favorshme në bazë të kushteve të ofruara dhe kritereve të përcaktuara në shpalljen publike, e jo domosdoshmërisht ofertën më të lirë”, shprehet drejtori i shkollës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Bujar Islami.
KONTRATA E DËRGUAR DERI TE NISTORI NGA ANA E DREJTORIT DHE KOMPANISË BASHKIM TOURS DHE SHPALLJA PUBLIKE, NUK JANË TË NJËJTA SA I PËRKET ITINERARIT TË EKSKURSIONIT!


Edhe pse te çështja e mjekut, kompania Bashkim Tours dhe drejtori ia hedhin topin njëri-tjetrit për angazhimin dhe pagesën e mjekut, por te dyja nuk ofrojnë dëshmi
Lidhur me përfshirjen e mjekëve në ofertën e ekskursionit, Nistori kërkoi sqarim mbi aspektin financiar dhe institucional të angazhimit të tyre: se kush i ka paguar mjekët dhe sa ka qenë kostoja totale e mjekut që ka shoqëruar nxënësit në ekskursion dhe nëse mund të të dëshmohet pagesa. Drejtori Bujar Islami nuk dha dëshmi për këtë, por tha se pagesa e mjekut është bërë nga agjencioni Bashkim Tours. Islami nuk dëshmon për Nistorin se sa nxënës me raste sociale kanë udhëtuar dhe sa arsimtarë.
Sa i përket pagesës së mjekëve, drejtori i shkollës sqaron:
“Pagesa e mjekëve bëhet nga agjencia, pasi në çmimin e ekskursionit përfshihet edhe kostoja e mjekut, ku në çmimin e ekskursionit hyn edhe mjeku, nxënësit me raste sociale dhe varësisht prej destinacionit caktohet edhe çmimi.”
Por çfarë thotë kompania që ka realizuar udhëtimin e nxënësve?
Pavarësisht se në kontratë përfshihet edhe mjeku, Nistori kontaktoi edhe kompaninë Bashkim Tours, dhe thonë të kundërtën se, mjeku nuk ka qenë i mbuluar nga agjencioni, por nga vetë shkolla. Bashkim Tours nuk pati disponim që t’u përgjigjet edhe shumë pyetjeve tjera në lidhje me organizmin e ekskursionit.
Pavarësisht ofertave më të lira, drejtori i shkollës nuk e ka shqyrtuar ofertën më të lirë, sipas ligjit për organizimin e ekskursionit dhe shpalljes publike
ÇKA ME KOMPANINË TJETËR OFERTUESE “FERT ATOMIC”
Pronari i Fert Atomic Qemal Fazliji, shprehet i zhgënjyer dhe i dyshimtë për mënyrën se si po trajtohen ofertat për transportin e nxënësve. Sipas tij, edhe pse ka dorëzuar ofertë të plotë dhe është pranuar nga drejtori, nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare nga shkolla. Ai thekson se çmimet që ka ofruar janë konkurruese – 320 denarë për Shkupin dhe 500 për relacionin Poroj-Tetovë-Strugë-Ohër dhe se autobusët e tij përmbushin standardin Euro 6.
“Unë e kam dorëzuar ofertën dhe këtë e ka pranuar drejtori. A e kanë shqyrtuar a jo, nuk e di. Nuk kam marrë asgjë përgjigje me shkrim, nëse e kanë pranuar apo refuzuar ofertën. Në Shkup (klasët e ulëta 1-3) e kemi pasur çmimin 320 denarë, ndërsa për relacionin Poroj-Tetovë-Strugë-Ohër dhe anasjelltas çmimi ka qenë 500 denarë. Në këtë çmim është përfshirë vetëm transporti. Përgjigje nuk kam marrë nga shkolla, nëse i plotësoj kushtet apo jo. Autobusat i kam edhe unë Euro 6. Të njëjtin problem e kam pasur edhe me shkollën në Reçicë. Ditën e parë e fitova të drejtën e transportit, më pas ditën tjetër marr lajmin se nuk do të jemi ne kompania që do të realizojmë transportin e nxënësve. Punë dallavere!”, shprehet pronari i kompanisë Fazliji.
Donacioni për mbulimin e shpenzimeve të nxënësve në Xhermë tentohet të fshihet nga drejtori i shkollës, Bujar Islami
Mësuesi, përgjegjës për ekskursionin në shkollën e Xhermës, Nexhbedin Abdyramani (shkollë e cila është në kuadër të “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”), i pyetur se kush i ka mbuluar shpenzimet e nxënësve sa i përket ekskursionit, ai për Nistorin thotë se shpenzimet i ka mbuluar një prind në formë të donacionit dhe jo shkolla apo 700 denari i nxënësve tjerë (të shkollës në Poroj apo në Xhepçisht).
“Shkolla në Xhermë ka pas sponzor. Nxënësit e Xhermës nuk kanë shpenzuar asgjë. Poashtu edhe mësuesit kanë qenë në kuadër të sponzorimit. Sponzori ishte për 50 nxënës dhe ne poashtu e morëm një klasë shtesë (klasët e 4) me 7-8 nxënës dhe ne mësuesit vullnetarisht shtuam nga 1 mijë denarë te shuma që dhuroi sponzori, me qëllim që mos t’u marrim nxënësve”, thotë mësuesi Abdyramani.
Mësuesja në Xhermë që kërkoi të mbetet anonime, tha se numri i nxënësve që kanë udhëtuar Poroj-Tetovë-Strugë dhe anasjelltas ka qenë mbi 50, nga klasa e 4-të deri te e 9-ta, falë donacionit të një prindëri.
“Shkolla në Xhermë nuk është mbuluar te çmimi i 700 denarit, por kemi pas një donator. Ndërsa për klasën e katërt, mësuesit dhanë nga xhepi i tyre nga një mijë denarë. Në eksursion kemi qenë 6 arsimtarë të Xhermës. Kemi qenë vetëm në Strugë. Nuk kemi qenë as në Ohër dhe as në Shën Naum”, shprehet mësuesja.
Një nga prindërit, Jetmir Arsllani, ngre shqetësime për çmimin e lartë dhe organizimin jo të drejtë të ekskursionit shkollor. Ai thotë se nxënësit nuk kanë vizituar vendet e paralajmëruara dhe se krahasuar me shkollat e tjera, kostoja ka qenë dukshëm më e lartë.
“Vajzën e kam klasa e pestë. Nxënësit nuk kanë qenë në Ohër, por vetëm në Strugë. Madje unë desha të shkoj edhe te drejtori të ankohem, por nuk gjeta mirëkuptimin e disa prindërve tjerë. Pse shkollat tjera shumë më lirë? Krejt nga 600 denarë. Paramendoni dikush që ka 2-3 fëmijë, është shpenzim i madh”, shprehet Arsllani, prind.
Si qëndron oferta për shumë shkolla në Tetovë e Zhelinë?
Nistori pyeti edhe shkollat tjera në kuadër të komunës se si kanë qenë ofertat. Nxënësit e shkollës fillore “Rexhep Voka” në Shipkovicë kanë udhëtuar drejt Ohrit dhe Strugës me agjencinë “Bashkim Tours”, ndërsa udhëtimi ka kushtuar 600 denarë për nxënës, përfshirë transportin dhe shërbimin mjekësor, ka bërë të ditur Sabit Uzairi.
“Relacioni i shkollës tonë ka qenë Shipkovicë-Tetovë-Ohër-Strugë dhe anasjelltas. Kemi udhëtuar me Bashkim Tours dhe çmimi ka qenë 600 denarë për nxënës. Në këtë çmim është përfshirë transporti dhe mjeku”, deklarohet Uzairi.

Drejtori i ShF “Migjeni” në Tetovë, Lirim Alimi thotë se çmimi i transportit ka qenë 600 denarë.
“Si zakonisht ne hapim thirrje publike dhe konkurrojnë kompanitë. 600 denarë ishte oferta më e ulët. Transportin e nxënësve e ka realizuar Bashkim Tours. Nuk kemi pas mjek, sepse zakonisht mjekun e angazhon shkolla dhe jo kompania e transportit. Në kontratë përfshihet vetëm transporti”, shprehet drejtori i shkollës.
E pyetëm drejtorin e shkollës më të madhe në komunën e Zhelinës “Luigj Gurakuqi”, Liman Xhaferi. Ai thotë se oferta për transportin ka qenë 600 denarë.
“Dy vitet e fundit transportin gjatë ekskursioneve për shkollën tonëe realizon kompania Bashkim Tours. Çmimi i transportit (oferta) ka qenë 600 denarë. Në këtë çmim nuk është përfshirë mjeku. Për të pas mjek duhet të hapen tenderë, shpallje dhe ato të publikohen në Gazetën Zyrtare. Mirëpo çdo publikim në gazetat zyrtare, shkollës i kushtojnë 10-20 mijë denarë. Mirëpo shkollat këtë nuk e bëjnë, sepse nuk ka buxhet.”, shprehet Xhaferi.
Mësuesi dhe njëherit kujdestar i një klase në shkollën “Ibrahim Temo” në fshatin Strimnicë, Xhemaludin Zylbeari thotë se oferta nga kompania “Fert Atomic” Strimnic-Tetovë-Strugë dhe anasjelltas për nxënës ka qenë 500 denarë, duke përfshirë vetëm transportin.
Mendimi juridik për kontratën ndërmjet shkollës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe kompanisë Bashkim Tours
Sipas avokates Ramije Musa, përfshirja kategorive si rastet sociale, pagesa e mjekëve dhe shpenzimet e stafit të shkollës në çmimin e përgjithshëm të paguar nga fëmijët është legjitime vetëm nëse ka pasur miratim të dokumentuar nga Këshilli i Prindërve dhe i Shkollës dhe transparencë të plotë ndaj prindërve. Në mungesë të këtyre elementeve, pagesa e tillë konsiderohet si keqpërdorim i mjeteve financiare të fëmijëve.
Ramije Musa, avokate:
Në kontratën e lidhur mes shkollës fillore komunale Gjergj Kastrioti Skenderbeu, Poroj si shfrytëzues i shërbimeve dhe Bashkim Tours si realizues i ekskurzionit njëditor, sipas programës së përcaktuar paraprakisht për vitin shkollor 2024/2025, në nenin 3, paragrafi 1 të kontratës, çmimi për realizimin e shërbimit – ekskurzion në relacionin Xhepçisht – Poroj – Tetovë – Vrutok – Strugë – Ohër – Shën Naum dhe anasjelltas, çmimi i caktuar është 700 denarë. Sipas nenit 3 paragrafi 3 i po të njejtës kontratë, në këtë çmim janë përfshirë edhe harxhimet e ekskurzionit për nxënësit e kategorizuar si raste sociale, arsimtarët që nuk kanë klasë, stafi i shkollës dhe mjeku.Në bazë të kësaj, Musa numëron disa pika dhe interpretim të kontratës:
- Me pagesat që fëmijët kanë kryer, janë përfshi edhe pagesat për ekskurzion të rasteve sociale. Për të qenë një gjë e tillë legjitime, duhet të ketë kaluar me miratim në Keshillin e prindërve dhe duhet të kenë qenë të informuar prindërit se në pagesat e kryera janë përfshi edhe rastet sociale.
- Me pagesat që fëmijët kanë kryer, janë prëfshi edhe pagesat për ekskurzion të arsimtarëve pa klasa. Për të qenë një gjë e tillë legjitime, gjithshtu duhet të ketë kaluar me miratim në Keshillin e prindërve dhe duhet të kenë qenë të informuar prindërit se në pagesat e kryera janë përfshi edhe pagesat për arsimtarët e shkollës të cilët nuk kanë klasa por kanë shprehur dëshirë të marin pjesë në ekskurzion me pagesë në kurriz të fëmijëve.
- Me pagesat që fëmijët kanë kryer, janë prëfshi edhe pagesat për ekskurzion të stafit të shkollës. Për të qenë një gjë e tillë legjitime, gjithshtu duhet të ketë kaluar me miratim në Keshillin e prindërve dhe duhet të kenë qenë të informuar prindërit se në pagesat e kryera janë përfshi edhe pagesat për stafin e shkollës të cilët kanë shprehur dëshirë të marin pjesë në ekskurzion me pagesë në kurriz të fëmijëve.
- Me pagesat që fëmijët kanë kryer, janë prëfshi edhe pagesat për mjekun, prezenca e të cilit gjithsesi është e parapame në Rregullore, por për tu dëshmuar një gjë e tillë është e nevojshme që shfrytëzuesi i shërbimeve ose realizuesi i shërbimeve të kësaj kontrate të bën të ditur emrin e mjekut si dhe të dëshmon pagesën me dokument – ekstrakt bankar për pagesën e realizuar.
- Në të kundërtën, pa pasur miratim të dokumentuar nga ana e Këshillit të Prindërve të shkollës përkatëse si dhe pa dëshmuar pagesën drejt mjekut përgjegjës, diferenca e çmimit të paguar në krahasim me shkollat tjera rajonale kundrejt të njejtit realizues të shërbimeve për shërbime eksaktësisht të njejta, paraqet keqpërdorim të mjeteve financiare të fëmijëve.
Ndryshe për këtë çështje, një auditim i jashtëm dhe transparent do të ishte i nevojshëm për të sqaruar nëse kemi të bëjmë me keqmenaxhim, thjesht moskoordinim institucional – apo më keq, me keqpërdorim të qëllimshëm. /Nistori/
- Komuna e Tetovës
- Bujar Islami