Te Vllaznia këtë verë ka pasur shumë lëvizje si në hyrje epo ashtu në daljet e futbollistëve. Me shkodranët që kanë ndryshuar goxha në krahasim me edicionin e shkuar ku drejtoheshin nga Tomas Brdariç. Goditjet në hyrje të kuqebluve duket se kanë rezultuar me të vërtetë efektive dhe kjo u dallua që në ndeshjen e parë të kampionatit kundër Egnatias. Ku shkodranët fituan me rezultatin e pastër 2-0 falë golave të Gurishtës dhe Bajramit. Duke nisur nga të afruarit në mbrojtje ku Elmando Gjini po konfirmohet si lideri i prapavijës kuqeblu. Dhe duke u cilësuar nga shumë kush si afrimi më i mirë i merkatos deri në këto momente në radhët e 9 herë kampionëve të vendit.
Po ashtu për të vijuar me Aleksander Kuros, i cili me eksperiencën dhe bagazhin që ka është një nga pikat e forta të formacionit të Martinit. Që te mëngjarashi ka një besim absolut, i cili është shpërblyer në fushë falë performancave të 31-vjeçarit. Në mesfushë kundër Egnatias për Vllazninë kishte dy debutime, me Kristian Dros dhe Edon Muratajn që morën vlerësimet e tyre për nivelin e treguar. Si moldavi që luajti për herë të parë me kuqeblutë, ashtu edhe fantazisti ditën të tregonin vlerat e tyre, duke treguar momentalisht që janë dy goditje të rëndësishme në merkato nga ana e drejtuesve të klubit dhe veçanërisht drejtorit teknik, Vioresin Sinani.
Me këtë të fundit që ka “spikatur” elementët e duhur që mund të ndihmojnë skuadrën. Patjetër përveç emrave të sipër përmendur te Vllaznia janë afruar gjatë kësaj vere edhe futbollistë si Hakaj, Kallaku dhe Kastrati. Futbollistë me peshë dhe emër nga të cilët pritet shumë në të ardhmen, por që momentalisht nuk gëzojnë formën e duhur fizike. Dhe për ta ndoshta duhet pritur edhe disa javë për t’i parë në potencialin e tyre të plotë me fanellën e shkodranëve. Momentalisht afrimet e Vllaznisë duken të “goditura” në merkato, me shkodranët që kanë ndërtuar një ekip të fortë dhe që do të luftojë për objektiva madhorë këtë edicion.