Pamjet e filmuara nga operatori i Report Tv tregojnë një numër të madh personash në katin e parë të selisë blu, disa prej tyre me maska, ndërsa në katin e dytë shiheshin edhe të rinj me kapuçë në kokë. Në një moment, dritat e selisë u fikën dhe nuk u ndezën më.
Policia pretendon se protestuesit që po sulmonin efektivët me molotovë ishin futur në selinë e PD-së, ndërsa ndërhyri me gaz lotsjellës. Deputetët demokratë Enno Bozdo dhe Belind Këlliçi mohuan se aty të kishte protestues, duke thënë se personat brenda godinës ishin anëtarë të PD-së dhe të Forumit Rinor.
Por, pas pak Berisha e pranoi se selia e PD ishte kthyer në strehë për të mbrojtur protestues, edhe të mitur. Ai tha se PD do bëhet mburojë për çdo të mitur që ndiqet nga policia.
REAGIM I POLICISË SË SHTETIT
Nga patrullimet në terren për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, sqarojmë se:
Shërbimet e Policisë janë sulmuar me molotovë nga një grup personash të dhunshëm dhe të maskuar, të cilët, për t’i shpëtuar ndjekjes dhe kapjes nga ana e Policisë, u futën në ambientet e jashtme të selisë së subjektit politik Partia Demokratike dhe vijuan sulmin ndaj punonjësve të Policisë.
Shërbimet e Policisë iu përgjigjën sulmit me molotovë nga ana e protestuesve të dhunshëm me gaz lotsjellës.
Të gjitha pretendimet e tjera janë të pavërteta, të qëllimshme dhe dashakeqe, me qëllim fshehjen e së vërtetës.
Protestues të maskuar në selinë e PD-së, Berisha pranon strehimin e të miturve: Janë të mirëpritur, do t’i mbrojmë!
I pyetur për praninë e protestuesve të maskuar dhe të miturve në selinë e PD-së, Berisha pranoi se mund të jenë strehuar aty, duke deklaruar se çdo i mitur që ndiqet nga policia është i mirëpritur dhe do të marrë mbrojtje.
Berisha: Njeriu që po përpiqet të përzgjedhë vendin e azilit politik, dhe i them para shqiptarëve se vendi i vetëm i azilit do të jetë qelia e burgut. Ai përhapi nëpërmjet rrjetit të tij brenda në protestë lajmin se Kryeministrinë nuk e marrim dot, ndaj dhe duhet të sulmohen dy selitë e dy partive të mëdha. Për këtë qëllim, ai mori dhe futi në selinë e partisë së tij tre inspektorate, banditë nga kartelet e drogës, të armatosur, të pajisur me ujë dhe mjete të tjera.
I dështoi. Pse i dështoi? Sepse iniciatorët, ose si të thuash, puthadorët e Ramës në këtë lëvizje nuk i ndoqi njeri. “Jo”, i thanë, “nuk kemi asnjë punë. Ata janë në protestë me ne dhe ne nuk vijmë”. Dhe dështoi të sillte protestuesit që shprehnin urrejtjen ndaj partisë së krimit. Natyrisht, ata s’kishin asnjë motiv të vinin dhe i dështoi projekti.
Tani që i dështoi projekti, dhe këtë jua them unë, ne i kemi me prova, përpiqen të bëjnë përpjekjen e dytë, që selia e PD-së të sulmohej nga ora 20:30 deri në orën 21:30. Por përsëri, njerëzit e vërtetë në protestë, që janë shumica dërrmuese, nuk mund të manipuloheshin dhe puthadorin e Edi Ramës në lëvizje e braktisën masivisht.
Kjo është një rrugë kalimi, siç e dini, dhe këtu, për shkak të pozicionit të ndërtesës së Parlamentit, ndodh që dy-tri herë në ditë të kalojnë. Është gjëja më normale.
Por kësaj here, kur dështuan, ora erdhi dhe skenari nuk po realizohej, policia, në mënyrën më hakmarrëse, më të turpshme, më kriminale, dhunon territorin e partisë opozitare, Partisë Demokratike, në shkelje të rëndë të ligjeve dhe Kushtetutës.
Jo vetëm që hedhin sasi të stërmëdha bombash gazi, pa pasur absolutisht asnjë lloj motivi, por këto janë vetëm reprezalje ndaj Partisë Demokratike për dështimin e skenarit të tyre. Sasitë e gazit kanë qenë kolosale. Kanë sëmurë njerëz këtu, i kanë helmuar njerëzit dhe ju e patë vetë. Nuk ka pasur asnjë tentativë, asnjë përpjekje nga asnjë protestues që të kryejë aktin më të vogël ndaj kësaj selie.
Në këtë kuadër, paralajmëroj Edi Ramën se me skenarë të tillë, me puthadorë të cilët ne i kemi paralajmëruar, ua kemi dërguar paralajmërimin dhe prapë i paralajmëroj këtu, do të mbahen personalisht përgjegjës si manipulatorë të shpifur në duart e Edi Ramës, që bëjnë gjithçka brenda protestës kundër protestës.
Paralajmëroj Edi Ramën se demokratët janë në këmbë më shumë se kurrë, janë në mosbindje civile më shumë se kurrë dhe janë jo vetëm në Tiranë, por janë dhe do të jenë nga Saranda e Delvina në Tropojë, në të katër anët e vendit. Regjimi do të dridhet. Regjimi nuk ka më paqe dhe qetësi. Nesër është një ditë e mrekullueshme, një ditë mosbindjeje civile në mbarë vendin.
Zoti Berisha, ju sapo folët për një skenar për të sulmuar selinë e Partisë Demokratike. Ndërkohë, nga ana tjetër, ka një pretendim nga policia se në selinë blu ishin fshehur persona të maskuar dhe të mitur. Ndaj, për këtë arsye, policia ka qëlluar me gaz.
Berisha: Çdo i mitur që sulmohet është i mirëpritur dhe do të mbrohet në përputhje me ligjet nga Partia Demokratike. Mbrojtja e të miturit është detyrë themelore e çdo të rrituri. Ata që sulmojnë të miturit shkelin ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Unë nuk isha informuar për këtë, por i përgëzoj demokratët që i kanë marrë në mbrojtje ata dhe do t’i marrin në mbrojtje, sepse ky është një narkoshtet që sulmon të miturit.
Gazetari: Po për persona të maskuar, zoti Berisha? Sepse ka dy pretendime nga policia, jo vetëm për të mitur, por edhe për persona me maska.
Berisha: Tani, ju mund ta thoni këtë. Nuk e përjashtoj, nuk e di. Po maska kanë të gjithë njerëzit sot për shkak të gazit. Sot ka gaz. Këta janë të çmendur. Këta janë njerëz pa asnjë lloj… Janë kriminelë. A i keni parë si sillen? Sillen si lopë të çmendura, si kafshë të çmendura ndaj protestuesve. Edhe ju, secilin prej jush, ju këshilloj të merrni maskë për t’u mbrojtur nga gazi, sepse hedhin një gaz toksik kudo. Tani imagjino ti, këtu në oborr, që është ambient i hapur, njerëzit nuk rrinë dot nga gazi. Kishin hedhur aq shumë gaz në oborr në fillim, saqë edhe u sëmurën. U mor edhe ambulanca. Të miturit janë të mirëpritur të vijnë dhe ata do të gjejnë këtu mbrojtje, do të gjejnë të gjithë mbështetjen për çdo nevojë që të kenë.
Gazetari: Pse në Partinë Demokratike kishte shumë njerëz, duke qenë se nuk kishte asnjë aktivitet politik?
Berisha: Absolutisht. Kishte shumë njerëz pikërisht për atë skenarin që unë njoftova. Ne e monitorojmë. Ne i monitorojmë jagot e Ramës në protestë.
Zoti Berisha, selia e Partisë Demokratike ka një mori kamerash me rezolucion të lartë. A do t’ia vini në dispozicion prokurorisë për të rrëzuar pretendimet e policisë?
Berisha: Tani, që ta dini ju, ne kemi ngritur një seri padish pranë SPAK-ut, pranë SKAP-it të partisë, për tortura çnjerëzore, për krime kundër personit që mund të ngjiten në krime kundër njerëzimit, ndaj Ervin Demos, Skënder Hitajt.
Pra, janë një bandë këta, e seleksionuar nga Rama dhe Lubia. Ju e morët vesh që ata bëjnë mbledhje çdo ditë te Vila e Kuqe, ku kupola e krimit e Partisë Socialiste dhe qeverisë, Edi Rama, Taulant Balla, Lubi Balluku, Oltion Bistri dhe disa pak elementë të tjerë janë bërë shtabi i zi i represionit të protestës. Kështu që nuk ka diskutim që do t’i ngremë të gjitha dhe janë dërguar një seri padish.
Ajo që kemi shpallur ne është kjo: Së pari, ne mbështesim me të gjithë potencialin tonë këtë protestë dhe ju garantoj se nga ora 8 e mëngjesit, kur fillojnë detyrat, gjer në orën 3 të mesnatës, në komisariatet e policisë, demokratët, deputetët, anëtarët e Forumit Rinor dhe drejtuesit janë në mbështetje të kësaj proteste. Dhe kemi parimin e dytë: ne do të mbrojmë studentët dhe gjimnazistët dhe jemi në mbrojtje të tyre me të gjithë potencialin tonë.
Këto të dyja janë qëndrimet tona të pandryshueshme dhe këtu qëndrojmë ne deri ditën e shporrjes së këtij narkodiktatori, që tani ka filluar të kërkojë kushte për të dhënë dorëheqjen. Jo, s’dua ato kushte. I them harroje, se një nga kushtet kryesore është dorëheqja e tij e menjëhershme.Së dyti, zhbllokimi, krijimi i qeverisë kujdestare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, reforma zgjedhore dhe zhbllokimi i të gjitha kërkesave të drejtësisë për arrestime për veprën penale të korrupsionit.
Pra, zoti Berisha, do t’ia vini në dispozicion pamjet hetuesve? Pamjet nga selia e partisë, kamerat e sigurisë?
Berisha: Sigurisht, po. Sigurisht, po. Nëse i kërkon prokuroria, pa diskutim. Nuk e bllokojmë drejtësinë ne. Ne, në qoftë se i drejtohemi… Po ata i bllokon Edi Rama.
Protestues të maskuar futen në Selinë e PD, policia hedh gaz! Deputetët demokratë: Kishte njerëz në zyra, na mbytën! Kishim informacion se do na sulmonin me urdhër të Ramës
Në selinë e Partisë Demokratike janë shënuar momente tensioni mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë.
Një grup protestuesisht ishin strehuar brenda ambienteve të PD-së dhe dyshohet se prej aty po kryenin sulme drejt Policisë.
Më pas në selinë e PD-së mbërritën efektivë të Policisë, që dyshohet se hodhën edhe gaz lotsjellës brenda ambienteve të kësaj godine.
Ndërkohë në selinë e PD-së kanë mbërritur edhe 2 auto-ambulanca. Një prej personave që ndodhej brenda selisë së PD-së u shoqërua me auto-ambulancë drejt spitalit.
Deputeti Eno Bozdo ka deklaruar për mediat se efektivët kanë provokuar dhe dhunuar protestuesit dhe njerëzit që ndodheshin brenda selisë së PD-së. Ai kërkoi largimin e tyre të menjëhershëm.
Bozdo tha se përfaqësues të Partisë Demokratike u dhunuan në mënyrë të pajustifikuar, ndërkohë që shtoi se disa persona ishin lënduar nga hedhja e gazit lotsjellës.
“Kanë helmuar njerëzit të gjithë brenda. Këta i kanë futur bombolat e gazit brenda PD-së. Kanë dhunuar gra e burra që ishin për qejfin e tyre brenda PD-së. O çuna kë keni Komandant ju këtu? Erdhën e na provokuan. Panë njerëz aty dhe mbushën oborrin dhe godinën e PD-së me gaz lotsjellës. Duhet të ikin, të zhduken. Pati një sulm të paprovokuar brenda ambienteve të PD-së. S’ka hyrë asnjë protestues këtu.
Ishin vetëm njerëz që ndodheshin brenda selisë së PD-së. Të gjithë jemi dëmtuar. S’e kuptoj çfarë dreqin kanë që gjuajnë. S’ka ndodhur ndonjëherë që selia e partisë kryesore opozitare të sulmohet në këtë mënyrë. Të mbrojnë komisariatet, atë punë të bëjnë. Strukturat e PD-së janë këtu në monitorim të situatës, por ne nuk pranojmë kurrë dhunën e pajustifikuar. Nuk u shfaq Komandanti, s’dinte ça të thoshte. Pastaj morën urdhër, se e panë që e kishin trashur dhe u tërhoqën me turp”, tha mes të tjerash Bozdo.
Nga ana tjetër, deputeti Belind Këlliçi pretendoi se që më herët, zyrtarë të lartë të PD-së kishin informacion se do të sulmoheshin nga forcat e Policisë, sipas tij me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe Qeverisë socialiste.
“Ka 14 vite që PD është në protestë. Të gjithë deputetët janë në protestë. Drejtues të Partisë kanë qenë në ambientet e punës. Kemi parë vetëm forca policie. Dimë që ka pasur vetëm disa raste që janë në gjendje të rëndë. S’ka patur asnjë tentativë nga ana e asnjë zyrtari të PD-së për të linçuar apo anatemuar asnjë gazetar. Kishim informacion se do të na sulmonin rreth orës 21:00 me urdhër të qeverisë”, tha mes të tjerash Këlliçi.