Mbrëmë, në Rubikon në Klan Kosova, u diskutua se kush po e (keq)përdorë Kuvendin.
U shtjellua po ashtu vendimi i kryetarit të Kuvendit, Dimal Bashës për të shpallur seancën konstituive “të mbyllur”.
Se a ka filluar ligjërisht rrjedhja e afatit 15-ditor për formimin e ekzekutivit të ri, ishte po ashtu temë diskutimi mes panelistëve.
Analisti politik, Avni Arifi deklaroi se zhvillimet e fundit rreth Listës Serbe, përfshirë deklaratat ndaj saj dhe mosvotimin e kandidatit të këtij subjekti për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, po ndikojnë në rikthimin e kësaj partie në skenën politike, transmeton Klankosova.tv.
Arifi theksoi se këto veprime, në vend që ta izolojnë Listën Serbe, po i shërbejnë përmirësimit të imazhit të saj në Serbi dhe tek komuniteti serb në Kosovë.
“Kjo punë me Listën Serbe, në parim, çfarë po ndodh me Listën Serbe është si një terapi për ta, për rikthim në skenë. Duhet t’i shohim gjërat nga një prizëm tjetër, jo nga ai i shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të tij, por nga ai i Serbisë. Lista Serbe atje ka ndërtuar një imazh shumë të keq. Së pari, ata shihen si njerëz të Aleksandar Vuçiqit dhe janë — janë parë edhe në tubime — që njerëzit e Listës Serbe i qëndrojnë më afër Vuçiqit sesa mbrojtjes së afërt. Atje i shohin si një krah gjysmë-ushtarak apo ushtarak të Vuçiqit. E dyta, ata urrehen në Serbi, sepse përmes krimit të organizuar kanë krijuar pasuri marramendëse dhe ndërtojnë objekte, janë njerëz arrogantë,” tha Arifi.
“Imazhi i tyre në Serbi është për tokë, dhe edhe te qytetarët serbë, Lista Serbe konsiderohet fajtore për tërheqjen e policëve, gjyqtarëve dhe stafit nga administrata e shtetit të Kosovës. Faktikisht, ata e shohin këtë si faj të Listës Serbe, që institucioneve të Kosovës u është mundësuar të vendosin sovranitetin në veri pa pengesa,” theksoi Arifi.
Ndryshe nga Arifi, analisti politik, Rrahman Paçarizi u shpreh se kundërshtimi i VV-së për Listën Serbe është një lojë.
Ai është shprehur se pak vite më parë, ka pasur bashkëpunim vëllazëror të VV-së me Listën Serbe.
“Loja e tashme me gjoja kundërshtimin e Vetëvendosjes për Listën Serbe, sepse vetëm pak vite përpara ne kemi parë një bashkëpunim të frytshëm, të ngushtë dhe goxha vëllazëror mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe. Ne i kemi parë incizimet ku e quajnë njëri-tjetrin edhe “vëlla”. Unë e di që nuk i ka thënë vëlla, vëlla, por ka treguar një afërsi. Ku u bë Mimoza Kusari me Milan Radoiçiqin me u drejtu me “vëlla”, edhe për çka, për pagat e veteranëve, kjo është shumë e rëndë”, deklaroi Paçarizi.
Ndërsa opinonistja Aida Dërguti pohoi se Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar shumë Listën Serbe, por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret.
Sipas saj, VV-ja ka pasur katër vjet kohë për ta shpallur Listën Serbe si organizatë terroriste. Dërguti më tej theksoi se Vetëvendosje, me reagimet e ditëve të fundit, është duke i shtuar më shumë vota Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
E sipas analistit Dardan Sejdiu, në shoqërinë tonë është një problem esencial, e që sipas tij është që Albin Kurti po lejohet “të na mbajë në të kaluarën”.
“Z.Kurti si është duke u sillur është në kuadër të skenarit të vet, mozaikut të vet të veprimit. Nuk bën t’ua ndajë zullumin, nëse ka njerëz që janë të gatshëm ta shohin duke u shkelur Kushtetuta nja 70 herë për gjashtë muaj, nëse ka njerëz që janë të gatshëm me dëgju një person në krye të Kuvendit, i cili deklaron se ai konsideron që është konstituuar Kuvendi dhe nëse ka njerëz që janë të gatshëm me pranu dikush t’ju tregojë që presim ne ta mandatojmë Albinin, sepse po kemi qejf, atëherë mos ua ndajë”
“Po besoj që një prej problemeve esenciale në këtë shoqëri është që po e lejojmë dikë si Kurtin të na mbajë në të kaluarën. Po na mban aty tash e gjashtë vjet, prej që është në pushtet”, u shpreh tutje Sejdiu.