Nxënësit në shkollat e Tetovës vazhdojnë të kenë mungesë të librave edhe në javën e dytë të vitit të ri shkollor, pavarësisht premtimeve të ministres së Arsimit se këtë vit nuk do të ketë mungesë të librave, shkruan Portalb.mk.
Portalb.mk bisedoi me disa drejtorë të shkollave fillore dhe të mesme të Tetovës, ata thonë se kanë pranuar tekste të reja, megjithatë jo të gjitha.
“Presim sot ose nesër të vijnë librat për klasën e shtatë me konceptin e ri mësimor. Gjithashtu presim edhe librat për gjuhë të huaja prej klasës së katërt deri në klasën e nëntë”, tha Sihana Kaba Kasami, drejtoreshë e Shkollës Fillore “Kirili dhe Metodi”.
“Shërbimet që merren me atë punë nuk e kanë gati raportin sepse të enjten dhe të premten e kaluar i kanë dorëzuar dhe pranuar nxënësit libra. Tani ata do bëjnë krahasim me librat e dorëzuara, të pranuara dhe ato të rejat që i kanë sjellë deri më sot. Pastaj so shpërndahen edhe të rejat që kanë ardhë deri tani dhe do del rezultati. Sa kemi, sa na duhen. Kemi pasur rekomandim nga MASH që viteve të para mos t’ju jepen lobra sepse do i sjellin krejt librat e reja, deri sot ende nuk i kanë sjellë”, tha Jeton Kamberi, drejtor i Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”.
“Anglisht dhe Frëngjisht i kanë sjellë librat kurse te tjerat jemi të informuar se në ditët në vazhdim do t’i sjellin”, tha Muzafer Livoreka, drejtor i Shkollës së Mesme Tekstile “Gjoce Stojçeski”.
Nga Komuna e Tetovës nuk japin numër konkret se sa libra mungojnë në të gjithë shkollat.
Pak ditë më parë, ministrja e Arsimit Vesna Janevska e pranoi se ka probleme me tekstet shkollore, ndërkaq për të njëjtat janë shpenzuar 11 milionë euro.
LEXO: Janevska pranoi: Nuk ka libra shkollor për çdo fëmijë, ndërsa u shpenzuan 11 milionë euro
Megjithatë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në një përgjigje për Portalb.mk insistojnë se janë siguruar tekste shkollore për të gjithë nxënësit.
“Plotësisht të reja janë për klasën e shtatë në arsimin fillor dhe për vitin e parë në gjimnaz për shkak të zbatimit të programeve të reja mësimore, ndërsa për herë të parë pas shtatë vitesh ka edhe tekste të reja në të gjitha gjuhët e huaja në arsimin fillor dhe të mesëm. Është shtypur i gjithë tirazhi që e kërkuan shkollat përmes aplikacionit elektronik të MASh-it”, thanë nga Ministria e Arsimit.
Ndryshe, Ministria për Arsim dhe Shkencë më 11 qershor kishte urdhëruar shkollat që mos të furnizojnë nxënësit me libra të dëmtuara, pasi para shtatorit do të sjellin libra të reja.
Kujtojmë që nxënësit në mbarë vendin përballen me mungesë të librave me vite të tëra.