Një figurinë prej fildishi të morseve, mbi një mijë vjet e vjetër, është identifikuar si portreti i parë i një vikingu, raporton News.ro. Zbulimi, i shpallur nga Muzeu Kombëtar i Danimarkës, tregon një burrë me mustaqe imperiale, mjekër të gërshetuar dhe ndarje flokësh në mes.
“Kjo krijesë është me të vërtetë ndryshe (…), ka një ndarje qendrore të flokëve deri në majë të kokës, ndërsa flokët janë të prerë në zverk”, shpjegoi konservatori Peter Pentz për AFP. Ai tha se e kujtonte ndjesinë sikur të ishte parë nga një viking kur zbuloi figurinën tre centimetërshe në koleksionet e muzeut.
Në kontrast me paraqitjet ekzistuese, veçanërisht monedhat pa tipare individuale, “është përpjekja e parë për portret gjatë epokës së vikingëve”, shtoi Pentz.
Pjesa e shekullit të 10-të, e cila përfaqëson në fakt një mbret në një lojë shoqërore, u zbulua në një tumë të vogël në fiordin e Oslos, në Norvegji, në vitin 1796. Që atëherë, ajo mbeti në arkivat e muzeut kombëtar.
“Nëse mendoni për vikingët si të egër apo qenie primitive, besoj se kjo figurinë provon të kundërtën. Është shumë mirë e realizuar”, deklaroi historiani. “Ka mustaqe, mjekra i është gërshetuar”, vuri re ai, duke theksuar detaje unike, të papara më parë.
Në epokën e vikingëve (shek. VII-XI), flokët e pasur ishin një tregues pasurie dhe statusi shoqëror. Burri i paraqitur në figurinë “ndodhet në majë të hierarkisë. Ky mund të jetë vetë mbreti Harald «Dhëmbi Blu»”, shtoi Pentz.
“Gjëja më befasuese për mua është shprehja e tij”, vazhdoi historiani. “Shumica e paraqitjeve vikinge të figurave njerëzore janë mjaft të thjeshta dhe nuk ngjajnë vërtet me njerëzit. Ky (…) më duket sikur ka thënë një shaka, buzëqesh”.