Mijëra shqiptarë nga e gjithë bota janë mbledhur pranë parkut të muzeut Madurodam, afër Gjykatës Speciale në Hagë, për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët tashmë pesë vjet po mbahen në paraburgim.
Me një thirrje emocionale dhe të fuqishme, kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, ka nisur fjalimin e tij duke përmendur emrat e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Gjatë fjalës së tij, Gucati theksoi se proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk janë vetëm çështje juridike, por prekin dinjitetin e një populli të tërë.
“Sot këtu në zemër të Evropës, nuk flasim vetëm për katër mure, për një proces gjyqësor, apo për disa aktakuza. Ne flasim për dinjitetin e një populli, për një drejtësi që na është mohuar, për historinë e shenjtë të UÇK-së që po përpiqen ta shtrembërojnë”, u shpreh Gucati.
Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u lind nga urrejtja, por nga padrejtësia, dhe se lufta e saj nuk ishte për pushtet, por për liri. “Liria nuk ishte dhuratë, ishte gjaku e sakrifica e djemve e vajzave që ranë për tokë e flamur”, tha ai.
Gucati kritikoi ashpër heshtjen e ndërkombëtarëve përballë, siç tha ai, burgosjes së padrejtë të ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe përpjekjeve për të njollosur emrin e saj. “Ndjejmë zemërim për heshtjen e ndërkombëtarëve, dhe krenari se jemi pasardhësit e një ushtrie që nuk u përkul as përpara tankeve e helikopterëve serbë”, theksoi ai.
Ai bëri thirrje për drejtësi të barabartë, duke kërkuar që historia të shkruhet mbi të vërtetat e luftës çlirimtare dhe jo përmes aktakuzave politike.
“Mos i gjykoni çlirimtarët si kriminelë, ndërsa kriminelët e vërtetë të Serbisë sot gëzojnë lirinë e tyre. Drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë, jo vetëm për UÇK-në”, theksoi Gucati.
Koci: UÇK-ja luftoi për liri, jo për pushtim, padrejtësia duhet të ndalet
Bashkëorganizatori i protestës në Hagë, Fatmir Koci, theksoi se shqiptarët e Kosovës nuk kanë qenë as agresorë, as pushtues.
“Ne ishim njerëz të pafajshëm që luftuam për lirinë tonë, për vendin tonë. Dhe sot, pas gjithë sakrificave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ta sjellë lirinë, përballemi me një padrejtësi të pafalshme, e cila po shkatërron jetët e atyre që sakrifikuan gjithçka për ne”, tha ai.
Sipas tij, ndërkohë që shteti serb, i cili kreu krime të tmerrshme gjatë luftës, duke vrarë, dëbuar, dhunuar dhe shkatërruar çdo gjë shqiptare mbetet i paprekur, kriminelët e luftës vazhdojnë të jenë të lirë, të mbrojtur nga regjimi serb, pa u hetuar, ndjekur apo dënuar.
Duke folur për ish-krerët e UÇK-së, Koci tha se ata që mbrojtën popullin dhe që ngritën zërin e armët për ta shpëtuar Kosovën nga gjenocidi, sot po mbahen në paraburgim në Hagë pa asnjë provë konkrete.
“Ata po mbahen vetëm mbi bazën e aktakuzave të pabazuara, të një gjykate që duket se është krijuar për të ndëshkuar ata që mbrojtën nderin e kombit shqiptar”, u shpreh ai.
Koci theksoi se kjo padrejtësi nuk do të pranohet kurrë.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Fadil Fazliu, Haxhi Shala dhe shumë të tjerë nuk janë vetëm udhëheqës të UÇK-së, por edhe themelues dhe bartës të proceseve të shtetformimit të Kosovës. Ata mbeten arkitektë të lirisë sonë – dhe sot, padrejtësisht, po dënohen për sakrificat që kanë bërë për ne. Dua të përmend edhe bashkëluftëtarët tanë që janë dënuar pa asnjë provë për krime që nuk i kanë kryer kurrë”, tha Koci