Nëndetësja ruse Novorossiisk dyshohet se ka pësuar një dëmtim serioz në afërsi të Gjibraltarit – një nga ngushticat më strategjike dhe më të frekuentuara në botë – dhe paraqet rrezik shpërthimi, sipas një llogarie anti-Kremlin në Telegram, e cila shpesh rezulton e saktë. Bëhet fjalë për një nëndetëse luftarake ruse që ka lundruar së fundmi pranë brigjeve franceze. Kësaj here, Novorossiisk ndodhet në zonën e ngushticës së Gjibraltarit ose pranë brigjeve të Portugalisë dhe raportohet të jetë në një situatë të ndërlikuar, sipas llogarisë në Telegram VChka-OGPU, e njohur për burimet e saj brenda shërbimeve ruse të sigurisë.
Nëndetësja, “aktualisht në një mision luftarak në Detin Mesdhe, po përballet me probleme serioze teknike”, thekson kjo llogari në Telegram, e konsideruar si shumë kritike ndaj Kremlinit. Sipas këtyre burimeve, një “rrjedhje karburanti pas një defekti të rëndë ka krijuar një rrezik të madh shpërthimi në bord”, raportoi të martën France 24, sipas Agerpres.
As autoritetet ruse, as media zyrtare nuk kanë përmendur praninë e Novorossiisk në Mesdhe apo problemet e mundshme dhe evakuimin e ekuipazhit. Një avion amerikan i patrullimit detar po fluturon prej disa ditësh mbi zonën ku është parë nëndetësja, kanë treguar disa llogari të specializuara në analizën e të dhënave me burim të hapur në X dhe Telegram.
Ky incident sjell ndër mend tragjedinë e Kursk, nëndetëses bërthamore ruse që u fundos në vitin 2000, duke shkaktuar vdekjen e 118 anëtarëve të ekuipazhit. Novorossiisk, që bën pjesë në klasën relativisht të re të nëndetëseve me motor dizel Kilo, ka një gjatësi mbi 70 metra dhe mund të mbajë mbi 50 persona ekuipazh. Kjo klasë filloi të zhvillohej që nga vitet 1980 dhe nuk është e krahasueshme me nëndetëset e viteve 1940-1950 që patën shumë defekte, shpjegon Alexandre Vautravers, specialist i armëve dhe kryeredaktor i Revue militaire suisse.
Megjithatë, nëndetëset e klasës Kilo nuk janë shumë të sofistikuara: “Ato u projektuan më shumë për t’u prodhuar në numër të madh sesa për të pajisur flotën ruse me teknologji të gjeneratës së fundit”, thotë Vautravers. Rusia i ka eksportuar gjerësisht, pasi nuk përmbajnë teknologji sekrete. Novorossiisk është një nga modelet më të reja, në shërbim që nga gushti 2014 dhe i caktuar Flotës së Detit të Zi në shtator 2024.
Nëndetësja është e pajisur me torpedo dhe raketa lundrimi Kalibr (ekuivalente me raketat amerikane Tomahawk) dhe gjithashtu mund të vendosë mina nënujore.
Më herët, ajo është parë pranë brigjeve të Bretanjës në vitin 2022 nga marina franceze dhe është ndjekur nga një anije luftarake. Britanikët e kanë monitoruar nga afër në korrik 2025, kur kaloi Kanalin e La Manshit.
Sipas VChka-OGPU, Novorossiisk ndodhej në një “mision luftarak” pranë Gjibraltarit – që shpesh nënkupton më shumë misione spiunazhi ose transport të fshehtë sesa gatishmëri për sulm. Gjibraltari, si pikë hyrëse në Mesdhe nga Atlantiku, është ideal për spiunazh nënujore, pasi çdo anije që kalon aty monitorohet nga afër.
Ekspertët theksojnë se, megjithëse nuk është një nëndetëse bërthamore, rreziku nga shpërthimi i municioneve në bord (raketa, mina) mund ta bëjë situatën shumë të rrezikshme. Për më tepër, Rusia nuk ka një port afër për riparime – nëndetësja do të duhej të dërgohej deri në Shën Petersburg, përveç nëse Moska kërkon ndihmë, gjë e pamundur nga ndonjë vend i NATO-s në këtë kontekst lufte.