Instituti rus i dedikuar studimeve mbi teleportimin dhe “makinën e kohës” ka ndërprerë aktivitetin, njoftoi të mërkurën posti RTVI, cituar nga agjencia EFE. Instituti kishte organizuar pothuajse 900 seminare para se të mbyllej.
Instituti i Kërkimit të Natyrës së Kohës ka funksionuar për më shumë se një çerek shekulli, si një strukturë e lidhur me Universitetin Shtetëror të Moskës, sipas RTVI. Qendra e studimeve u themelua në vitin 1999 nga biofizikani rus Aleksandr Levici, sipas informacioneve të ofruara nga institucioni në faqen e tij zyrtare, e cila aktualisht nuk është më e aksesueshme.
Ndër objektivat dhe fushat e tij të aktivitetit përfshiheshin studimet mbi mekanikën kuantike kauzale, sipas EFE. Instituti kishte organizuar pothuajse 900 seminare para mbylljes. Ndër temat e diskutimit ishin mundësia e “marrjes së informacionit nga e ardhmja”, si dhe “makina e kohës dhe teleportimi në kohë dhe hapësirë”. Faqja e internetit e institutit ishte përditësuar për herë të fundit më 3 gusht.
Ndërkohë, shkencëtarët po punojnë për zhvillimin e një lloji tjetër teleportimi: atij kuantik. Ata kanë përmirësuar aftësinë e kompjuterëve për të dërguar informacion kuantik drejt kompjuterëve të tjerë në distancë, një proces që konsiderohet si “teleportim i të dhënave”, raporton New York Times. Kjo teknologji mund të ndryshojë ndjeshëm mënyrën se si qarkullojnë të dhënat nga një vend në tjetrin. Ajo bazohet në më shumë se një shekull kërkimesh që përfshijnë mekanikën kuantike, një fushë e fizikës që qeveris botën nënatomike.