Saraji dhe Likova fituan kryetarë komune që në rrethin e parë të votimit. Në pothuajse të gjitha komunat e udhëhequra nga kryetarë komune nga blloku shqiptar, pjesëmarrja në votime u rrit në rrethin e dytë – përveç në Strugë. Në vitin 2021, në Tetovë ndodhi ndryshim i forcave politike që fituan në këtë komune, ndërsa në Gostivar, kryetari i atëhershëm i komunës arriti të fitojë edhe mandatin e dytë. Bazuar në të dhënat nga KSHZ-ja, në këtë analizë javore Portalb.mk i analizoi rezultatet e zgjedhjeve pas zgjedhjeve lokale të vitit 2021.
Përforcim i pozicioneve, por edhe ndryshim i “forcave politike” në komunat kryesore të udhëhequra nga kryetarë komunash nga blloku shqiptar…
Me 107,595 vota të fituara për kryetar komune, BDI-ja u rendit e treta për nga numri i votave të fituara pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale të vitit 2021, në vendin e katërt si koalicion i dytë nga kampusi shqiptar me 57,296 vota ishte Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ndërsa në vendin e pestë, si parti e tretë nga blloku shqiptar me 26,734 vota u rendit Lëvizja Besa. Partia Demokratike e Shqiptarëve – PDSH-ja e Menduh Thaçit fitoi 4,145 vota në rrethin e dytë, duke u renditur kështu në vendin e tetë.
Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale të vitit 2021 ishte vendimtar për komunat më të mëdha në të cilat u zhvillua beteja midis BDI-së dhe “opozitarëve” të atëhershëm nga blloku shqiptar.
Në Gostivar pas rrethit të dytë, pushteti lokale mbeti në “duart” e Arben Taravarit, i cili e filloi mandatin e tij të dytë si kryetar komune, si përfaqësues i koalicionit ASH dhe Alternativa, duke fituar 58,18% të votave ndërsa BDI-ja fitoi 40,34%. Ndryshe nga Gostivari, BDI-ja korri fitore në Strugë me Ramiz Merkon, i cili fitoi 53,27% të votave, ndërsa ASH-ja dhe Alternativa morën 45,38% të votave.
Edhe pas shumë pazarllëqeve “prapaskenësh” midis bllokut politik maqedonas dhe atij shqiptar, Kërçova mbeti nën “juridiksionin” e BDI-së, gjegjësisht Fatmir Dehari fitoi 53,57% të votave, ndërsa VMRO-DPMNE dhe koalicioni i saj 44,82%. Zgjedhjet lokale të vitit 2021 sollën ndryshim në forcat politike në Tetovë, ku pushtetin e mori Bilall Kasami nga Lëvizja Besa me 55,81% të votave të fituara, ndërsa BDI-ja fitoi besimin e 42,73% të votuesve.
Çairi i Shkupit – mejdan për matjen e fuqisë politike midis BDI-së dhe Koalicionit ASH dhe Alternativa. Pas rrethit të dytë të zgjedhjeve, Visar Ganiu nga BDI-ja mbeti kryetar i Çairit, duke fituar 55,19% të votave.
Pjesëmarrja në votime, e rëndësishme jo vetëm për ligjshmërinë, por edhe për legjitimitetin…
Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, nga gjithsej 1,801,965 votues, 911,314 votuan në rrethin e parë, ose pjesëmarrja ishte prej 50,57%. Në rrethin e dytë, votuan 532,804 qytetarë, ose kishte një pjesëmarrje prej 50,69%.
Të dhënat nga KSHZ-ja tregojnë se shkalla më e lartë e pjesëmarrjes, e cila në rrethin e dytë iu afrua 63%, ishte në Haraçinë, ndërsa më e ulëta, 37,95%, ishte në Likovë, ku kryetari i komunës u zgjodh që në rrethin e parë me shumicë bindëse të votuesve që votuan.
Që cikli zgjedhor për zgjedhjet lokale të jetë i suksesshëm, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të votojnë 33% e votuesve të regjistruar, ndërsa në rrethin e parë të zgjedhjeve, fitues mund të jetë ai që fiton 50% plus një votë të atyre që kanë votuar.
“Nëse në rrethin e parë të votimit për zgjedhjen e kryetarit të komunës, përkatësisht kryetarit të Qytetit të Shkupit, nuk dalin në votim një e treta e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në ekstraktin e listës zgjedhore për komunën përkatëse, përkatësisht qytetin e Shkupit, e gjithë procedura zgjedhore për komunën përkatëse përsëritet”, përcakton Kodi Zgjedhor.
Megjithatë, kjo “matematikë” mund të prishet nga numri i fletëvotimeve të pavlefshme, të cilat sipas përvojës së deritanishme janë rreth 3%.
Ndryshe, edhe pak ditë do të mbahen zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e vendit. Rrethi i parë do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor. Fushata për rrethin e parë ka filluar më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë do të vazhdojë deri më 31 tetor.