Me thirrjen “Liri për çlirimtarët”, dhjetra mijëra shqiptarë u tubuan të premten në Sheshin Skënderbej në Tiranë, kundër procesit të zgjatur të gjykimit nga Gjykata Speciale ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Por në këtë tubim nuk erdhi Albin Kurti… Madje, Vetëvendosja e tij e siluroi publikisht tubimin me një deklaratë, ku në 7/8 e saj shkruesit merreshin me Edi Ramën dhe jo me çështjen për të cilën u mblodhën dhjetra mijëra shqiptarë në Sheshin Skënderbej. Dhe ky autogol i Kurtit mund të rezultojë me pasoja në Prishtinë…
Në zgjedhjet e fundit lokale atje, Rama i LDK-së mori vetëm 571 vota më shumë se Çeko i Vetëvendosjes, e do t’i duhet të përballet me të në balotazh. Ku 18,457 votuesit e Ismailit të PDK-së mund të jenë përcaktuesit e garës lokale në Prishtinë.
PDK-ja nuk ka shpallur zyrtarisht deri më sot përkrahje as për Ramën e LDK-së dhe as për Çekon e Vetëvendosjes. Sidoqoftë, votuesit e PDK-së mund të jenë të ndjeshëm ndaj qendrimit publik të dy kandidatëve kryesorë dhe partive përkatëse rreth udhëheqësve themelues të partisë së tyre (ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës).
Rama, si kryebashkiak aktual i Prishtinës, vuri në dispozicion autobuzë falas për të gjithë veteranët e UÇK-së që erdhën në Tiranë, ndërkohë që partia e tij (LDK) e përkrahu publikisht tubimin në Tiranë. Nga ana tjetër, Çeko i Vetëvendosjes u tregua i fjetur ndaj këtij zhvillimi me rëndësi simbolike kombëtare (për të mos folur për Kurtin dhe Vetëvendosjen në përgjithësi).
Tubimi në Sheshin Skënderbej mund të mos ketë fare ndikim tek shqetësimet komunale të banorëve të Prishtinës, por mund të ketë vlerë të lartë shpirtërore për ata votues prishtinas që votuan për kandidatin e PDK-së (të cilën e themeluan udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës).
Dhe ky mund të bëhet një faktor kyç elektoral për fitoren e Ramës në balotazhin e Prishtinës…