“Janë vjedhur bizhuteri me vlerë të paçmuar, të paripërsëritshme. Dhe duket se nuk ka shërbyer si mësim as grabitja e fundit e bizhuterive mbretërore në Drezden, ku u vodh ‘E gjelbra e Drezdenit’, gur i çmuar i urdhrit të Toson d’Oro-s,” – deklaron Papi, i cili ka ndjekur shitjen në ankand të shumë thesareve të kurorave evropiane, përfshirë edhe bizhuteritë “Bijoux Napoléon” dhe “Bijoux des souveraines” që janë grabitur në Paris, nga Luvri.
Ai kujton: “Si drejtor i sektorit të bizhuterive në Sotheby’s në Londër gjatë viteve ’90, kam ndjekur shitjen në ankand të Nyjës së madhe me diamante të perandoreshës Eugenia, bashkëshortes së perandorit Napoleon III, një prej thesareve që ndodheshin në vitrinat e Luvrit. Më pas, në vitin 1992, u shit në ankand edhe diadema e perandoreshës Eugenia për një milion franga zvicerane: një kombinim i mrekullueshëm margaritarësh dhe diamantesh që përfundoi në duart e princërve Thurn und Taxis. Princesha Gloria Thurn und Taxis e mbajti në dasmën e saj në vitin 1980, bashkë me një spile me margaritarë dhe diamante. Më vonë, miqtë e Luvrit ia kthyen Francës këtë pasuri dhe ajo u rikthye në vitrinat nga të cilat u vodhën bizhuteritë.”
“Dikur besohej se prerja e vjetër e diamanteve ulte vlerën e tyre, por në fakt sot ndodh e kundërta,” – shpjegon Papi. “Siç treguan 36 milionë eurot e arritura në ankand për margaritarin e mbretëreshës Maria Antonieta, të shitur në vitin 2018 nga familja Bourbon-Parma, apo 6 milionë eurot për byzylykët me tre rreshta diamantesh të mbretëreshës së fundit të Francës, sot mbizotëron vlera historike, e cila i bën këto bizhuteri unike dhe të paçmuara, përtej peshës së karatëve.”
“Të ashtuquajturit bizhuteri napoleone janë krijuar pas Revolucionit Francez, duke u bazuar në gurët e çmuar dhe bizhuteritë e trashëguara nga thesari i kurorës franceze. Një shembull tipik është pikërisht kurora e perandoreshës Eugenia,” – shpjegon Papi.
Pikërisht kurora e perandoreshës Eugenia është, deri tani, i vetmi objekt i gjetur pas grabitjes, megjithëse i dëmtuar, pranë Luvrit. Çfarë e bën këtë kurorë të veçantë?
Stefano Papi: Kjo është një kurorë e mbyllur me shqiponja dhe diamante, e realizuar nga argjendari Lemonnier duke përdorur 102 diamante brilantë me një vlerë totale prej 32 karatësh, që perandori ia dhuroi në vitin 1855. Këta diamante më parë ishin të vendosur në bizhuteri që i përkisnin Thesarit Mbretëror të Francës. Por nuk mjaftuan, ndaj argjendari shtoi edhe diamante të tjerë, si dhe ar dhe smeralde, me të cilët arriti të krijonte këtë kurorë të mbyllur madhështore. Ajo është ruajtur për shekuj në kutinë e saj origjinale, e punuar posaçërisht për të ndjekur formën e saj të jashtëzakonshme.
Në vitin 1887, bizhuteritë e kurorës së Francës u shitën në ankand në Paris. Pse ndodhi kjo?
Stefano Papi: Sepse ishin bizhuteri me rëndësi të madhe historike, por që gjithashtu ngjallnin frikë për shkak të simbolikës së tyre politike. Përfaqësonin monarkinë franceze, një trashëgimi që Republika nuk dëshironte ta mbante. Diçka e ngjashme ndodh me bizhuteritë e familjes Savoia, të cilat ruhen në Bankën e Italisë dhe që askush nuk guxon t’i ekspozojë publikisht.
Është e vërtetë që gjyshërit tuaj kanë qenë pjesë e historisë së bizhuterive të Savoias në Bankën e Italisë?
Stefano Papi: Po. Gjyshja ime, Giulia, kishte një miqësi shumë të ngushtë me motrën e konteshës Cao di San Marco. Dhe ishte pikërisht konte Cao, sekretari i mbretit, ai që për herë të parë fshehu dhe shpëtoi ato bizhuteri nga grabitjet naziste, në kohën kur Italia po tronditej nga erërat e luftës. Është një histori e gjatë, e mbushur me rrezik dhe heroizëm.
Le t’i rikthehemi ankandit të vitit 1887 të bizhuterive të thesarit francez, që sot janë grabitur.
Stefano Papi: Në shekullin XIX, bizhuteritë e kurorës së Francës ishin të ekspozuara në sallat e Luvrit, por qeveria vendosi të çlirohej prej tyre, sepse ishin tepër të ngarkuara me trashëgiminë simbolike të monarkisë. Kështu u vendos që ato të shiteshin në ankand. Vetëm një bizhuteri nuk u shit kurrë: spila relikare me diamante, e krijuar për perandoreshën Eugenia, me diamantet e mbledhura nga kardinali Mazarin, të cilët pas vdekjes së tij kaluan në pronësi të mbretit të Francës.
Detaj i spilës me diamante, relikare, e perandoreshës Eugenia, e realizuar me diamantet e kardinalit Mazarin
Ministria e Kulturës ka përmendur gjithashtu një relikare mes tetë thesareve të grabitura. Për cilën bëhet fjalë?
Stefano Papi: Bëhet fjalë pikërisht për atë spilë me diamantet e Mazarin-it. Ajo shpëtoi nga shitja në ankandin e vitit 1887, sepse konsiderohej një objekt i shenjtë, një relikare, dhe për këtë arsye nuk u lejua të dilte në treg.
Kush i bleu bizhuteritë e kurorës dhe ato napoleone që u shitën në shekullin XIX? Ku përfunduan dhe si u kthyen më vonë në Luvër?
Stefano Papi: Shumë prej tyre përfunduan në duart e koleksionistëve të pasur amerikanë, dhe shumë të tjera u blenë nga kompania Tiffany. Me kalimin e kohës, pas disa ndryshimeve pronësie, shumë prej tyre u rikthyen në muze, falë miqve të Luvrit, të cilët i blenë me qëllimin që t’i rikthenin publikut francez këtë trashëgimi të çmuar.
Cilët të tjerë thesarë napoleone të Luvrit mund të jenë mes bizhuterive të vjedhura?
Stefano Papi: Në vitrinën e thyer nga grabitësit ndodheshin me siguri Fioku i Madh i Eugénie-s dhe diadema e perandoreshës me margaritarë dhe diamante, bizhuteri ndër më të rëndësishmet e thesarit francez.
Mes objekteve të vjedhura mund të jenë edhe margaritarët në formë pike të Zhozefinës, gruas së parë të Napoleonit, që më vonë kaluan te djali dhe më pas te vajza e mbretit të Bavarisë, si dhe varësja me margaritarë që më pas u shit si në Christie’s, ashtu edhe në Sotheby’s – një shitje që e kam ndjekur personalisht.
Në muze ndodhej gjithashtu parura (seti i plotë) e konteshës së fundit të Parisit, që përfshinte diademën, varësen, vathët dhe dy spila – një shkëlqim i jashtëzakonshëm me diamante dhe safire. Por… janë zhdukur.
Janë vjedhur gjithashtu edhe varësja dhe seti me safire i Maria Amelie-s, bashkëshortes së Louis-Philippe I, mbret i Francës nga viti 1830 deri në 1848, si dhe ai i nënës së Napoleonit III, që përmbante 8 safire dhe 631 diamante. Janë marrë gjithashtu edhe bizhuteritë e perandoreshës Maria Luisa, gruas së dytë të Napoleonit. Mund të na shpjegoni më shumë?
Stefano Papi: Diadema e dukeshës d’Angoulême, me smeralde dhe diamante, kishte qenë për shumë vite në huazim në muzeun Victoria & Albert në Londër. Ishin smeraldet dhe diamantet që Napoleoni ia kishte dhuruar gruas së tij, Maria Luisa, për lindjen e trashëgimtarit. Me kalimin e viteve, këto bizhuteri përfunduan në duart e arkidukës Karl Albert të Habsburgëve, dhe më vonë u blerën nga Van Cleef & Arpels.
Sa i përket parurës së Maria Amelie-s, me safire, margaritarë dhe diamante, unë vetë kam ndjekur shitjen e saj në ankandin e Sotheby’s. Ajo u shit me nismën e kontëve të Parisit, trashëgimtarëve të fronit francez. Ishte një ankand i madh në mesin e viteve ’90, ku u shitën jo vetëm bizhuteri, por edhe mobilie e piktura. Megjithatë, kjo parurë nuk ndodhej në Luvër.
Muzeu ka konfirmuar se diamanti “Le Régent” është në gjendje të sigurt. Për çfarë diamanti bëhet fjalë?
Stefano Papi: Është diamanti që dikur ishte pjesë e kurorës së Francës, por që më pas Napoleoni e vendosi në shpatën e tij personale. Fakti që ‘Le Régent’ ka shpëtuar është vetëm një ngushëllim i vogël, sepse këto janë thesare historike që duhet të jenë nën mbikëqyrje të vazhdueshme.
Kush e di se çfarë ka ndodhur me diamantet e tjerë legjendarë të koleksionit napoleonik dhe të mbretërve të Francës, mendoj për Hortensia-n, diamantin rozë të mrekullueshëm, dhe për Sancy-n, një tjetër ndër ‘Diamants de la Couronne’, thesaret më të çmuara të historisë franceze./