Ishte Mars i vitit 1968. Në Tiranë kundërmonte aroma e mimozave. Kishte filluar çdo gjë të lulëzonte e të vishte ngjyrat e pranverës. Po shtohej gjelbërimi, ishin gjallëruar lëvizjet e gjallëria në kryeqytet. Ndërsa pemët e lulet po çelnin e po visheshin me kostumin e stinës dhe njerëzit filluan të liroheshin nga rrobat dimërore dhe kishin filluar të çelnin bukuritë e hirët njerëzore në rrezatimin pranveror. Për kursantët kishte ardhur koha për fluturim. Ishte një urdhër i Ministrisë Mbrojtjes Popullore që na e preu si me thikë ëndrrën e moshës e të jetës në Tiranë. Një grup prej 10 vetash, ish- “skënderbegas”, do të shkonim urgjent në Pashaliman, në Brigadën e Nëndetëseve. Ishte urdhri i Atdheut. Lamë shëtitjet, lamë ëndrrat rinore, lamë Sheshin “Skënderbej”, kinematë, teatrin, ndonjëri la dashurinë që sapo kishte filluar të çelte sythet e saj dhe u pregatitem për në Pashaliman.
Ishim 10 shokë: Sabri Çelmeta, Bashkim Maska, Mëhill Marku, Gëzim Dyrmishi, Pjetër Deda, Rexhep Kapllani, Shefki Barolli, Filip Kllapi, Hysni Demiri dhe Aristidh Mitro. Tek secili u përjetua me shqetësim kjo ikje, në bastionin e luftës të ftohtë, në Pashalimanin heroic, si gjatë historisë, por veçanërisht në ngjarjet heroike të vitit 1960-‘61 me sovjetikët. Kishim dëgjuar për ngjarjet në Bazën e Nëndetëseve të vitit 1961, ndërsa për nëndetëset, dinim vetëm fantazitë e të madhit Zhul Vern.
Nëndetëset për ne ishin mit, ishin mister, por ishin dhe ankth. Ishim të rinj. U mësuam katër vite e gjysëm në Tiranë. Në fytyrat e secilit prej nesh, u end një tis përgjegjësie, ankthi, por dhe krenarie për heroikën e asaj baze dhe të kuadrove e detarëve heroik shqiptarë, siç kishim dëgjuar për ato kur ngjarjet në Pashaliman, ishin lajmi i parë. Dhe pikërisht ky mit e ky mister na bëri të harrojmë çfarë lamë në Tiranë. Ishim shokë të një klase 6 vetë dhe 4 vetë ishin të njëjtit vit, por në një klasë tjetër.