Ndërmarrja Publike Komunale (NPK) “Sharri” Tetovë ka njoftuar se ka reduktuar furnizimin me ujë të pijshëm për shkak të ndotjes në disa burime. Ndërsa për shkak të pamundësisë së trajtimit te stacioni i filtrimit në Lisec, është ndaluar linja e Leshnicës, raporton Portalb.mk.
NPK “Shari” ka theksuar se për shkak të reshjeve të dendura të shiut, në rezervuarët e ujit ka depërtuar ujë i ndotur nga disa burime.
“Si masë parandaluese, furnizimi me ujë të pijshëm po mbahet nën restriksion deri në orën 21:00, kur pritet të arrijnë rezultatet laboratorike mjekësore që do të tregojnë nëse uji është i sigurt për konsum”, thuhet në bnjoftimin e NPK Sharri.
Sipas njoftimit, ekipet e NPK “Sharri” janë në terren që nga orët e para të mëngjesit dhe po bëjnë çdo përpjekje për të tejkaluar situatën.
Në ndërkohë më heret gjatë ditës nga NPK “Sharri” bënë të ditur se pamundësi për trajtim të ujit në filtrat te stacioni i filtrimit- Lisec, për shkak të normës së lartë të turbullirës si pasojë e reshjeve të fundit, është ndaluar furnizimi me ujë të pijshëm nga linja e Leshnicës.
Megjithatë, ndërmarrja paralajmëroi se restriksionet (kufizimet) e ujit do të jenë më të shpeshta derisa të përmirësohet gjendja aktuale.
Nuk është bërë e ditur se sa do të zgjasë kjo gjendje, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje për mirëkuptim dhe përdorim racional të ujit.
Defektet janë bërë përditshmëri dhe tetovarët shpesh vuajnë për ujë.
Përndryshe, Tetova përdor dy rrjete-sisteme të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga i riu, ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit, rezervarët e Malit Sharr apo njohur ndryshe si burimet e vjetra.
Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte.
Premtimet e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit nuk janë realizuar siç ai ka premtuar.
Pavarësisht se ka pasur intervenime, qytetarët në këto katër vite janë përballur me mungesa, restrikcione dhe probleme të ndryshme të furnizimit me ujë. Kasami është arsyetuar se punët që nuk janë bërë brenda dyzet viteve nuk mund të bëhen brenda një viti apo katër viteve.
Para zgjedhjeve lokale 2021 në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të kenë që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.
Në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premtoi rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.
Ndërsa edhe në programin e tij zgjedhor 2025-2029 për menaxhimin me Tetovën, te pjesa e urbanizmit vazhdon të premtojë rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.