Bordi drejtues i NBA ka marrë sot një vendim historik, pasi ka pranuar shitjen e aksioneve kontrolluese të klubit të LA Lakers, një prej skuadrave të basketbollit më ikonike në botë.
Lajmi pritej që në verë por sot bordi ka marrë vendimin përfundimtar, duke zyrtarizuar kalimin nga familja Bus që e kontrollonte që nga viti 1979, në duart e Mark Uollter, shef ekzekutiv i kompanisë “TWG Global”. Një vendim unanim, që ka ardhur pas disa muajsh shqyrtime të dokumentacioneve përkatëse dhe pas vendimit të fundit se Xhini Bus, pjesëtarja e familjes që i dha lavdi LA Lakers, do të vazhdonte të ishte presidente në detyrë për të paktën 5 vitet e ardhshme.
Uollter ka qenë aksioner minorance te ky klub në vitet e fundit, por tashmë ai ka marrë rolin kontrollues të tij duke blerë aksionet e familjes Bus, e cila në periudhën e gjatë në drejtim, siguroi 11 tituj kampion, duke pasur ndër vite disa nga yjet më të shndritshëm si Mexhik Xhonson, Kobi Brajant apo së fundmi edhe LeBron Xhejms.
Shifrat e shitjes janë mbajtur sekret, por sipas mediave amerikane bëhet fjalë për një rekord të paarritshëm për çdo klub në çdo sport tjetër, pasi flitet për rreth 10-12 miliard dollarë.