Arbitri somalez Omar Artan ka bërë bujë para Botërorit, pasi nuk është lejuar të hyjë në Shtetet e Bashkuara, ku do të merrte pjesë për herë të parë në një kampionat botëror si gjyqtar.
Sipas raportimeve, pas rreth 9 orësh marrjesh në pyetje nga autoritetet amerikane, ai është kthyer mbrapsht drejt Stambollit, duke i ndërprerë kështu mundësinë për pjesëmarrje në turne.
Në Somali, më parë ishte organizuar një pritje festive për pjesëmarrjen e tij, ndaj vendimi për refuzimin e hyrjes u prit me zhgënjim të madh nga vetë arbitri, i cili deklaroi se është “dëmtuar nga politikat që Amerika ka ndaj vendit të tij”.
Më pas ai është kthyer në Somali përmes Stambollit dhe është pritur nga qindra mbështetës në aeroportin ndërkombëtar Aden Adde, së bashku me zyrtarë shtetërorë dhe përfaqësues të Federatës së Futbollit.
Ai u shpreh: “Ju premtoj, me vullnetin e Zotit, se do të marr pjesë në edicionin e ardhshëm (të Kupës së Botës)”.
Po ashtu shtoi: “Dua që publiku somalez të gjejë ngushëllim dhe të ruajë qetësinë.” Gjatë pritjes, ai u shoqërua nga policia në terminal, ndërsa ministri somalez i Rinisë dhe Sporteve dhe zyrtarë të federatës ishin të pranishëm. Ai theksoi gjithashtu: “Është detyrë e të gjithëve ne të mbrojmë emrin e Somalisë”, duke shtuar: “Somalia na përket neve, pavarësisht nëse është në një situatë të vështirë apo jo. Ai flamur dhe ajo pasaportë na përkasin neve.”