Një plazh në Sardenjë të Italisë ka shkaktuar debat të madh pasi autoritetet lokale kanë vendosur kufizime të pazakonta për pushuesit në lidhje me përdorimin e çadrave.
Sipas rregullave të reja që po zbatohen në plazhin Punta Molentis në Villasimìus, në juglindje të ishullit, lejohet vendosja e çadrave vetëm për familjet me fëmijë nën 10 vjeç dhe për personat mbi 65 vjeç. Gjithashtu, hyrja në këtë plazh publik kushton 10 euro për person.
Këto masa janë vendosur si pjesë e përpjekjeve për të mbrojtur mjedisin dhe për të ruajtur zonën natyrore të ndjeshme.
Vendimi ka ngjallur reagime të shumta dhe pakënaqësi në opinionin publik në Itali, veçanërisht në rrjetet sociale, ku shumë përdorues e kanë komentuar me ironi situatën, duke vënë në dyshim logjikën e kufizimit për çadrat.
Disa pushues shprehen gjithashtu të shqetësuar për ekspozimin e shtuar në diell, duke theksuar rrezikun e goditjes nga nxehtësia dhe problemet shëndetësore si kanceri i lëkurës.
Nga ana e tyre, autoritetet e Villasimìus sqarojnë se masat synojnë mbrojtjen e Punta Molentis pas një zjarri të madh që përfshiu zonën verën e kaluar, si dhe përballimin e dëmeve të shkaktuara nga kushtet e forta detare. Përveç çadrave, janë ndaluar edhe tendat, gazebo-t dhe çdo strukturë tjetër që krijon hije, ndërsa kufizimet do të mbeten në fuqi deri në fund të tetorit.
Ndërkohë, edhe në zona të tjera turistike në Itali po aplikohen masa të ngjashme për menaxhimin e numrit të vizitorëve, si në Jesolo pranë Venecias, ku është reduktuar ndjeshëm numri i shezlongëve dhe çadrave për të rritur hapësirën mes pushuesve.
Debati për menaxhimin e plazheve publike në Itali po thellohet gjithnjë e më shumë, sidomos në një kohë kur kostot e plazheve private kanë rritur ndjeshëm barrën për turistët.