Çështjet e kulturës së sigurisë, rezistencës demokratike dhe politikave moderne të sigurisë ishin në fokus të Konferencës së Dytë Shkencore “National Security Cultures – A View from the Balkans”, e cila u mbajt dje në Shkup, në organizim të Fondacionit “Friedrich Ebert” – zyra në Shkup. Konferenca hapi debat mbi rolin e faktorëve kulturorë, politikë dhe institucionalë në përballjen me sfidat moderne të sigurisë, veçanërisht në kushte të paqëndrueshmërisë gjeopolitike, kërcënimeve hibride dhe polarizimit në rritje të shoqërisë, transmeton Portalb.mk.
Në panelin e parë me temë “Security Culture as a Framework of National and Supranational Security Policies and Practices”, profesorë dhe ekspertë nga rajoni diskutuan mbi nevojën për një qasje më të gjerë ndaj sigurisë, ku edukimi, mendimi kritik dhe bashkëpunimi rajonal luajnë rol kyç.
Profesori kroat Sinisha Tataloviq theksoi se kultura e sigurisë nuk mund të kuptohet e izoluar nga proceset globale politike dhe shoqërore. Sipas tij, universitetet dhe qendrat kërkimore kanë përgjegjësi të krijojnë mendim kritik dhe kulturë dialogu, sepse pa këto elemente politikat e sigurisë rrezikojnë të mbeten vetëm masa reaktive afatshkurtra.
Nga ana tjetër, profesori Nenad Markoviq paralajmëroi se frika, pasiguria dhe perceptimi i rrezikut po përdoren gjithnjë e më shpesh për mobilizim politik në Ballkan. Ai nënvizoi se narrativat antimigrante, ndjenjat kundër pakicave dhe teoritë e frikës ndikojnë drejtpërdrejt në kulturën e sigurisë dhe në polarizimin shoqëror.
Profesoresha Ana Çupeska theksoi se siguria në epokën digjitale nuk është më vetëm çështje teknike, por një element thelbësor për ruajtjen e demokracisë dhe vetë esencës njerëzore. Sipas saj, nevojitet një platformë gjithëpërfshirëse që do të lidhë dimensionin e sigurisë me atë politik dhe kulturor.
Profesoresha Vanja Rokviq vuri në dukje se shtetet po investojnë gjithnjë e më shumë në armatim dhe kapacitete ushtarake, ndërsa më pak në sigurinë njerëzore, shëndetësinë, arsimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ajo ngriti dilema nëse politikat e sigurisë po udhëhiqen nga nevojat reale apo nga interesat ekonomike të industrisë ushtarake.
Në panelin e dytë, kushtuar “Security Culture and Democratic Resilience”, profesorët dhe studiuesit diskutuan mbi ndikimin e teknologjisë, dezinformatave dhe manipulimit të opinionit publik në dobësimin e demokracive moderne.
Profesori Aleksandar Spasov theksoi se kërcënimet moderne të sigurisë nuk manifestohen më vetëm përmes forcës ushtarake, por edhe përmes manipulimit me informacionin, dezinformatave dhe thellimit të ndasive shoqërore. Ai përmendi si shembuj përpjekjet për destabilizim gjatë procesit të Marrëveshjes së Prespës, debatet rreth integrimeve evropiane dhe ndikimin e agresionit rus ndaj Ukrainës në perceptimin publik ndaj Perëndimit.