Partizani është shpallur ekipi kampion i Shqipërisë në kampionatin e futbollit për vajza të grumoshës deri në 17 vjeç.
Të kuqet zhvilluan një finale të shkëlqyer, duke triumfuar me rezultatin 1-0 kundër Vllaznisë. Takimi i luajtur pasditen e djeshme në “Shtëpinë e Futbollit” pranë FSHF-së ishte tepër interesant, me të dyja ekipet që dhanë gjithçka për të bërë të tyrin trofeun. Kryeqyetetaset u treguan më të sakta, duke kurorëzuar kështu me titull një sezon fantastik.
Vllaznia U-17 e nisi ndeshjen me këtë formacion: Reshiti, Faslija, Mataj, Kronaj, Hoxha, Hardhija, Kolekaj, Lorja, Ileri, Guri dhe Hilaj. Ndërkohë, Partizani U-17 u paraqit në fushë me këtë 11-she titullare: Disha, Jahelezi, Rushaj, Hasanaj, Selmani, Hyseni, Demushi, Klleci, E.Hasanaj, Hystuna dhe Prifti.
Ndeshja ishte e luftuar dhe e balancuar, me të dyja skuadrat që krijuan raste për shënim. Goli vendimtar erdhi në minutën e 49-të, kur Andrea Klleci gjeti rrugën e rrjetës, duke i dhënë avantazhin dhe më pas fitoren skuadrës kryeqytetase. Ky është një sukses historik për Partizanin U17 të vajzave, që për herë të parë në historinë e saj shpallet kampione në këtë grupmoshë.
Në përfundim të takimit u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të trofeut, ku specialisti i Departamentit të Garave në FSHF, Endi Hyka, i dorëzoi kupën ekipit fitues. Më tej e gjithë festa ishte për vajzat e Partizanit, skuadër që drejtohet nga trajnerja Cyme Lulaj.