Kategoria Superiore ka hyrë në aktin final dhe, edhe pse disa verdikte janë dhënë, beteja për mbijetesë mbetet plotësisht e hapur. Flamurtari është zyrtarisht skuadra e parë që ka rënë nga kategoria, ndërsa një tjetër ekip do t’i bashkohet direkt në Kategorinë e Parë.
Po ashtu, vendi i tetë do të shkojë në “play-out”, duke rrezikuar gjithçka në një ndeshje të vetme. Katër skuadra janë të përfshira në këtë luftë: Bylis (41 pikë), Tirana (41 pikë), Vora (39 pikë) dhe Teuta (39 pikë). Me vetëm një javë të mbetur, llogaritë janë të shumta dhe çdo skenar mbetet i mundur. Java e fundit është një “finale e katërfishtë” për mbijetesën.
Dy ndeshje direkte dhe një transfertë e vështirë krijojnë një domino rezultatesh, ku çdo gol mund të ndryshojë fatin e një sezoni të tërë. Në letër, Bylis dhe Tirana janë më të favorizuara, ndërsa Vora dhe Teuta luajnë me presion maksimal. Por futbolli shqiptar ka treguar shpesh se logjika vlen deri në fishkëllimën e fundit. Të dielën në orën 16:00 nuk do të vendoset vetëm një renditje, do të vendoset fati i katër klubeve.
SITUATA AKTUALE
Bylis – 41 pikë
Tirana – 41 pikë
Vora – 39 pikë
Teuta – 39 pikë
Vendi i 9-të, bie direkt; Vendi i 8-të “playout”; Vendet 6-7, shpëtojnë.
Ndeshjet vendimtare: Elbasani – Tirana; Vora – Bylis; Teuta – Egnatia. Këto tre sfida përcaktojnë gjithçka.
BYLISI E KA VETË NË DORË
Bylisi është në një pozitë më komode, por jo i shpëtuar.
Shpëton direkt nëse: Fiton ndaj Vorës dhe shkon në 44 pikë; Barazon dhe shkon në 42 pikë, vështirë të bjerë më poshtë se vendi i 7-të.
Rrezikon nëse: Humb ndaj Vorës dhe mbetet në 41 pikë; Nëse Tirana fiton dhe Teuta fiton, krijohet një ngjeshje ku Bylis mund të bjerë në vendin e 8-të “play out”, madje në skenar ekstrem edhe në vendin e 9-të në varësi të golavarazhit dhe përballjeve direkte.
Përfundimi: Bylisi shpëton me një rezultat pozitiv, por humbja e fut në llogari të rrezikshme.
TIRANA, MES SHPËTIMIT DHE ANKTHIT
Tirana ka të njëjtin numër pikësh me Bylisin, por një transfertë shumë të vështirë ndaj Elbasanit.
Shpëton direkt nëse: Fiton dhe shkon në 44 pikë; Barazon dhe shkon në 42 pikë, shanse shumë të mëdha për shpëtim.
Rrezikon nëse: Humb dhe mbetet në 41 pikë dhe nëse Vora dhe Teuta fitojnë dhe bardheblutë mund të rrëshqasin në vendin e 8-të duke përfunduar në “play out”.
Skenari i keq: Nëse Tirana humbet dhe dy rivalët poshtë saj fitojnë, bardheblutë mund të përfundojnë në ndeshjen e fundit të jetës sezonale.
VORA, NDESHJA E SEZONIT
Vora është në vendin e 8- të dhe përballet direkt me Bylisin.
Shpëton direkt vetëm nëse: Fiton ndaj Bylisit, ku shkon në 42 pikë dhe njëkohësisht Tirana nuk fiton.
Siguron të paktën “play out” nëse: Barazon dhe shkon në 40 pikë. Në këtë rast i duhet që Teuta të mos fitojë.
Bie direkt nëse: Humb ndaj Bylisit dhe Teuta fiton e mbetet në vendin e 9-të. Për Vorën është e thjeshtë: Fitore = shpresë për shpëtim direkt. Çdo rezultat tjetër, varet nga të tjerët.
TEUTA, NË PRITJE TË MREKULLISË
Teuta është në pozitën më të vështirë, edhe pse matematikisht në lojë.
Shpëton direkt vetëm nëse: Fiton ndaj Egnatias dhe shkon në 42 pikë dhe njëkohësisht Vora nuk fiton, plus Tirana humbet. Një skenar shumë i ndërlikuar.
Arrin “play out” nëse: Fiton dhe Vora nuk fitondhe kështi i kalon vorakët në renditje.
Bie direkt nëse: Nuk fiton dhe mbetet në maksimum 40 pikë dhe rrezikon rënien pa kushte nëse Vora merr pike. Teuta është e detyruar të fitojë dhe të shpresojë.
SKENARËT KRYESORË TË PËRMBLEDHUR
Bylis dhe Tirana: Me fitore – shpëtojnë. Me barazim – pothuajse të shpëtuara. Me humbje – futen në rrezik
Vora: Fitore – shpëtim ose minimalisht “play out”. Barazim – varet nga Teuta. Humbje – rrezik i madh për rënie.
Teuta – Duhet patjetër fitore. Çdo rezultat tjetër përkthehet në rënie.