Barazimi i Spanjës me Kepin e Gjelbër ka inspiruar shumë medie të mëdha sportive, të cilat nuk janë kursyer me titujt e zgjedhur për të përshkruar lojën e zhvilluar në Atlanta.
“Marca” në faqen e saj të parë kishte vendosur fjalën “Fishekzjarre” të shoqëruar me komentin: “Debutim zhgënjyes i Spanjën në Botëror përballë Kepit të Gjelbër”.

“Mundo Deportivo” kishte zgjedhur “Alarm i kuq”. “Spanjë pa ide, shuhet përballë një portieri si Vozinha. Një rival i organizuar detyroi De La Fuente-n që të aktivizonte si Yamal-in dhe Nico-n”, shkruhej në faqen e parë të gazetës katalanase.

“Rrëzimi i madh”, ishin fjalët e zgjedhura nga e përditshmja “Sport”. “Spanja zhgënjen, pasi i mungon loja fluide dhe një sulmues”, ishte analiza e gazetës në fjalë.

Për “AS” barazimi në Atalnta ishte një “Zhgënjim historik”.

Sa i përket medieve jashtë Spanjës, “l’Equipe” vlerëson ekipin afrikan: “Kepi i Gjelbër heroik”.

“The Times” zgjedh një titull ndryshe duke vlerësuar portierin e Kepit të Gjelbër. “Jo të gjithë heronjtë mbajnë mantel” duke bërë lojë fjalësh me kuptimin e fjalës Kep (cape), e cila në anglisht do të thotë mantel.

“Kryqtarët e Kepit” ishte titulli i zgjedhur nga “The Daily Telegraph”, i cili krahasoi ndeshjen në Atlanta me kryqtarët e Mesjetës.

Ndërsa portugezja “Record” vlerëson lojtarin e ndeshjes me titullin: “Vozinha hesht Spanjën”.