I krijuar në vitin 1978 mbi lumin Drin, Liqeni Artificial i Fierzës sot përfaqëson shumë më tepër se një vepër gjigante energjetike. Ai është një pasuri e jashtëzakonshme natyrore dhe turistike e veriut të Shqipërisë. Me një sipërfaqe prej rreth 72.5 kilometra katrorë dhe gjatësi boshti afro 70 kilometra, ky pellg ujor shtrihet mes maleve të larta, duke lidhur në mënyrë natyrore katër rrethe: Kukësin, Hasin, Tropojën dhe Pukën.
Peizazhi që krijon ky liqen është unik. Ujërat e qeta dhe të kaltërta ndërthuren me relievin e ashpër malor, duke krijuar një panoramë të rrallë që vitet e fundit po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë. Një nga mënyrat më të bukura për ta eksploruar këtë perlë ujore, e cila lidhet me kaskadën e Drinit dhe Liqenin e Komanit, është lundrimi me anije. Një eksperiencë e veçantë ku udhëtari kalon mes maleve madhështore që duken sikur prekin qiellin dhe ujin.
Udhëtimi ynë nis nga ish-stacioni i dikurshëm i trageteve. Në bordin e anijes turistike, së bashku me disa të rinj, na pret Edmond Bytyçi, kapiteni i licencuar i anijes. Edmondi ka një histori të veçantë. Prej 19 vitesh ai ushtron profesionin e mësuesit të fizikës. Shkencat ekzakte janë puna e tij e përditshme, por pasionin e hershëm për liqenin sot e ka kthyer në një tjetër profesion të rëndësishëm.
“Jam rritur met varka dhe me peshkim në këtë liqen. Para viteve ’90, ky ishte burimi kryesor për të mbajtur familjen. Jeta jonë ka qenë gjithmonë e lidhur me ujin. Ne që merremi me shkenca ekzakte e kemi pasion eksplorimin. Liqeni i Fierzës ka shumë vende të paeksploruara dhe çdo lundrim të jep emocione të reja” tregon Edmond Bytyçi.
Lidhja e tij me këto ujëra buron që nga fëmijëria. Për të drejtuar këtë anije turistike, ai ka ndjekur një kurs profesional, duke qëndruar për një muaj rresht në bord ku mori edhe licencën. Edmondi tregon se drejtimi i një mjeti të tillë është një art më vete, që kërkon përvojë, njohje të shkëlqyer të terrenit ujor dhe mbi të gjitha, përgjegjësi maksimale për jetën e udhëtarëve.
“Ka funksionuar një linjë me varka për transport mallrash dhe pasagjerësh mes Kukësit dhe fshatrave përreth liqenit. Më pas kjo linjë u ndërpre. Ne menduam se ishte koha t’i rikthenim qytetit dhe turistëve mundësinë për ta eksploruar këtë mrekulli natyrore. Siguria është prioritet. Çdo udhëtar pajiset me jelek shpëtimi dhe lundrimi bëhet sipas të gjitha rregullave.” shprehet kapiteni Bytyçi.
Në bordin e anijes ndodhet edhe Arjan Cengu, pronari anijes turistike. Arjani është një njeri i lidhur fort me këtë zonë. Pranë liqenit ai ka ngritur tashmë një biznes të suksesshëm shërbimi në fushën e gastronomisë. Duke parë interesin në rritje të vizitorëve, ai vendosi të hedhë një hap më tej. Kjo anije është punuar në mënyrë artizanale, duke plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, për t’i dhënë Kukësit një atraksion që i ka munguar prej vitesh.
“Unë prej vitesh punoj në fushën e gastronomisë dhe kam hapur një biznes pranë liqenit tashmë. Duke parë edhe interesin e shumtë nga shtetas të huaj dhe shqiptarë të Kosovës që janë shumë të interesuar për këtë pjesë vendosëm që të bëjmë të mundur këtë varkë. Menduam ta sjellim si risi.”
Ky projekt nuk po u shërben vetëm të huajve. Edhe vetë banorët vendas po zbulojnë përmes këtij lundrimi bukuri të jashtëzakonshme të cilat, megjithëse janë rritur aty pranë, nuk i kishin parë kurrë nga kjo perspektivë e hapur e ujit.
“Shpresojmë që në të ardhmen t’i shtohen Kukësit më shumë shërbime të tilla. Ne do të shohim për çfarë janë të interesuar turistët, bëtë do të pasqyrojmë edhe anën e liqenit. Të them të drejtën Kukësi ka shumë për të zbuluar, ne jemi rritur pothuajse të gjithë pranë liqenit, sepse ky është liqeni i Kukësit. Jemi rritur dhe nuk e kemi ditur që ka këto bukuri të jashtëzakonshme. Prandaj vendosëm ta sjellim këtë varkë për një kapacitet prej 20-25 personash. Unë do t’i bëj thirrje kryesisht biznesmenëve, atyre që e duan Kukësin dhe që duan ta shohin ndryshe, të investojnë në Kukës, të hapin vende të reja pune, ta ndihmojmë sado pak me mundësitë që kemi.” shprehet Arjan Cengu.
Lundrimi vazhdon drejt një ishulli të vogël, një habitati të pastër natyror ku mes pemëve të ulëta disa lejlekë kanë ngritur foletë e tyre e kujdesen për vezët. Gjatë lundrimit në ujërat e liqenit takojmë edhe 60-vjeçarin Nik Marku nga fshati Dardhë i Pukës, i cili ka dalë për shëtitje me varkë bashkë me një bashkëfshatar. Për banorët e këtyre zonave, varka mbetet mjeti më praktik dhe jetik i lëvizjes.
“Varkën e përdorim për shëtitje, por edhe për të blerë e shitur ushqime apo bagëti. Kukësi për ne mbetet qendra kryesore tregtare. Kam punuar rreth 15 vite në det dhe më parë kam qenë kapiten në linjën ujore Fierzë–Kukës. Atëherë kishte mbi 25 stacione dhe lëvizja me anije ishte jetike për banorët.” sipas Nik Markut.
Niku ka kaluar një pjesë të madhe të jetës në det dhe si kapiten i linjës së vjetër ujore. Ai e di mirë se Liqeni i Fierzës fsheh një pasuri të jashtëzakonshme biologjike që pret të shfrytëzohet me zgjuarsi përmes akuakulturës dhe turizmit të qëndrueshëm.
“Në këto ujëra ka mbi 30 lloje peshqish të ujërave të ëmbla. Është një pasuri shumë e madhe për këtë zonë dhe për gjithë Shqipërinë e Kosovën, nëse hidhen bazat për zhvillimin e akuakulturës dhe turizmit. Është kënaqësi të shohësh anije profesionale në këto ujëra. Për banorët e 12 fshatrave përgjatë liqenit kjo është një frymëmarrje e re, sepse jeta këtu ka qenë e vështirë dhe shumë njerëz janë larguar.” tregon 60-vjeçari.
Mes ujërave të qeta dhe maleve madhështore të Gjallicës e Pashtrikut, Liqeni i Fierzës po rikthehet gradualisht në një destinacion të rëndësishëm turistik. Një vend ku natyra e virgjër dhe njerëzit bashkohen në një udhëtim që mbetet gjatë në kujtesë. Teksa lundrimi i afrohet fundit, pas më shumë se 5 orësh eksplorim, peizazhi bëhet edhe më imponues. Herë pas here mbi ujë kalojnë shpendë të egër, duke të falur ndjesinë e një bote larg zhurmës së përditshme. Në horizont shfaqen dy urat e Kukësit, si dëshmi e gjallë e zhvillimit të këtij qyteti.
“Të jesh në këtë anije dhe të shikosh këto male kaq afër nga uji është diçka fantastike. Kukësi ka pasur gjithmonë nevojë për një atraksion të tillë ujor që të nxjerrë në pah vlerat e vërteta të natyrës sonë.” shprehet një prej udhëtarëve në anijen turistike.
Në mbrëmje, kur era freskon sipërfaqen e liqenit dhe dielli nis të fshihet pas maleve, Fierza merr pamjen e një kartoline të gjallë. Reflektimi i maleve në ujë dhe lundrimi i qetë krijojnë një atmosferë magjike. Kjo perlë ujore e veriut nuk ofron vetëm bukuri natyrore, por një udhëtim mes jetës, pasurisë së egër dhe shpirtit të njerëzve që vazhdojnë ta quajnë këtë liqen pjesë të pandarë të tyre.