17 qershor 2026 – Aleksandër Mihali është burrë i mbajtur e me kompozurë.
Mosha e pensionit nuk duket ta ketë rënduar edhe aq majorin e dikurshëm.
Zotin Aleksandër e njohin pak vetë në Tiranë.
Përditshmëria e tij prej pensioneri nis kur ecën hapëlehtë për të mbërritur atje në krye të Pedonales, anash Galerisë, ku janë zyrat e një shoqate jo fort të njohur.

Aty ngjatjetohet me kolegët e dikurshëm ushtarakë, të cilët tani janë shokët e pandarë të halleve e lojës në shah.
Pensioni i vogël dhe krenaria e inflamuar se ishin dikushi njëherë-e-një-kohë është allçi lidhës në Shoqatën Kombëtare të Ushtarakëve të Xhenios.
Në Kosovë përgjithësisht nuk kuptohet se çfarë janë ‘xheniot’ ose cili do të ishte barasvlerësi i tyre në ushtri.
Fjala është për repartin e rregullt të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë që merret me ndërtimet ushtarake, shkatërrimin e pengesave, minimet, me fjalë të tjera inxhinieria ushtarake.
E bija që e tejkaloi të atin me të arritura
Zoti Aleksandër dhe e shoqja e tij, Lindita Kaimi, nuk e harrojnë të bijën e tyre që në Kosovë ia luan penjtë partisë në pushtet.
Me 46 vjeç mbi supe, Dejona Mihali vetëstilizohet si ‘Koordinatore e Komiteteve Profesionale’ në Lëvizjen Vetëvendosje.
Kanoni statutor i partisë e njeh atë si hartuese të politikave dhe drejtuese të ‘komiteteve profesionale’.

Por nga përgjimet e komunikimeve të brendshme në Vetëvendosje, të paktën sipas Prokurorisë, zonja koordinatore del se ka derte larg më të mëdha sesa punët e brendshme të partisë.
E bija e Aleksandrit dhe Linditës dikton edhe ‘politikën e madhe’, duke i urdhëruar njerëzit e Vetëvendosjes në KEK se kur duhet të ketë e kur nuk duhet të ketë reduktime të rrymës.
“Sot dhe nesër jetike mos të ketë reduktime fare”, e urdhëronte ajo ish-kryeshefin e KEK-ut që më vonë e zuri belaja me keqpërdorime shumëmilionëshe.
“Të fitoni sa më thellë, e keni hak”
Zoti Aleksandër me të shoqen nuk duan ta mendojnë këtë gjë.
Ata i gërryen malli për të bijën në Prishtinë, por edhe duan t’i japin asaj zemër se Vetëvendosja, megjithatë, do të fitojë thellë.
“Përshëndetje, mo xhan! Ç’kemi, ç’thonë punët andej, ë? Jeni përgatitur ndonjë çikë për 7 qershorin? Se për t’i fituar do t’i fitoni, është e qartë ajo punë, por të fitoni sa më thellë, mo xhan, që të krijoni qeverinë e ta drejtoni Kosovën se e keni me hak”, i thotë zoti Aleksandër pak ditë para zgjedhjeve të fundit në Kosovë.
Këtë bashkëbisedim, që u shikua nga 35 mijë vetë, e kishte shkëputur vetë Dejona mbase në një përpjekje imazhbërje, që të mos duket si eprore e pandjenjë, por një vajzë shpíje me mall të pashuar për prindërit.
Dropullitët ndërtojnë bunkerë
Me prejardhje nga fshati Koshovicë në Dropullin e Sipërm, ku vendësit mbahen si minoritarë, zoti Aleksandër pati karrierë prej ushtaraku në Ushtrinë e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Ai shërbeu në kohën kur Shqipëria mbante mbi vete vargonjtë e sistemit komunist.
Paranoja e militantizmit stalinist e shndërroi në doktrinë kombëtare ‘mbrojtjen’ e vendit duke ndërtuar qindra-mijëra bunkerë e strehimore për krerët e regjimit.

Megjithëse pjesa më e madhe e GDP-së së Shqipërisë së varfër shkonte absurdshëm për naltësimin e psikozës militariste, kjo ushtri nga 1945 deri më 1991 nuk e shkrepi asnjë plumb ndaj armiqve të kombit apo të ideologjisë.
Në të vërtetë, kjo ushtri që investonte marramendshëm për ‘luftë mbrojtëse’ ishte përvoja e vetme e ushtarakëve në detyrë, përfshirë edhe ata të xhenios.
“Forcat e xhenios punuan për ndërtimin e objekteve social-ekonomike”, evokonte këto kohë zoti Aleksandër në një intervistë për gazetën Shekulli në janar të vitit 2016.
Krenar për veprat e xhenios në shërbim të sistemit
Në rininë e vet, ai tok me Xhorxhi Koçin, Qemal Zyfiun, Bashkim Salillarin, Vilson Kullën, Ilirjan Tahmazin e Gëzim Bakiun punuan në tunelet e Porto Palermos.
Me koston e shfrytëzimit të energjive njerëzore, regjimi komunist, sapo mbaroi këtë “vepër të arrirë”, rrahu gjoks se vendi tashmë kishte strehimore të tilla që do t’i bënin ballë edhe një bombe atomike prej 10 kilotonësh.
Babai i Dejonës, që ajo e quan sot ‘nënkolonel’, të vetmet gjëra që mund t’i flasë si profesionist janë jo dhe aq të natyrës ushtarake.

Janë rrëfime që, nëse lexohen pa filtra nostalgjie a inercioni ideologjik, përshfaqin punën skllavërore në ndërtim bunkerësh e veprash të tjera të absurdit komunist.
Në një intervistë të 2024-s, me gazetaren Rudina Xhunga, i ati i Dejonës dhe shoktë e tij flisnin për tunelin e Porto Palermos si për një alamet heroizmi.
Me kaq përmbyllet përvoja ‘ushtarake’ e zotit Aleksandër.
Ku është dallimi mes ‘ushtrisë’ së regjimit komunist dhe UÇK-së
Çuditërisht, e bija e tij në luftë me kritikët e pushtetit të Albin Kurtit nuk i ha me sy veprimtaritë e atyre që përvojën ushtarake e patën nga dhjetra beteja e aksione kundër ushtrisë e policisë serbe.
Të martën, koordinatorja Dejona në një sulm vitrolik kundër partive opozitare e zuri në gojë edhe Sami Lushtakun.
“Ti dhe soji yt…për 1 vit që ke mbajt armën në krah…”, shkroi ajo për ta portretuar ish-komandantin e Zonës Operative të Drenicës si grabitës të pasurisë së popullit.

Por, ka diçka banalisht të ligë në formulimin e koordinatores së hekurt të VV-së.
Lushtaku dhe ‘soji i tij’ nuk ishin të përfshirë në lufte vetëm një vit, por ishin veramente të parët që kryen aksione guerile kundër forcave jugosllave në Kosovë.
Ai, tok me Hashim Thaçin e të tjerë, kishin qenë të parët që e pagëzuan UÇK-në në zjarrin e luftës me aksionin heroik të zhvilluar në shtator të vitit 1992 në Drenas.

“Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë”
Sot ushtarak në pension, zotin Aleksandër e han vetëm një preokupim jetësor.
Si shumë kolegë të sërës së tij që besuan se ushtarakizmi komunist ishte niveli më i epërm atdhetar, ai që nga viti 2015 nuk ka pushuar së kërkuari provizione për kategorinë e tij.
Në emër të Shoqatës së Ushtarakëve Xhenjerë, zoti Aleksandër në qershorin e 2015-s kërkonte që të bojkotoheshin zgjedhjet sepse, sipas tij, as të kuqtë (socialistët) e as blutë (demokratët) nuk u bënë çare ushtarakëve.
Sipas tij, xheniot kishin bërë “sakrifica për të ndërtuar vepra ekonomiko-mbrojtëse si asnjëherë tjetër në historinë mijravjeçare të Shqipërisë”.
Sidoqoftë, do të ishte interesante sikur anëtarët e Shoqatës në fjalë të përballeshin me histori të shkruara nga të huajt për vitet e kaluara nën komunizëm.
Bunkerët e tunelët ‘antibërthamorë’ nuk ishin vepra ekonomiko-mbrojtëse, por investime absurde të menduara parësisht për mbijetesën e krerëve të regjimit komunist dhe familjeve të tyre.
Si kolonel Shaberi i Balzakut, por më ndryshe
Nga viti në vit, zoti Aleksandër u shfaq në publik vetëm kur ishte fjala për trajtimin financiar të “ushtarakëve xhenierë”.
Me anë të një letre të hapur, në dhjetor 2017, ai plaste vrerin e tij ndaj një vendimi të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese kundër trajtimit financiar të ushtarakëve në pension.
Për zotin Aleksandër, ky ishte veçse “vazhdim i hakmarrjes 27-vjeçare politike kundër ushtarakëve”.
Në nëntor të 2017-s, zoti Aleksandër e kuptoi se ai me kolegët e xhenios nuk po arrinin gjë sa i përket statusit të tyre.
Kështu, shoqata repartesh të ndryshme nga Forcat e Armatosura u bashkuan për të themeluar të quajturin ‘Bashkimi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë’.

I lindur, rritur e arsimuar në vitet e komunizmit, zoti Aleksandër, edhe sot në moshën e pensionit, mendon se ajo ishte bota e vërtetë e njerëzillëkut, drejtësisë dhe virtytit.
Kapitalizmi i maskuar si demokraci, sipas ushtarakut në pension, bëri vetëm shkatërrimin ekonomik e ushtarak të Shqipërisë “të vënë me aq mund dhe sakrifica nga populli për 50 vjet”.
Në rrethanat e dekomunistizimit të munguar, zoti Aleksandër ende beson se ushtarët e atyre viteve e mbronin Shqipërinë.
Ndonëse ushtria përdorej kryesisht për nevoja të mbijetesës së regjimit, ai beson se brezi i tij dhe kolegëve qëndruan “netëve të llahtarshme pa gjumë buzë kufirit të Atdheut…apo majë malesh e nën tokë nëpër tunele, në anijet e patrullimit mes detit në të ftohtë e dimër”.

Në mars të 2013-s, zoti Aleksandër i nisi një letër Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Komitetit Evropian të Helsinkit dhe disa institucioneve të tjera.
Në emër të ish-ushtarakëve, ai kërkonte që këtyre kategorive t’iu përmirësoheshin kushtet e jetesës.
Pavarësisht sakrificave dhe besnikërisë ndaj popullit dhe atdheut, shkruante ai, sot 12,000 ushtarakë marrin 114 mijë lekë pension.
Më 2017, zoti Aleksandër dhe shokët e tij nxorën një rezolutë të cilën e nisën në gjithfarë adresash, si ambasadat e huaja në Tiranë, Këshilli Evropian dhe Këshilli i NATO-s.
Në emër të ish-ushtarakëve, rezoluta kërkonte nga Qeveria shqiptare që t’u kthente 9.3 milionë euro nga pensionet e padhëna.
Dejona inatin e madh e ka me ‘ata’ të UÇK-së
Megjithëse babai i saj nuk heq dorë nga kërkesa për pensione për shërbimin e kryer në kohë të komunizmit, Dejona Mihali nuk duket fort e dhembshur kur të njëjtën gjë e kërkojnë veteranët e UÇK-së në Kosovë.
Për këta të fundit, ajo e ka ndarë mendjen: janë armiq të partisë dhe pikë.
Kur në korrik të 2023-s, veteranët e UÇK-së protestuan para Qeverisë së Kosovës, ajo nuk ngurroi t’i përqeshte ata se kishin vënë në krye Elmi Reçicën, Bekim Haxhiun, Hajdar Beqën, Mërgim Lushtakun e Rashit Qalajn.
“Dilni më shpesh. Dilni prapë. Dilni t’ju shohë njerëzia. Çdo të shtunë mundësisht”, kishte thënë asokohe Mihali pa fshehur një grimasë djallëzie.
Gabim është puna e ‘origjinës greke’
Një nga gjërat më të përfolura për koordinatoren e hekurt të VV-së është përfundimisht prejardhja e saj nga ana e babait.
Nga shumica e kritikëve, asaj i është përmendur rregullisht “origjina greke”.
Si vëng shërbeu kur u zbardhën disa evidenca nga Regjistri i Gjendjes Civile në Shqipëri.
Ajo që ngjallte vëmendje ishte se babai i saj, Aleksandër Mihali, ishte deklaruar me kombësi greke.
Aty mësohej gjithashtu se emri i gjyshërve të Dejona Mihalit ishte Leonidha dhe Figalia.
Por, origjina ‘greke’ nuk është ana e dyshimtë e koordinatores së VV-së, siç rëndom përdoret nga kritikët në Kosovë.
Diatriba në fjalë është bërë pjesë e luftës kulturore, shpesh nga aktivistë online me prirje turkofile, tek të cilët kushdo nga jugu i Shqipërisë merret për ‘grek’.
Pakica greqishtfolëse që jeton në viset e Dropullit, në anë të Gjirokastrës, është shqiptare për nga shtetësia.
Ky grup është ‘shqiptarizuar’ ndër dekada gjatë etatizmit fillimisht zogist, e pastaj enverist.
VV-së, për shembull, nuk i është përmendur në të njëjtën mënyrë origjina e ish-ministrit të saj të Pushtetit Lokal (Elbert Krasniqi), apo Sekretarit të Përgjithshëm (Alim Rama).
Kur është puna me lidhje jashtë vendit, partisë së Kurtit i dalin rrema gjithandej.
Më 2016, VV-ja ishte zënë pisk kur papritmas qe zbardhur një dokument gjatë aferës ‘WikiLeaks’.
Aty rezultonte se aktivistja e saj, Esma Bunjaku, mbante letërkëmbime të shpeshta me partinë e Erdoganit, AKP.
Ajo e njoftonte partinë e presidentit turk mbi zhvillimet e brendshme në Kosovë, por edhe i përcillte qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje kundrejt çështjeve të caktuara.
Në prill të 2018-s, ish-presidenti Hashim Thaçi kishte zbardhur hollësira tejet befasuese të lidhjeve që Vetëvendosja mbante me struktura të caktuara të pushtetit në Turqi.
Sipas tij, Kurti dërgonte rregullisht muaj për muaj ekipe të caktuara për trajnime në Stamboll. “Kush janë atë njerëz që i trajnojnë dhe financojnë këta njerëz të VV-së”, kishte pyetur asokohe Thaçi. /Nacionale/