Jasir Asani nuk u ftua te Kombëtarja e Shqipërisë nga trajneri Rolando Maran. Sulmuesi anësor është prej kohësh pa minuta në këmbë, për shkak të luftës që detyroi mbylljen e kampionatit në Iran. Ndeshja e fundit që Asani luante ishte në shkurt.
“Asani nuk është grumbulluar, sepse prej kohësh nuk luan. Të jem i sinqertë, nuk kam folur drejtpërdrejt me të, por kanë folur bashkëpunëtorët e mi dhe më kanë thënë që ka ndaluar së luajturi”, u shpreh Maran në konferencë për shtyp ku komentonte listën për miqësoret me Izraelin dhe Luksemburgun.
Vetëm pak para se lista të zyrtarizohej, Asani postoi në rrjetet sociale. Sulmuesi ishte në dijeni që emri i tij do mungonte në listë. Në rrjetet sociale ndërkohë ishte një foto duke festuar një gol të shënuar te Esteghlal. Rreth 3300 komente janë regjistruar deri tani duke treguar mbështetjen për të nga tifozët iranian.
Ftesa nga trajneri Silvinjo nuk mungoi asnjëherë për Asanin. 31-vjeçari u pa edhe si “heroi” i kualifikimit në Euro 2024.