Sot do të luhen ndeshjet e fundit për këtë sezon në Superiore dhe Faruk Sejdini sheh Egnatian si skuadrën favorite për të fituar titullin. Në një intervistë, “Xhaxhi” shprehet se dëshira e tij është Elbasani, por në analizën që bën, shprehet se Egnatia është shumë pranë.
Sejdini u ndal edhe te Dinamo, duke analizuar problemet që kanë pasur këtë sezon si edhe Europën.
Profesor, janë dy ndeshjet e fundit që përcaktojnë kampionatin. E kishe menduar se do të shkonte kështu, duke ndryshuar edhe axhenda?
Për të thënë të drejtën, e para e punës nuk e kisha menduar që Dinamo do dilte jashtë gare kaq shpejt. Domethënë, që në fillim ky ishte mendimi im. Pastaj që do ndodhte kështu, asnjë s’e kishte parashikuar. Mirë ne që jemi spektatorë, patjetër që e kishin parashikuar edhe ekspertët e federatës (qesh), se këto nuk bëhen me laps e letër dy ditë para se të përfundojë, domethënë para ndeshjes, dy–tre apo katër ditë. Programi jepet që në fillim, po ndodhi kjo, po ndodhi ajo, e kështu me radhë. Kështu që sot janë dëshirat e shqiptarëve dhe duhet t’i nënshtrohemi realitetit.
Duke parë fitoren e Dinamos kundër Vllaznisë dhe atë shkëndijën që mund të kishte bërë diçka më tepër, cilat ndeshje mendon se janë pengu i Dinamos këtë sezon?
Unë do të thosha gjithë kjo fazë, domethënë nga janari e mbrapa, Dinamo ishte mbushur me pengje, me përjashtim të Kupës që mori, që mendoj se ishte tamam ashtu. Por pengjet më të mëdha ishin dy ndeshjet e fundit, sepse fundi mbahet mend më shumë sesa ngjarjet e mëparshme. Kështu që dy ndeshjet e fundit ishin ndeshja me Partizanin, që nuk kishte asnjë interes në kuptimin e mobilizimit… Partizani nuk kishte ndonjë interes, e bënte më shumë për statistikë. Dhe ndeshja me Vorën, ku ishin 2–0 dhe shkoi 2–2. Domethënë, sikur të kishte marrë këto tre pikë, Dinamo do ishte shumë seriozisht në garë për titull. Pastaj, duke mos u futur për titull, u fut në “Final Four” me shumë pak shanse, më shumë si rastësi. Përqindjet që Dinamo të konkurronte ishin shumë të pakta, sepse duhej t’i fitonte të gjitha ndeshjet vetë dhe kishte një probabilitet shumë të vogël. Pastaj ishte edhe shansi. Futbolli është i paparashikueshëm, por kam përshtypjen që më pas u dorëzua, në kuptimin që filloi të bënte lëvizje me katër–pesë lojtarë që nuk po luanin dhe kështu shkoi aty ku mendohej, në vendin e katërt.