Studenti vijon marshimin në kampionatin kombëtar të volejbollit për meshkuj, duke qenë skuadra e vetme e pamposhtur pas tri javëve të para. Ekipi i drejtuar nga Kestrin Batalli regjistroi mbrëmjen e së shtunës fitoren e radhës, duke shënuar një tjetër provë force, teksa mposhti Skënderbeun në Farkë me rezultatin e pastër 3-0.
Kryeqytetasve u mjaftuan 1 orë e 20 minuta lojë për t’i mbyllur llogaritë e ndeshjes. Ndonëse gjithnjë në avantazh për Studentin, në setin e parë diferencat ishin të ngushta, me vendësit që fituan 25-23.
Në të dytin, loja vijoi me rivalitet, ndërsa gradualisht Studenti u shkëput, për ta marrë setin 25-20, duke thelluar në 2-0. Fraksioni i tretë nuk kishte histori, me Studentin superior në çdo aspekt, përkthyer në shifrat 25-17. Pikëshënuesit më të mirë për Studentin në këtë takim ishin Pablo Nunes Soares me 17 dhe Osman Qepa me 12, ndërsa në radhët e korçarëve spikati Isaiah Fedd, autor i 19 pikëve.
Në ndeshjen tjetër që u zhvillua mbrëmjen e së shtunës, takim që kompletoi edhe javën e tretë, Partizani mposhti Elbasanin me rezultatin 3-0. Skuadrës së Ylli Tomorrit i mjaftuan 1 orë e 22 minuta lojë në “Asllan Rusi”, për të siguruar 3 pikët e para në kampionat. Të kuqtë morën setin e parë 25-19, ndërsa në dy setet e radhës e radhës diferencat ishin më të ngushta, me kampionët në fuqi që fituan 25-22 dhe 25-23.