Dje, ndërsa ndiqja njëkohësisht ceremoninë e hapjes së Kampionatit Botëror të Futbollit në televizor dhe protestën në Tiranë në kompjuter, mendja më shkoi te viti 2018, kur isha Drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së.
Ishin ditët e Kampionatit Botëror të Futbollit. Në rrugët e Tiranës nuk kishte protesta. Në kafene, bare dhe ambiente publike, qindra ekrane transmetonin ndeshjet e Botërorit dhe mijëra qytetarë ndiqnin RTSH 1 dhe RTSH Sport, dy kanalet që kishin të drejtat ekskluzive të transmetimit. Ishte një periudhë që na dha kënaqësi profesionale dhe na bëri krenarë për punën e realizuar.
Nuk mund të mos kujtoj punën e jashtëzakonshme të ekipit me të cilin ndërtuam RTSH Sport, kanalin e parë të dedikuar të sportit në historinë e Radio Televizionit Shqiptar. Brenda pak vitesh, ai u shndërrua në një nga kanalet sportive më të pasura me përmbajtje në rrjetin e televizioneve publike evropiane.
Kolegët e mi në Bashkimin Evropian të Transmetuesve (EBU) shprehnin shpesh habinë për numrin dhe cilësinë e të drejtave sportive që RTSH kishte arritur të sigurojë. Nuk mund t’i kujtoj të gjitha, por disa prej tyre ishin:
• Formula 1
• MotoGP
• UEFA Champions League
• UEFA Euro 2020
• UEFA Nations League
• Ndeshjet e Kombëtares Shqiptare dhe të Përfaqësueses së Kosovës
• UEFA European Qualifiers
• FIFA World Cup 2018 dhe 2022
• FIFA Club World Cup
• Carabao Cup
• DFB Pokal
• Copa del Rey
• EuroLeague në basketboll
• NBA
• Roland Garros
• Wimbledon
• Lojërat Olimpike Tokio 2020
• Kampionati Botëror i Atletikës
• Kampionati Botëror i Notit
• Kampionati Botëror i Peshëngritjes
• FIBA World Cup
• FIBA EuroBasket
• Superliga Shqiptare e Futbollit
• Kategoria e Parë e Futbollit
• Kupa e Shqipërisë në Futboll
• Kampionatet Kombëtare të Basketbollit dhe Volejbollit
• Ndeshjet e përfaqësueseve shqiptare në basketboll dhe volejboll
• Kampionati Botëror i Aeronautikës i zhvilluar në Shqipëri
• WWE
Më kujtohet se, kur transmetonim Lojërat Olimpike, arritëm të hapnim katër kanale sportive për të mbuluar të gjithë spektrin e garave olimpike dhe transmetuam 24 orë në ditë në katër kanale, me përkthim dhe moderatorë, duke siguruar pothuajse një mbulim të plotë të Lojërave Olimpike.
Këto të drejta nuk u siguruan rastësisht. Ato ishin rezultat i punës së një ekipi profesionist, negociatave të kujdesshme dhe një administrimi financiar efikas. Në shumë raste, RTSH arriti të sigurojë kontrata me kosto dukshëm më të favorshme se operatorët privatë. Mjafton të përmendet rasti i Formula 1, të drejtat e së cilës u siguruan për rreth 50 mijë dollarë, në një kohë kur operatorë të tjerë, p.sh. Digitalb, kishin paguar shumëfishin e kësaj shume, 200 mijë dollarë.
Qytetarët shqiptarë financojnë RTSH-në përmes taksave dhe tarifave që paguajnë. Për këtë arsye, televizioni publik ka detyrimin t’u ofrojë përmbajtjen që ata dëshirojnë të ndjekin, pa pagesa shtesë dhe në çdo platformë të mundshme.
Fatkeqësisht, në këtë edicion të Kampionatit Botëror të Futbollit, Radio Televizioni Shqiptar nuk disponon të drejtat e transmetimit.
Kjo nuk është përgjegjësi e ekipit që drejton sot RTSH-në. Të drejtat sportive blihen dhe shiten vite përpara zhvillimit të aktiviteteve dhe shumë prej vendimeve janë marrë para se drejtuesit aktualë të merrnin detyrën.
Përgjegjësia për gjendjen ku ndodhet sot RTSH lidhet me ndërprerjen e reformave strukturore, teknologjike dhe programore që u zhvilluan gjatë periudhës 2016–2021. Këto reforma synonin modernizimin e institucionit dhe forcimin e rolit të tij si transmetues publik. Ndërhyrja politike në RTSH duke instaluar një njeri qesharak dhe mediokër, ku e vetmja aftësi ishte për të mbajtur me barcaleta kryeministrin, si dhe duke e lënë për një kohë të gjatë pa drejtues të zgjedhur, për mendimin tim ishte e qëllimshme. Gjatë asaj periudhe u shkatërruan strukturat që merreshin pikërisht me të drejtat sportive dhe u larguan nga institucioni njerëzit që merreshin me këtë punë, me arrogancë dhe në kundërshtim me ligjin, duke shkaktuar edhe kosto të tjera sepse të gjithë kanë fituar gjyqet.
Dëmi që ka shkaktuar drejtuesi qesharak i Këshillit Drejtues, një personazh humoristik që e ktheu korridoret e RTSH-së në një skenë tragjikomike dhe që botonte letra të hapura nëpër portale kundër drejtuesve të RTSH-së, është i pallogaritshëm.
Ndonjëherë them me humor se aq e mirë dhe e shëndoshë ishte puna që bëmë në ato vite, saqë ka gjashtë vjet që po përpiqen ta prishin dhe ende nuk e kanë prishur plotësisht.
Nuk kam asnjë dyshim se suksesi i RTSH Sport dhe paketa e gjerë sportive që kishte siguruar institucioni krijuan shqetësim te grupet e interesit që veprojnë në tregun mediatik dhe sportiv. Mjafton të kujtojmë fjalimin e kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist të kohës, Taulant Balla, në Kuvendin e Shqipërisë, për faktin se kishte siguruar të drejtat e transmetimit të UEFA Champions League, me fjalët: “Çfarë i duhet RTSH Champions League?”
Të drejtat sportive nuk janë falas, ato kushtojnë, blihen me para, por një menaxhim i mirë mund të sigurojë të ardhura që mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të kostove, bile nxjerrin edhe fitime. Edhe kur kjo nuk ndodh plotësisht, misioni i transmetuesit publik mbetet shërbimi ndaj qytetarëve. Ata nuk paguajnë që të shohin qeveritarët, ministra e deputetë 24 orë në 24 në inspektime dhe inaugurime, apo që infrastruktura teknike e RTSH të përdoret si infrastrukturë ndihmëse e zyrës së shtypit të kryeministrit. Ata paguajnë që të shohin filma të bukur dhe të rinj, koncerte dhe teatro, të shohin Kampionatin Botëror në këtë ekran dhe të shohin ndeshjet e kombëtares së futbollit në këtë ekran.
Ndërsa humbja e të drejtave sportive nuk mund t’i atribuohet drejtuesve aktualë, më shqetëson fakti se nuk dëgjoj prej tyre asgjë që të ketë të bëjë me rritjen dhe zgjerimin e RTSH apo me forcimin e infrastrukturës së saj teknike dhe teknologjike. E vetmja gjë që dëgjova në raportin që Këshilli Drejtues paraqiti në Komisionin Parlamentar të Medias, i kamufluar si mendimi i specialistëve “magjistarë” të EBU, është se reformimi i RTSH-së quhet shkurtimi i kanaleve, programeve dhe personelit.
Filozofia që udhëhiqte ekipin tonë ishte e ndryshme. Ne besonim se RTSH duhet të zgjerojë shërbimet, të rrisë numrin dhe cilësinë e programeve dhe të ofrojë më shumë përmbajtje për publikun dhe një paketë të gjerë dhe të plotë kanalesh që ia mundëson teknologjia. Ishim të ndërgjegjshëm që nuk mund të kërkonim që publiku të paguante më tepër për RTSH, në qoftë se ne nuk do t’i jepnim më tepër.