Numri i viktimave nga tërmeti i fortë me magnitudë 7.8 që goditi Filipinet është rritur në të paktën 41 persona, ndërsa mbi 450 të tjerë kanë mbetur të plagosur, sipas të dhënave të autoriteteve provinciale të cituara nga AFP. Ekipet e emergjencës po vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit për personat që dyshohet se ndodhen ende nën rrënojat e një ndërtese të shembur në qytetin General Santos, një nga zonat më të prekura.
Autoritetet lokale bëjnë të ditur se deri tani janë nxjerrë të gjallë dy persona, ndërsa një tjetër është konfirmuar i vdekur, ndërkohë që disa të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Lëkundjet sizmike kanë shkaktuar dëme të mëdha në ishullin Mindanao, duke rrëzuar ndërtesa, dëmtuar infrastrukturën dhe ndërprerë furnizimin me energji elektrike në disa zona.
Banorët dhe familjarët e të zhdukurve po përballen me momente ankthi, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë punën në kushte të vështira për të arritur te të bllokuarit. Autoritetet kanë ngritur gjithashtu struktura emergjente për trajtimin e të plagosurve, shumë prej të cilëve janë transferuar në spitale fushore për shkak të dëmtimeve në sistemin shëndetësor.
Instituti i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë në Filipine ka regjistruar mbi 20 paslëkundje, përfshirë një tërmet me magnitudë 6.7, duke shtuar panikun mes banorëve dhe duke detyruar shumë prej tyre të kalojnë natën jashtë banesave.
Filipinet ndodhen në të ashtuquajturën “Unazë e Zjarrit” të Paqësorit, një nga zonat më aktive sizmike në botë, ku tërmetet janë të shpeshta dhe shpesh shkatërruese. Ky tërmet vjen vetëm pak muaj pas një tjetër ngjarjeje fatale në vend, e cila kishte shkaktuar dhjetëra viktima dhe kishte ngritur sërish shqetësime mbi gatishmërinë ndaj fatkeqësive natyrore në rajon.