Një shpërthim i fuqishëm ka shkaktuar panik të martën në mëngjes në qytetin Balashikha, në periferi të Moskës, ku një automjet u përfshi nga flakët, duke i marrë jetën drejtuesit të tij.
Sipas të dhënave paraprake, në një zonë banimi të përdorur kryesisht nga personel ushtarak dhe familjet e tyre, dyshohet se nën sediljen e shoferit ishte vendosur një pajisje shpërthyese me fuqi rreth 300–400 gramë TNT.
Autoritetet ruse ende nuk kanë bërë publik identitetin e viktimës, por burime pranë hetimeve bëjnë me dije se bëhet fjalë për një burrë 62-vjeçar, i cili ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi.
Zona ku ndodhi ngjarja është një kompleks rezidencial i ndërtuar për ushtarakë në pension, veteranë lufte dhe familje të forcave të armatosura. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur një automjet tip BMW X3 shpërthen dhe përfshihet menjëherë nga flakët.
Komiteti Hetimor i Rusisë ka nisur një procedurë penale dhe po heton rrethanat e plota të ngjarjes.
Ngjarja vjen disa muaj pas një tjetër shpërthimi të ngjashëm në të njëjtin qytet, ku një gjeneral i lartë rus humbi jetën në një sulm me makinë-bombë, i cili u cilësua më pas nga autoritetet si akt terrorist.