Kampionati kombëtar i volejbollit për meshkuj ka mbyllur të shtunën përballjet e javës së dytë për sezonin e rregullt, me dy takime të luajtura në kryeqytet dhe Korçë.
Pasi kishte qëndruar pushim në javën e parë, Tirana bëri debutimin në kampionat, duke regjistruar edhe 3 pikët e para sezonale. Bardheblutë e Arben Sakos mposhtën Erzenin me rezultatin 3-1 në sallën “Farie Hoti”, në një takim që zgjati 1 orë e 50 minuta. Tirana e filloi mirë, teksa mori setin e parë 25-20, ndërsa shijakasit u kundërpërgjigjën, duke fituar të dytin 23-25, për të vendosur ekuilibrat. Më tej takimi nuk kishte shumë histori, pasi Tirana dominoi në çdo aspekt, për t’i fituar dy setet e radhës 25-14 dhe 25-17, duke hipotekuar kështu suksesin final.
Emiljan Xhabrahimi me 19 pikë, Denis Demko me 15, si dhe Kreshnik Malaj dhe Gesti Kapidani, me nga 12 pikë secili, ishin lojtarët që udhëhoqën ofensivën bardheblu. Për Erzenin nuk mjaftoi Asmend Kula, shënuesi më i mirë i takimit me 24 pikë.
Në përballjen tjetër, Skënderbeu nuk fali në shtëpi dhe mori një fitore të pastër kundër Vllaznisë me rezultatin 3-0 (25-22, 25-20, 25-22) në harkun kohor të 81 minutave. Isaiah Fedd, me 19 pikë, bëri diferencën në sulmin korçar, ndërsa për shkodranët shënuesi më i mirë ishte Gilman Talani, autor i 10 pikëve.
Kujtojmë që në ndeshjen hapëse të javës, Studenti fitoi në transfertë kundër Elbasanit me rezultatin 0-3 (1725, 17-25, 13-25). Pas dy javëve të para Studenti dhe Skënderbeu kryesojnë me nga 6 pikë.