Është fundi i epokës së Boiko Borisovit, njeriu që me partinë e tij dominoi skenën politike bullgare për më shumë se një dekadë dhe që ishte kthyer në objektivin kryesor të fushatës së fituesit të madh të këtyre zgjedhjeve, ish-presidentit Rumen Radev.
Me një stil të vendosur si i një gjenerali, i mbështetur në përvojën e tij ushtarake, Radev ka triumfuar: me mbi 45 për qind të votave, ai ka siguruar shumicën e vendeve në Parlament, 129 nga 240, rezultati më i mirë në tridhjetë vitet e fundit. Shtysë për këtë fitore i dha premtimi për stabilitet, për të çrrënjosur korrupsionin e kthyer në sistem dhe për të çmontuar ndikimin e Delyan Peevskit, një nga oligarkët më të fuqishëm dhe më të debatueshëm të përfshirë në politikë në vend, i sanksionuar në vitin 2021 edhe nga Departamenti Amerikan i Thesarit për “trafik ndikimi dhe ryshfete për t’i shpëtuar kontrollit publik dhe për kapjen e institucioneve dhe sektorëve kyç të shoqërisë bullgare”.
Në favor të tij ndikoi edhe një pjesëmarrje më e lartë se zakonisht — 48,5 për qind (pa përfshirë votat nga jashtë vendit) — në një shtet që pothuajse kishte humbur besimin tek fuqia e votës për të dalë nga ngërçi i qeverive jetëshkurtra, me tetë procese zgjedhore në pesë vite. Vetëm dje, Radev kishte përsëritur thirrjen: “Bullgaria ka një mundësi historike për të shkëputur modelin oligarkik. Ftoj të gjithë bullgarët të shkojnë të votojnë”, kishte apeluar lideri i partisë “Bullgaria Progresiste”, të themeluar prej tij vetëm një muaj më parë, kur vendosi të hynte në garë.
Radev fitoi me premtimin për t’u shndërruar në boshtin e ri të politikës bullgare. Dhe rezultatet në këtë vend me më pak se 7 milionë banorë, i vendosur në brigjet e Detit të Zi, tregojnë një kthesë të qartë. Mbrëmë vonë, në përfundim të numërimit, Radev kishte marrë 45 për qind të votave: një rezultat historik në një skenë politike të fragmentuar si ajo bullgare, që nuk ishte parë që nga viti 1997. Gati katër herë më shumë se konservatorët e Gerb-it: lëvizja e Borisovit, kryeministër për 11 vite mes 2009 dhe 2021, e konsideruar si shtylla e pushtetit oligarkik dhe të korruptuar në vend, u ndal në 12,3%, rezultati më i dobët ndonjëherë për partinë, duke u tejkaluar edhe nga koalicioni liberal-demokrat pro BE-së (Pp-Dp), që kishte një rol të madh në protestat e fundvitit, por që më pas humbi “momentumin” e saj. “Të fitosh zgjedhjet është një gjë, të qeverisësh është diçka krejt tjetër”, reagoi Borisov menjëherë në Facebook pas humbjes së rëndë, duke falënderuar “për çdo votë të vetme”.
Kanë kaluar pragun prej 4% për të hyrë në Parlament edhe partia Dps e minoritetit turk, e kontrolluar nga Peevski (6%), si dhe nacionalistët e Vazrajdane, pro Rusisë dhe kundër BE-së, ndërsa ka mbetur jashtë Partia Socialiste (Bsp), e cila u ndal në 3%.
Këto shifra i japin Radevit një mandat të fortë dhe një mundësi historike për të “pastruar” sistemin. “Kjo është një fitore e moralit. Njerëzit refuzuan arrogancën e partive të vjetra dhe nuk iu nënshtruan manipulimeve — u shpreh lideri i ‘Bullgaria Progresiste’ — Kjo është një fitore e shpresës ndaj mosbesimit. Ne votuam në mënyrë aktive, e mundëm apatinë, por mosbesimi ndaj politikës bullgare mbetet ende i lartë; rezultati zgjedhor është vetëm fillimi i një procesi më të thellë”, vërejti ai.
Radev falënderoi në mënyrë të veçantë bullgarët që jetojnë jashtë vendit. I pyetur për politikën e jashtme, në një intervistë për radion kombëtare, ai u përpoq të minimizojë distancën me kancelaritë evropiane, të shqetësuara nga qëndrimi i tij euroskeptik që shikon nga Moska. “Evropa do të ishte shumë më pragmatike — tha ai — nëse Bashkimi Evropian do të rifillonte dialogun me Moskën. Pyetni presidentin Macron, pyetni kryeministrin e Belgjikës, pyetni liderë të tjerë evropianë, përfshirë kancelarin Merz, i cili disa muaj më parë tha se ky dialog duhet të rikthehet, edhe për arkitekturën e re të sigurisë në Evropë”.