Shtatë persona kanë humbur jetën dhe të paktën 11 të tjerë janë plagosur kur një aeroplan mallrash i kompanisë UPS u rrëzua dhe shpërtheu në flakë gjatë ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar i Louisville Muhammad Ali, të martën në mbrëmje.
Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, konfirmoi numrin e viktimave, duke deklaruar se tre prej tyre besohet të jenë anëtarë të ekuipazhit.
“Kushdo që ka parë imazhet dhe videon e di se sa e dhunshme ishte kjo përplasje”, tha ai në një konferencë për shtyp, duke shtuar se numri i të vdekurve mund të rritet ndërsa kërkimet vazhdojnë.
Incidenti ndodhi rreth orës 17:15 me orën lokale kur fluturimi 2976 i UPS, me destinacion Honolulu, Hawaii, rrëshqiti nga pista dhe u përplas me disa ndërtesa aty pranë, duke shkaktuar një shpërthim masiv. Avioni mbante 38,000 gallonë (rreth 144,000 litra) karburant, çka e përshpejtoi përhapjen e flakëve.
Zjarri përfshiu të paktën dy biznese afër aeroportit, përfshirë një kompani riciklimi nafte.
Shefi i zjarrfikësve të Louisville, Brian O’Neill, deklaroi se zjarri është “pothuajse tërësisht nën kontroll”.
Të gjitha fluturimet e nisjes nga aeroporti u anuluan të martën në mbrëmje.