Japonia u ka bërë thirrje qytetarëve të saj që jetojnë ose udhëtojnë në Kinë të tregojnë kujdes të shtuar, në një moment kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar ndjeshëm pas komenteve të kryeministres japoneze Sanae Takaichi në lidhje me mbrojtjen e Tajvanit. Në një deklaratë të postuar në faqen e saj zyrtare, ambasada japoneze në Pekin u kërkoi shtetasve japonezë të jenë veçanërisht të vëmendshëm ndaj mjedisit përreth dhe pranisë së individëve të dyshimtë, të udhëtojnë në grupe sa më shpesh të jetë e mundur dhe të shmangin vendet e mbushura me njerëz që mund të perceptohen si pika tubimi për japonezët. Paralajmërimi u shoqërua me këshilla për respektimin e zakoneve lokale dhe kujdesin në komunikim me vendasit, ndërsa shtetasve japonezë iu kërkua të largohen menjëherë nga çdo zonë ku vërejnë sjellje të dyshimtë.
Zëdhënësi i qeverisë japoneze, Minoru Kihara, deklaroi se këto udhëzime u publikuan pas një vlerësimi gjithëpërfshirës të situatës politike dhe të sigurisë në rajon. Tensionet u ndezën më 7 nëntor, kur Takaichi sugjeroi se një sulm kinez ndaj Tajvanit mund të justifikonte dërgimin e trupave japoneze sipas parimit të “vetëmbrojtjes kolektive”, të përfshirë në ligjin japonez të vitit 2015. Kina, e cila e konsideron Tajvanin një provincë të sajën dhe nuk ka hezituar të përmendë mundësinë e përdorimit të forcës për ta ribashkuar, e cilësoi deklaratën e Takaichi-t si “haptas provokuese”. Ambasada kineze në Tokio akuzoi kryeministren japoneze se po dëmtonte rëndë klimën e shkëmbimeve ndërmjet popujve të dy vendeve.
Tensionet u ashpërsuan më tej kur konsulli i përgjithshëm kinez në Osaka publikoi në X një koment kërcënues, duke deklaruar se “fyti i ndyrë i përfshirë në çështjet e jashtme duhet të pritet pa asnjë hezitim”, një postim që u fshi më vonë. Tokio dhe Pekini thirrën ambasadorët e tyre për konsultime, ndërsa të dy qeveritë u përpoqën të zbusin situatën. Në këtë kuadër, Masaaki Kanai, zyrtar i lartë i ministrisë së jashtme japoneze për rajonin Azi-Paqësor, mbërriti në Pekin për bisedime dhe u takua me homologun e tij Liu Jinsong, sipas agjencisë së lajmeve Jiji.
Përplasja diplomatike po ndikon gjithashtu në ekonomi. Pekini u bëri thirrje qytetarëve të vet të shmangin udhëtimet drejt Japonisë, duke shkaktuar rënie të ndjeshme të aksioneve japoneze të sektorit të turizmit dhe shitjeve me pakicë. Ndër dy ekonomitë më të mëdha të Azisë ekziston një ndërvarësi e fortë, pasi Kina është burimi kryesor i turistëve të huaj në Japoni. Vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2025, Japonia priti 7.5 milionë turistë kinezë, një rritje prej 42 për qind nga një vit më parë, ndërsa turistët kinezë shpenzuan mbi 3.28 miliardë euro gjatë tremujorit të tretë. Reagimi i autoriteteve kineze çoi gjithashtu në rimbursim të plotë të biletave drejt Japonisë nga linjat kryesore ajrore, ndërsa Pekini njoftoi shtyrjen e dy filmave japonezë që priteshin të shfaqeshin në kinematë kineze.
Përpara se të merrte detyrën më 21 tetor, Takaichi njihej për qendrimet e saj ultra-konservatore dhe qëndrimin e ashpër ndaj Pekinit. Ajo vizitonte rregullisht memorialin Yasukuni, i cili nderon të rënët japonezë të Luftës së Dytë Botërore, përfshirë 14 kriminelë lufte të dënuar, një praktikë që vazhdon të shkaktojë reagime të forta nga Kina dhe vendet fqinje. Tensionet aktuale japin shenja se marrëdhëniet mes dy fuqive aziatike po hyjnë në një fazë të re pasigurie, ndërsa të dyja palët kërkojnë të balancojnë interesat e sigurisë me realitetet ekonomike të ndërvarësisë së ndërsjellë.