“DIELLI NË MËRGIM”, ROMANI HISTORIK I WILMS PËR HEBRENJTË

 
Titulli: Dielli në mërgim
Autore: Ani Wilms
Kategoria: Histori, Roman
Botues: Dudaj
Çmimi: 1500 lekë

“Asnjë viktimë e vetme ndër hebrenjtë në Shqipëri! Do të besoja në engjëjt mbrojtës, sikur të mos e dija se ishin gra e burra nëpër qytete e fshatra, që i mbrojtën hebrenjtë ditë pas dite, muaj pas muaji, duke vënë në rrezik jetën e tyre, familjet e pasurinë e tyre”.

 

Ani Wilms është një shkrimtare e specializuar në romanin historik. Te “Dielli në mërgim” ajo ka pasqyruar një periudhë kyçe të historisë së Shqipërisë: Luftën e Dytë Botërore dhe vitet menjëherë pas saj, nisur nga perspektiva e një djaloshi hebre, Josef Jakoelit. Bazuar në ngjarje të vërteta, romani ofron një dëshmi të pasur të jetës së hebrenjve dhe një portret shumëdimensional të Shqipërisë në ato vite vendimtare; njëkohësisht hedh dritë mbi një fenomen historik unik – mbijetesën e hebrenjve në Shqipëri gjatë luftës.

“Kur hebrenjtë arritën në Shqipëri nga malet e nga përrenjtë, ishin të dërrmuar e të tmerruar, – vazhdoi doktori. – E vetmja gjë që ua kishte mbajtur shpirtin gjallë ishte një gojëdhënë, sipas së cilës, kushdo që kapërcen kufirin dhe ia del të hyjë në Shqipëri, është i shpëtuar. Për çudinë e tyre gojëdhëna doli e vërtetë”.

Ani Wilms lindi në vitin 1971 në Tiranë dhe u rrit në qytetin bregdetar të Durrësit, studioi Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës dhe pas vitit 1994 në Universitetin e Lirë të Berlinit.

Ka botuar romanet “Pritje të bukura”, me temë epokën e tranzicionit në Shqipëri, dhe “Vrasje në rrugën e veriut”, mbi vrasjen e dy amerikanëve në Mamurras në 1924. Bazuar në hulumtime intensive historike dhe përkthyer në gjermanisht nga vetë autorja, romani “Vrasje në rrugën e veriut” u botua në vitin 2012 në Berlin. Në vitin 2013 u nderua me Çmimin “Adelbert-von-Chamisso” dhe “Stuttgarter Krimipreis”.


FRANO KULLI, BOTUES

“KLASIKU V”, ROMANI I NDUE DEDAJT PËR REGJIMIN ANTIHUMAN

Titulli: Klasiku V
Autori: Ndue Dedaj
Kategoria: Roman
Botues: Botimet Fishta
Çmimi: 1000 lekë

“Klasiku V” është romani me autor Ndue Dedaj, që mëton të krijojë gjendje, atmosferë dhe simbolikë, duke projektuar “botën e re”, në rënien e saj të humnershme.

Një narrativë origjinale, e ndërtuar mbi ironinë, shpalimin e karaktereve, si asnjëri-tjetri dhe përfytyrimin e një “shtetrrethimi” të gjithkohshëm, që mbijetonte në sajë të të ashtuquajturit krim i ndërgjegjes.

Askush në këtë prozë nuk është i sigurtë se deri kur mund të zgjasë liria e tij, ngaqë përndiqet ditë-natë. Vetëm një individ është i lirë nga gjithçka, përpos nga vetja dhe ky është Klasiku V, që jeton mes delirit të madhështisë dhe ankthit të pushtet’humbjes, ku personazhi këtu, më shumë se individi, është pushteti i pakufizuar i tij.

Kryeqyteti është pikënisja dhe pikëmbërritja, kurse ngjarjet zhvillohen kryesisht në qytetin e largët Pirust dhe krahinën e Dyfandorës ndër male, në një kamp të dënuarish politikë, ngritur mbi karma.

Shtjellimi i linjave romanore, përmes episodesh kreativë krijon një mozaik strukturor: Titulli intrigues i veprës buron prej një “shakaje” të hidhur të tre djemve tiranas, aty nga fundi i viteve ’60-të, në kafe “Flora”, çka sjell ndëshkimin e tyre politik, ku romani ndjek fatin e njërit prej tyre, Arsen Petrelës dhe gruas së tij, Justina Mazreku, një robinë e kohës, që pëson traumë. Përmes fatit tronditës të kësaj familjeje dhe personazheve të tjerë atipikë, lexuesi zbulon dramën historiko-klasore të një shoqërie të tërë, ku gjithçka është në zgrip të ekzistencës dhe të gjithë i përbashkon deheroikja e një regjimi antihuman.


VALBONA BANKA, AUTORE

“LUSTËR PËR NJË PËRRALLË”, NJË RRËFIM PËR ËNDRRËN E DIJEN

Titulli: Lustër për një përrallë
Autori: Valbona Banka
Kategoria: Libër për fëmijë
Botues: Dita Books
Çmimi: 600 lekë

“Lustra-lustra” ka qenë një thirrje e vjetër, kur ende ekzistonte zanati i lustraxhiut, njeriut të shkathët që lustronte e bënte xixë këpucët e kalimtarëve në shkëmbim të pak lekëve. Eduardi, që mban emrin e një mbreti ka një familje të varfër dhe nuk ble dot as një libër me përralla.

Dhe rrëfenja sillet pikërisht rreth një djaloshi të vogël që, një ditë, vendosi të lustronte këpucë në këmbim… të një përralle.


MELODIA E VARGUT

Sonila Strakosha

Rubrika “Melodia e Vargut” përcjell vargjet e të madhit Xhevahir Spahiu.

Brirët e demit

Dikujt tani mund t’i kujtohet e dashura

dikujt nëna.

Mua një dem i zi më kujtohet

Me brirët si dy gjysmëhena.

Demi nën qiell një ndërkryerje e bukur,

brirët mbi kokë si mbi shkëmb ishin ngulur.

E doja shumë;

Sidomos shumë ia doja brirët,

Krenaria e qeve, mendoja unë.

Por një mbrëmje të hidhur, të zymtë,

një dorë e çartisur u ndeh;

Mori sharrën dhe brirët e demit

i hodhi si drurë përdhe.

I mora te dy gjysmëhënat,

lotët natën m’i ndritën mbi buzë.

Prej brirëve ku flinin vikamat,

si qepallë dridhej qielli pa fund.

Dikujt tani mund ti kujtohet e dashura,

dikujt nëna.

Një dem në kujtese vërtitet,

në duar dy gjysmëhënat.

Fjala

I thanë fjalës: tani je e lirë.

Po fjala s’kish fuqi t’u thosh: nuk më duhet.

E ç’më duhet

kur s’u thashë atëherë kur duhej?

Kam mbetur pa krahë,

kam mbetur pa qiell,

jam jetë pa ëndërr,

jam ëndërr pa jetë.

I thanë fjalës: je e lirë.

Vështirë, tha fjala, sa vështirë

të besosh se je e lirë;

pasi ke ngrënë rrokjet e tua,

pasi ke mbetur cung

dhe liria bëhet burg.

I thanë fjalës: liria jeton.

Fjala ua ktheu:

S’jam si Konstandini që pas vdekjes udhëton.

I thanë fjalës: ti je liria.

Për ta kuptuar këtë të duhet fare pak.

Ajo e besoi,

ajo hapi gojën,

po në vend të tingujve

prej saj

doli gjak.