Shtetet e Bashkuara kanë nisur një sulm të madh në disa vende në Venezuelë, përfshirë bazat ushtarake në vend. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ushtria amerikane ka “kapur Presidentin Venezuelian Maduro dhe gruan e tij, Cilia Flores, dhe i ka nxjerrë jashtë vendit “, në një aksion të kryer “në koordinim me administratën e drejtësisë amerikane”.
Një konferencë për shtyp për të shpjeguar detajet e aksionit është planifikuar për në orën 5 pasdite në rezidencën e Trump në Mar-a-Lago, Florida. Maduro u akuzua nga Shtetet e Bashkuara se po drejtonte një “narko-shtet” dhe se kishte manipuluar zgjedhjet që e sollën në pushtet. Udhëheqësi venezuelian, i cili mori pushtetin pas Hugo Chavez, u përgjigj duke akuzuar SHBA-në se po përpiqej të sekuestronte rezervat e naftës së Venezuelës, më të mëdhatë në botë.
Prokurorja e përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, ka bërë të ditur se presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është paditur penalisht në Distriktin Jugor të Nju Jorkut nën akuza të rënda që lidhen me trafik droge dhe armësh.
Trump , i cili urdhëroi sulmin, kishte ngritur në javët e fundit mundësinë e sulmeve tokësore kundër Venezuelës në emër të një “lufte kundër karteleve të drogës” dhe kishte deklaruar se ditët e Presidentit Venezuelan Nicolás Maduro ishin “të numëruara” .
Shënjestra: Parlamenti dhe mauzoleu i Çavezit
Sulmi, të cilin Trump e përshkroi si “në shkallë të gjerë”, shkaktoi shpërthime të fuqishme duke filluar në orën 2 të mëngjesit sipas orës lokale në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, dhe vende të tjera në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira, ku qeveria konfirmoi se ishin goditur disa baza ushtarake.
Menjëherë pas sulmit, Presidenti kolumbian Gustavo Petro ndau një listë të vendeve të goditura, duke përfshirë ndërtesën e Parlamentit në Karakas dhe Cuartel de la Montaña, shtëpia e mauzoleut shumë simbolik të Hugo Chávez.
Sipas Petros, Fuerte Tiuna, kompleksi kryesor ushtarak i vendit, dhe baza ajrore La Carlota në qendër të kryeqytetit, u goditën gjithashtu në Karakas. Përpara njoftimit të Trump për kapjen e Maduros, Petro kishte njoftuar gjithashtu nisjen e një plani mbrojtës ushtarak për pallatin presidencial Miraflores. Jashtë kryeqytetit, objektiva të tjera të përmendura përfshijnë bazën e avionëve luftarakë F-16 në Barquisimeto, bazën ushtarake të helikopterëve Higuerote, aeroportin El Hatillo dhe aeroportin privat të Charallave, në jug të Karakasit.
Kapja e Maduros dhe gruas së tij iu besua – sipas asaj që raporton CBS – Forcës Delta.
“Ne do të mbrohemi”: thirrja për luftë guerile
Qeveria venezueliane, përpara njoftimit të arrestimit të Maduros dhe menjëherë pas sulmit, foli për një “sulm shumë serioz” dhe u bëri thirrje të gjitha forcave politike dhe shoqërore të aktivizojnë planet e mobilizimit. “Ne do të mbrohemi”, deklaroi qeveria në Karakas. “Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë në gjendje të fusin në dorë burimet e vendit tonë”.
E njëjta deklaratë qeveritare raportoi se Maduro kishte “nënshkruar dhe urdhëruar zbatimin e dekretit që shpallte një gjendje trazirash të jashtme”, domethënë një emergjencë kombëtare, me qëllim “mbrojtjen e të drejtave të popullsisë, funksionimin e plotë të institucioneve republikane dhe kalimin e menjëhershëm në luftën e armatosur”.
Po kështu, ai urdhëroi vendosjen e menjëhershme të Komandës për Mbrojtjen Integrale të Kombit dhe degëve të saj në të gjitha shtetet dhe komunat e vendit. CODIN është një organ që koordinon mbrojtjen, forcat publike dhe njerëzit e thjeshtë, dhe është i aftë të organizojë veprime guerile, si dhe ushtarake, nëse është e nevojshme.
Deklarata e qeverisë përmend “Nenin 51 të Kartës së OKB-së”: Venezuela “rezervon të drejtën e vetëmbrojtjes për të mbrojtur popullin e saj, territorin dhe pavarësinë e saj […] dhe u bën thirrje qeverive të Amerikës Latine, Karaibeve dhe botës të mobilizohen në solidaritet”.
Menjëherë pas kësaj, presidenti i Kolumbisë fqinje, Gustavo Petro, bëri thirrje për takime urgjente të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës së Shteteve Amerikane (OAS).
“Ata po bombardojnë Karakasin tani. Njoftoni të gjithë botën: ata kanë sulmuar Venezuelën. Po bombardojnë me raketa. OAS dhe OKB duhet të takohen menjëherë”, shkroi Petro në X.
Kolumbia është anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Petro shprehu shpresën se ai mund të “vendosë ligjshmërinë ndërkombëtare të agresionit kundër Venezuelës. Posta e Komandës së Bashkuar është aktivizuar në Cucuta dhe plani operativ është duke u zbatuar në kufi”.
Dëshmitë
Disa dëshmitarë të cituar nga agjencitë ndërkombëtare folën për avionë ushtarakë që u panë duke fluturuar në lartësi të ulët.
“Po ndjek situatën me përfaqësinë tonë diplomatike në Karakas, me vëmendje të veçantë ndaj komunitetit italian”, komentoi Ministri i Jashtëm Antonio Tajani , duke specifikuar se Kryeministrja Giorgia Meloni është vazhdimisht e informuar.
Banorët e disa lagjeve dolën në rrugë; disa shpërthime ishin të dukshme në distancë nga pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Sipas CNN, disa lagje në kryeqytet mbetën pa energji elektrike.Përshkallëzimi i tensioneve midis Trump dhe Venezuelës
Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe qeverive të Venezuelës kanë qenë të larta për javë të tëra, dhe ditët e fundit ushtria amerikane ka shënjestruar anije që dyshohet se përdoren nga trafikantët e drogës. Presidenti Trump njoftoi të hënën se SHBA-të kishin shkatërruar një vend zbarkimi të përdorur nga anijet e dyshuara për pjesëmarrje në trafikun e drogës në Venezuelë – sulmi i parë tokësor i SHBA-së në tokën e Venezuelës.
Sipas zyrtarëve ushtarakë amerikanë të cituar nga CBS, Trump i kishte dhënë dritën jeshile planit për sulmin e sotëm ditë më parë. Mundësia e kryerjes së misionit ditën e Krishtlindjeve ishte marrë në konsideratë, por sulmet ajrore amerikane në Nigeri kundër objektivave të Shtetit Islamik kishin përparësi, thanë burimet.
Të premten, Venezuela tha se ishte e hapur për të negociuar një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për të luftuar trafikun e drogës.
Megjithatë, Maduro tha në një intervistë të pararegjistruar të transmetuar të enjten se Shtetet e Bashkuara synojnë të detyrojnë një ndryshim qeverie në Venezuelë dhe të fitojnë akses në rezervat e saj të mëdha të naftës përmes një fushate presioni disamujore, e cila filloi me një vendosje masive ushtarake në Detin e Karaibeve gushtin e kaluar.

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen dhe liderja e opozitës në Venezuelë, Marina Corina Machado, njofton: “Do të sjell rend dhe demokraci, do të liroj të burgosurit politikë. Ky – shtoi ajo – është momenti për qytetarët. Ata prej nesh që rrezikuan gjithçka për demokracinë më 28 korrik. Ata prej nesh që e zgjedhën Edmundo Gonzalez Urrutia si president të ligjshëm të Venezuelës, i cili duhet të marrë menjëherë detyrën e tij kushtetuese dhe të njihet nga të gjithë oficerët dhe ushtarët e tij si Komandant Suprem i Forcave të Armatosura Kombëtare.”
Një burim i CIA-s brenda qeverisë venezueliane bëri të mundur lokalizimin e Madurós

Me kalimin e orëve, po dalin detaje të reja mbi operacionin e bujshëm që çoi në kapjen e Nicolás Madurós nga forcat e armatosura amerikane.
Sipas asaj që raportojnë New York Times, CNN dhe Reuters, një burim i CIA-s brenda qeverisë venezuelane ka monitoruar Nicolás Maduron në ditët dhe momentet para kapjes së tij, duke bërë të mundur lokalizimin e saktë të presidentit venezuelan.
Sipas burimeve, agjencia e inteligjencës ka prodhuar informacionet vendimtare që çuan në kapjen e Madurós, duke ndjekur lëvizjet dhe pozicionin e tij përmes një flote dronësh “stealth”, të cilët garantonin një monitorim pothuajse të vazhdueshëm në territorin venezuelan, përveç të dhënave të siguruara nga burime lokale.
Trump thuhet se e ka autorizuar CIA-n të ndjekë një qasje më agresive që në vjeshtën e kaluar dhe, në nëntor, ka miratuar planifikimin dhe përgatitjen e një sërë operacionesh në Venezuelë.
Gjithnjë sipas New York Times, në fund të dhjetorit CIA ka përdorur një dron të armatosur për të goditur një mol, i cili sipas zyrtarëve amerikanë përdorej nga trafikantë venezuelianë për ngarkimin e drogës në mjete lundruese. Një nga burimet e informuara mbi kapjen e Madurós e ka përshkruar operacionin si rezultat të një bashkëpunimi të ngushtë mes agjencisë dhe forcave të armatosura, fryt i «muajve planifikimi të përpiktë».
Nuk është e qartë se si CIA ka rekrutuar burimin venezuelan që sinjalizoi pozicionin e Madurós, por ish-zyrtarë të cituar nga gazeta theksojnë se agjencia mund të jetë lehtësuar nga shpërblimi prej 50 milionë dollarësh i ofruar nga qeveria amerikane për informacione të dobishme për kapjen e liderit venezuelan.
Gjatë seancës së konfirmimit vitin e kaluar, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, kishte premtuar një agjenci më agresive, të gatshme të kryejë operacione të fshehta si për mbledhjen e informacionit, ashtu edhe për të avancuar politikën e Shteteve të Bashkuara.

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë deklarata të forta lidhur me operacionin e SHBA-ve në Venezuelë, ku u kap presidenti venezuelian Nicolás Maduro. Në një intervistë për Fox News, Trump zbuloi detaje të reja mbi aksionin, duke theksuar se operacioni ishte planifikuar disa ditë më herët.
“Ne donim ta kapnim Maduron katër ditë më parë, por moti ishte i keq”, u shpreh Trump, duke shtuar se rezidenca ku ndodhej presidenti venezuelian ishte një “fortesë”.
Trump deklaroi se e ka ndjekur operacionin minutë pas minute nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, në Florida.
“Isha në gjendje ta ndiqja operacionin në kohë reale, pashë çdo aspekt dhe dëgjova komunikimet mes Floridës dhe forcave në terren në Venezuelë”, tha ai.
Presidenti amerikan vlerësoi lart profesionalizmin e ushtrisë: “Ishte e pabesueshme të shihje cilësinë e lidershipit, ekspertizën dhe nivelin e pajisjeve. Gjithçka funksionoi në mënyrë të përkryer”.
Sipas Trump, gjatë operacionit janë shënuar disa të plagosur, por nuk ka pasur viktima mes forcave ushtarake amerikane.
“Forcat tona raportuan të plagosur, por asnjë ushtar amerikan nuk ka humbur jetën”, theksoi ai.
Presidenti amerikan deklaroi se Nicolás Maduro kishte kërkuar negociata.
“Maduro donte të negocionte, por unë nuk e pranova”, tha Trump, duke shtuar se kapja e tij është një mesazh i qartë: “Kjo tregon se nuk do të lejojmë të na frikësojnë”.
Trump bëri të ditur se presidenti venezuelian aktualisht mbahet i ndaluar në bordin e anijes “Hiroshima”. “Ai do të transferohet së bashku me gruan e tij në Nju Jork, ku do të përballet me drejtësinë amerikane”, deklaroi presidenti i SHBA-ve.
Në deklaratat e tij, Trump akuzoi drejtpërdrejt Maduron si përgjegjës për krizën e drogës në SHBA.
“Maduro është përgjegjës për vdekjen e 300 mijë amerikanëve në vit për shkak të drogës”, u shpreh ai.
Trump deklaroi se SHBA-të do të shqyrtojnë mundësinë që Maria Corina Machado të marrë drejtimin e Venezuelës.
“Do të vlerësojmë nëse Machado mund ta udhëheqë vendin”, tha ai.
Një tjetër deklaratë që pritet të shkaktojë reagime ishte ajo mbi naftën: “Shtetet e Bashkuara do të jenë fort të përfshira në industrinë e naftës së Venezuelës”, u shpreh Trump, duke kujtuar se vendi ka rezervat më të mëdha të naftës në botë.

Lajmi është bërë i ditur nga Fox News. Më herët, Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, tha se se Maduro dhe bashkëshortja e tij janë tashmë të paditur në Distriktin Jugor të Nju Jorkut.
Ajo u zotua të shtunën se Maduro dhe e shoqja do të përballeshin me të gjithë ‘furinë e drejtësisë amerikane, në tokën amerikane dhe në gjykatat amerikane.’
“Në emër të Departamentit të Drejtësisë, dua të falenderoj Presidentin Trump për kurajon që tregoi duke kërkuar llogaridhënie në emër të popullit amerikan, dhe një falenderim të fortë për të gjithë ushtarakët që përfunduan këtë mision të jashtëzakonshëm e të suksesshëm për kapjen e këtyre narko trafikantëve të dyshuar ndërkombëtarë” tha ajo në X.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump i ka komunikuar Kongresit detajet e operacionit për kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro duke nënvizuar se gjithçka është kryer në përputhje me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.
Sipas CNN, Shtëpia e Bardhë ka informuar Kongresin se operacioni ushtarak për kapjen e Nicolás Maduro është bazuar në autoritetin e presidentit Donald Trump sipas Nenit II të Kushtetutës amerikane, i cili e përcakton presidentin si komandant të përgjithshëm të forcave të armatosura.
Edhe senatori republikan i Utah, Mike Lee, tha më herët se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka informuar se veprimi kishte për qëllim mbrojtjen e personelit amerikan të angazhuar në arrestimin e Maduros dhe se konsiderohet i ligjshëm sipas Nenit II.
CNN thekson se në raste të mëparshme të operacioneve ushtarake, administratat amerikane kanë njoftuar drejtuesit e Kongresit përpara ndërhyrjeve, por administrata Trump, sipas rrjetit amerikan, shpesh ka vepruar ndryshe.

Ministri i Brendshëm i Venezuelës, Diosdado Cabello,është shfaqur në rrugët e Karakasit i pajisur me jelek antiplumb dhe helmetë,si të ishte gati për luftë
Në pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror, Diosdado Cabello, një nga figurat kryesore të qeverisë së Nicolas Maduro, shfaqet nën shoqërinë e oficerëve të sigurisë duke kritikuar kapjen e Maduros nga SHBA-të.
Cabello e cilësoi operacionin amerikan për kapjen e Nicolas Maduros si “frikacak” dhe shprehu shpresën që, sipas tij, komuniteti ndërkombëtar ta dënojë ndërhyrjen. “Ne jemi gati për çdo situatë! Në fund të këtyre sulmeve, ne do të fitojmë”, deklaroi ai, duke shtuar se venezuelasit arrijnë të mbijetojnë gjithmonë.

Prokurorja e përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, ka bërë të ditur se presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është paditur penalisht në Distriktin Jugor të Nju Jorkut nën akuza të rënda që lidhen me trafik droge dhe armësh.
Sipas Bondit, Maduro akuzohet për “komplot për narko-terrorizëm, komplot për importimin e kokainës në Shtetet e Bashkuara, si dhe posedim të mitralozëve dhe mjeteve shpërthyese”. Ajo shtoi se këto veprime janë konsideruar si të drejtuara kundër SHBA-së.
Prokurorja amerikane bëri gjithashtu referencë edhe ndaj bashkëshortes së presidentit venezuelian, Cilia Flores, duke deklaruar se të dy, sipas saj, do të përballen me drejtësinë amerikane në territorin e SHBA-ve.
Bondi falënderoi forcat e armatosura amerikane për operacionin që, sipas saj, çoi në kapjen e dy personave të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, duke e cilësuar misionin si të suksesshëm.

Në Venezuelë, në mungesë të presidentit, pushteti kalon tek zëvendëspresidenti i tij, sipas asaj që përcakton Kushtetuta.
«Nëse mungesa e Presidentit të Republikës ndodh gjatë katër viteve të para të legjislaturës kushtetuese, zgjedhje të reja të përgjithshme duhet të shpallen brenda tridhjetë ditëve të ardhshme. Deri në zgjedhjen dhe betimin e një presidenti të ri, zëvendëspresidenti ekzekutiv do të ushtrojë detyrën e tij», shkruhet në dokumentin e cituar nga agjencia e lajmeve ruse Ria Novosti.
Pra, pushteti tani ndodhet në duart e zëvendëspresidentes së Venezuelës, Delcy Rodriguez.
Sky News: Nxjerrja e Maduros nga Venezuela duket se është negociuar

Nicolas Maduro
Kapja e presidentit venezuelian Nicolás Maduro nga Delta Force amerikane duket si një “nxjerrje e negociuar”. Ky është vlerësimi i shprehur për Sky News nga burime të opozitës venezueliane.
‘Një agim i ri për Venezuelën’, Zëvendëssekretari i Shtetit të SHBA : Tirani do të përballet me drejtësinë

“Është një agim i ri për Venezuelën. Tirani është larguar. Më në fund do të përballet me drejtësinë për krimet e tij”, deklaroi Landau në rrjetin social X, duke i bashkëlidhur postimit të tij njoftimit të Presidentit Donald Trump.
Deklarata vjen si reagim pas operacionit të shpallur nga autoritetet amerikane, në të cilin u njoftua kapja e presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe transferimi i tij jashtë vendit.
Sulmet e SHBA në Venezuelë, avionët ushtarakë patrullojnë mes shpërthimeve dhe reve të tymit
Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në orën 2 të mëngjesit sipas orës lokale në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, dhe vende të tjera në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira.
Nga pamjet e publikuara shihet momenti kur avionët ushtarakë patrullojnë në një lartësi mestare mes shpërthimeve dhe reve të tymit të krijuara nga këto sulme.
CBS News: Maduro u kap nga njësia speciale elitare amerikane Delta Force

Sipas CBS News, diktatori i Venezuelës, Nicolas Maduro, është kapur nga Delta Force, njësia speciale elitare e ushtrisë amerikane.
Delta Force, një njësi elitare që i përket ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, ka qenë gjithashtu përgjegjëse për misionin e vitit 2019, gjatë të cilit u vra ish-udhëheqësi i Shtetit Islamik (ISIS), Abu Bakr al-Baghdadi.
Sulmet ushtarake mbi Venezuelë, reagon Trump: Kemi kapur dhe nxjerrë jashtë vendit Maduron dhe bashkëshorten e tij

Fillimisht ai konfirmon pretendimet e mediave të huaja se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë autore të sulmit, si dhe bën me dije se diktatori Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij janë kapur nga forcat amerikane, dhe janë nxjerrë jashtë vendit.
Postimi i plotë i Donald Trump:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolás Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, është kapur dhe është nxjerrë jashtë vendit. Ky operacion u krye në bashkëpunim me forcat e rendit të SHBA-së. Detaje të tjera do të pasojnë. Sot, në orën 11:00, do të mbahet një konferencë për shtyp në Mar-a-Lago. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!
Presidenti DONALD J. TRUMP
VIDEOLAJM/ Venezuelë, publikohen pamjet e shpërthimit në portin e La Guaira
Video e publikuar nga CNN tregon shpërthimin në portin venezuelian të La Guaira, i cili ndodhet më pak se 10 milje në veri të Karakasit qendror.