Ekuipazhi i misionit Artemis 2 ka publikuar imazhe spektakolare të Tokës, të realizuara nga bordi i anijes kozmike Orion, ndërsa vijon udhëtimin historik drejt Hënës dhe kthim.
Fotografitë me rezolucion të lartë, të shkrepura nga komandanti Reid Wiseman, paraqesin planetin tonë me detaje të rralla – kontinente, oqeane dhe re me ngjyra të gjalla, si dhe aurora të dukshme pranë poleve.
Misioni Artemis 2 ka arritur një tjetër moment historik, pasi katër astronautët në bordin e anijes Orion kanë kaluar gjysmën e distancës mes Tokës dhe Hënës.
Sipas NASA, kapsula ndodhet tashmë mbi 219 mijë kilometra larg Tokës dhe vijon trajektoren drejt fluturimit rreth Hënës, i planifikuar për ditën e hënë. Ky është misioni i parë me ekuipazh drejt Hënës që nga Apollo 17.
Agjencia hapësinore amerikane ka publikuar edhe imazhet e para nga bordi, të realizuara nga komandanti Reid Wiseman. Fotografitë tregojnë Tokën si një hark të ndritshëm në errësirën e hapësirës, si dhe një pamje të plotë të globit me oqeane, re dhe një aurorë të gjelbër që ndriçon pranë poleve.
Në këtë mision marrin pjesë edhe Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen. Ata janë astronautët e parë që udhëtojnë drejt Hënës pas më shumë se gjysmë shekulli.
Ekuipazhi ka hyrë tashmë në një trajektore të ashtuquajtur “kthim i lirë”, duke përdorur gravitetin e Hënës për t’u rrotulluar rreth saj dhe më pas për t’u kthyer në Tokë pa nevojë për manovra të mëdha shtesë.
Astronautët pritet të kalojnë rreth 6,400 kilometra përtej Hënës, duke ofruar pamje të papara më parë të anës së largët të saj. Nëse misioni përfundon me sukses, ata do të vendosin një rekord të ri, duke u bërë njerëzit që janë larguar më shumë nga Toka në histori.
Misioni është pjesë e programit afatgjatë të NASA për rikthimin e njerëzimit në Hënë dhe ndërtimin e një pranie të qëndrueshme, si hap i parë drejt eksplorimeve më të thella në hapësirë.