Në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi nga njësia 12 në Tiranë se Shqipëria ndodhet në një moment historik, ku dera e Bashkimit Evropian është më afër se kurrë.
Ai e cilësoi këtë si një mundësi të jashtëzakonshme për vendin, duke theksuar se Partia Socialiste është e vetme në betejë, ndërsa sipas tij, kundërshtarët politikë ngatërrojnë interesin kombëtar me kundërshtitë ndaj qeverisë.
“Janë krijuar kushtet që ta shohim derën e BE afër dhe të hapur plotësisht. Janë bashkuar yjet e fatit, që nuk lidhen vetëm me punët tona të kryera, por edhe me mënyrën se si po shkon bota dhe që na do brenda vetes. Kjo është e jashtëzakonshme dhe konkrete. Jemi vetëm në këtë betejë, pasi gjithë të tjerët janë kundër nesh dhe janë kaq të verbër sa ngatërrojnë interesin kombëtar dhe të mirën e përbashkët me kundërshtitë ndaj nesh”, tha Rama.
Rama nënvizoi se ekonomia është rritur, pagat dhe pensionet janë rritur në mënyrë sistematike. Sipas tij, kjo është rezultat i rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe shtimit të investimeve të huaja, që kapin shifrën mBio 1.5 miliardë euro.
“Kemi rritur ekonominë, pagat i kemi rritur në mënyrë sistematike dhe po paguajmë edhe vjetërsinë në punë. Rritëm pagat dhe pensionet. Kjo erdhi sepse u rritën mundësitë, pasi u rrit ekonomia, u rritën të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe u shtuan investimet e huaja. Sot kemi mbi 1.5 miliardë investime të huaja, si dhe rritje të turistëve, ku në vendin tonë kanë hyrë rreth 12 milionë pasaporta të huaja”, tha Rama.
Kryeministri kundërshtoi akuzat për rritje të korrupsionit, duke deklaruar se kjo është një “gënjeshtër e madhe”.
“Po të rritej korrupsioni, nuk do të rritej ekonomia, pagat dhe pensionet, pasi nuk do të ishin rritur të ardhurat në arkën e shtetit,” tha ai.
Rama u shpreh se Partia Socialiste ka ndërmarrë një ndarje të re organizative në blloqe më të vogla, për të rritur diskutimin dhe kapacitetet e komunikimit me qytetarët.
“PS ka kapacitete të bëjë më mirë dhe të fitojë më shumë. Këtë punë dhe përpjekje ne e kemi detyrë më të madhe se sa vetëm ndaj vetes, kjo është mundësia historike që na ka ardhur në dorë,” u shpreh Rama.