15
Verën e kaluar, Kongresmeni Republikan i Karolinës së Jugut, Xho Uillson, gjendej në zyrën e tij në Kapitol, thellësisht i përqëndruar teksa investitorë nga Lindja e Mesme i prezantonin përmes një video-telefonate, planet e tyre për zhvillimin e pronave bregdetare në Siri.
Ishte fjala për një port kroçierash. Një klub poloje. Sallë shitjesh për automjetet Bugatti. Një fushë golfi e klasit botëror. Të jighta këto në një vend që sapo kishte dalë i rrënuar nga lufta civile.
Por kjo nuk ishte e gjitha. Ndërsa Mohamad Al-Khayyat, një biznesmen i fuqishëm me origjinë siriane, po paraqiste propozimin e tij, vëllezerit e tij kishin fituar mëse 12 miliardë dollarë në kontrata të sponsorizuara nga qeveria, për të rindërtuar një pjesë të madhe të ekonomisë së shkatërruar siriane.
Megjithatë kishte një kleçkë. Khayyatët kishin nevojë për një nder të madh nga Kongresi amerikan, me mbështetje të Presidentit Trump: heqjen e përhershme të sanksioneve që i ishin imponuar Sirisë para rënies së Presidentit Bashar al-Assad në fund të 2024-ës.
Ishte pikërisht ky momenti kur Zoti Uillson, një ish-avokat pronash të paluajtshme dhe mbështetës i heqjes së sanskioneve, iu ofroi një sugjerim taktik.
“E di se si mund ta fitoni vëmendjen e presidentit,” tha Z. Uillson. “Quajeni Fusha Kombëtare e Golfit Trump në Siri.”
Mohamad Al-Khayyat ishte ndërkaq një hap para tij. Ait ha se planifikonte të propozonte një resort të markës Trump.
Në të njëjtën kohë, dy vëllezërit e tij po negocionin një partneritet edhe më të madh me Ivanka Trump, vajzën e madhe të presidentit dhe bashëkshortin e saj Jared Kushner, për të ndihmuar me financimin e një resorti miliarda dollarësh në Shqipëri.
Kjo lloj përzierje e çështjeve personale me ato diplomatike ka qenë prej kohësh një normë në vendet e Lindjes së Mesme, ku historikisht një numër i vogël lojtarësh kanë drejtuar dhe kanë përfituar nga roli i tyre dominues në shoqëri. Por, tanimë është kthyer në mënyrën si funksionon edhe Uashingtoni në mandatin e dytë të Z. Trump.
Diskutimet e biznesit të familjes së presidentit, qofshin thjesht aspiruese si fusha e golfit apo projekte aktive si ai i Z. Kushner, shkrihen vazhdimisht me vendime të rëndësishme politike ose me negociata madhore mes shteteve.
Por kjo është gjithashtu një tregues se sa i pushtetshëm është bërë Z. Trump. Çfarëdo që të duash të realizosh në Uashington, duhet së pari mos të mërrzitësh një president nevrik e hakmarrës, dhe idealja, ta kënaqësh atë.
Presidentët e mëparshëm, qofshin ata Demokratë apo Republikanë, kanë ndërmarrë hapa të shmangin qoftë edhe perceptimin se mund të kenë qenë në konflit interesi në ndonjë moment, ndërsa në botën e Z. Trump ndodh thuajse krejt e kundërta. Familja e ka bërë të qartë se synon të bëjë marrëveshje biznesi nëpër botë.
Kjo ka çuar në krijimin e një përkrahjeje ekzekutive të deformuar, ku investitorët dhurojnë miliona në projektet e presidentit, ose investojnë krahas familjes Trump me shpresën se do të mbërrijnë qëllimet e tyre politike, edhe nëse nuk bëhet asnjë kërkesë e hapur.
Në fakt, Shtëpia e Bardhë dhe Organizata Trump shprehen se nuk ishin në dijeni të fushës së propozuar të golfit që do të mbante emrin Trump në Siri, ndërsa Organizata Trump tha se nuk ka patur asnjë diskutim për këtë.
Ndërkakq zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë hodhën poshtë çdo hamendësim se diskutimet rreth zhvillimit të pronave të paluajtshme nga familja Trump kishin luajtur ndonjë rol në politikën e jashtme të presidentit në Siri.
«Presidenti Trump i kryen detyrat e tij kushtetuese në mënyrën më etike të mundshme dhe çdo hamendësim tjetër është i keqinformuar ose dashakeq, » tha në një deklaratë këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Dejvid Uarrington.
Famlija Khayyat po ashtu deklaroi se partneriteti i tyre me Z. Kushner nuk lidhej me përpjekjet për heqjen e sanskioneve.
Ligjvënësit nga të dy krahët kanë qenë në favor të heqjes së sanksioneve, në mënyrë që Siria të mund të tërheqë qindra miliarda dollarët që i nevojiten për të riparuar shtetin e rrënuar nga lufta. Vetë Z. Trump kish qenë në favor të heqjes së sanksioneve qysh në fillim të mandatit të tij akttual dhe i hoqi ato përkohësisht pranverën e kaluar.
Megjithatë, disa anëtarë të Kongresit hezituan të votonin një heqje të përhershme të sanksioneve pa patur një lloj leve në rast se regjimi i ri sirian do të ishte po aq brutal sa i mëparshmi.
Propozimi për fushën e golfit u bë pjesë e një përpjekje lobimi në Kapitol, çka tregon sa lehtësisht mund të përfitohen avantazhe politike për kauza të caktuara në rast se invokohet marka Trump.
Mohammad Al-Khayyat u kthye në Uashington vitin e kaluar duke mbajtur në duar një gur special ku qe gdhendur emblema e familjes Trump, si kremtim i fushës së propozuar të golfit. Ai ia parraqiti atë Z. Uillson në zyrën e tij në Kapitol, me kërkesën për ta dërguar në Shtëpinë e Bardhë. Më pas, Z. Al-Khayyat iu bashkua mbledhjeve me të tjerë ligjvënës amerikanë për të nxitur heqjen e sanksioneve.
Vetëm disa javë më pas, legjislacioni për heqjen e përhershme të sanksioneve u aprovua nga Kongresi dhe u firmos nga Z. Trump në fund të dhjetorit.
Ëndërra të Përbashkëta
Familjet Trump dhe Khayyat u takuan në një restorant italian në Doha në vitin 2022.
Ivanka Trump dhe Jared Kushner gjendeshin në Katar për ndeshjet e Botërorit dhe darkuan në « Carbone Doha, » zinxhir i restorantit njujorkez që ndodhet në një ishull me pamje nga peizazhi mbresëlënës i Dohas.
Pronari i restorantit ia doli të takohej me mysafirët e famshëm. Rezultoi se Ramez Al-Khayyat dhe familja e tij ishin pronarë jo vetëm të “Carbone Doha,” por zotëronin çdo restorant në atë rrugë në një ishull artificial të ndërtuar prej tyre në vetëm gjashtë muaj me kërkesë të famlijes mbretërore të Katarit për të krijuar një zonë argëtimi për Botërorin.
Nuk kaloi shumë dhe Kushnerët dhe Khayyatët filluan të ndanin me njëri-tjetrin historitë e tyre si pinjollë të zhvilluesve të pronave të paluajtshme, por edhe ëndërrat që kishin për të ardhmen.
Jo shumë kohë më parë, Z. Kushner kishte kërkuar ndihmën e fondeve sovrane të Lindjes së Mesme, përfshi ato nga Katari, për të ngritur një firmë me kapital privat, pasi kishte shërbyer në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të Z. Trump.
Tani ai synonte të ndërtonte një resort miliarda dollarësh në një ishull pranë bregdetit shqiptar. Jo shumë ndryshe nga ai në të cilin po darkonte me Khayyatët.
Ramez dhe vëllezërit e tij ishin shpërngulur në Katar me kohë të plotë në vitin 2011. Khayyatët krijuan një marrëdhënie me familjen mbretërore të Katarit dhe i ndërtuan asaj një pallat malor për pushime në të dalë të Damaskut.
Ishte vetëm një nga projektet e profilit të lartë që tërhoqën vëmendjen e gazetave ndaj familjes, përfshi edhe një episod të çmendur kur, pasi një sërë shtetesh fqinje i bënë bllokadë Katarit në 2017-ën, ata dërguan mijëra lopë me aeorplanë për ta furnizuar me qumësht dhe produkte të tjera bulmeti shtetin e vogël të pasur me naftë.
Por me gjithë suksesin e tyre në Katar, Khayyatët nuk hoqën asnjë herë dorë nga shpresa e rikthimit në Siri.
Një Ndryshim Fati
Ishin dy ngjarje monumentale në fund të 2024-ës që ia ndryshuan fatet Khayyatëve dhe iu shtruan rrugën për të “pushtuar” botën: Z. al-Assad u rrëzua, ndërsa Z. Trump u rikthye në presidencë.
Disa javë më pas, Ramez dhe vëllati i tij i vogël u nisën për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Z. Trump.
Gjatë qëndrimit të tyre në Uashington, Khayyatët u takuan me prindërit e Z. Kushner. U takuan gjithashtu me Michael Boulos, bashkëshortin e Tiffany Trump, vajzës së vogël të presidentit, si edhe me babain e Z. Boulos, Massad Boulos, i cili kishte ndihmuar me koordinimin e votuesve Siriano-amerikanë gjatë fushatës së Z. Trump për t’u rizgjedhur.
“Përvojë fantastike,” tha në një intervistë të kohëve të fundit Ramez Al-Khayyat, 41 vjeç, teksa kujtonte eventin dhe darkën e inaugurimit. “Një herë në jetë ndodh.”
Aksesi në atë darkë kushton zakonisht minimalisht një donacion prej 250.000 dollarësh për dy bileta. Ramez Al-Khayyat tha se një sërë biznesmenësh të rëndësishëm ndërkombëtarë ishin ftuar dhe se ai dhe vëllai i tij i madh nuk kishin paguar për ftesën,
Po atë muaj, familja Khayyat fluturoi drejt Damaskut për të takuar presidentin e ri të Sirisë. Presidenti, Ahmed al-Sharaa, vetëm pak javë më herët kishte qenë një lider rebel për kokën e të cilit SHBA oftonte një shpërblim prej 10 milionë dollarësh. Tani, ai ishte president, ndonëse i një shteti nën rrënoja. Shumica e infrastrukturës duhej rindërtuar.
Familja Khayyat ishte zgjedhje e natyrshme për t’i nisur këto projekte. “Ne jemi gati fillojmë dhe sa më shpejt madje,” deklaronte se i kishte thënë presidentit të ri sirian, Ramez Al-Khayyat.
Një zinxhir marrëveshjesh të jashtëzakonshme morën jetë në Siri.
Khayyatëve dhe partnerëve të tyre të biznesit iu dha një marrëveshje 4 miliardë dollarëshe për të transformuar aeroportin e shkatërruar në një qendër lidhëse të Lindjes së Mesme, ndërsa një tjetër kontratë 7 miliardë dollarëshe iu dha për të ndërtuar katër impiante elektrike të furnizuara me gaz natyror. Ata negociuan gjithashtu një marrëveshje të tretë për të bashkëpunuar me kompaninë amerikane Chevron për të zhvilluar disa zona shpimi për gaz në Mesdhe, pranë brigjeve siriane.
Thomas J. Barrack Jr., i dërguari i posaçëm i Presidentit Trump në Siri, i ka përkrahur Khayyatët duke u shfaqur krah tyre për secilën prej këtyre kontratave, duke e bërë të qartë se mbështeteshin nga adminsitrata Trump.
Ramez Al-Khayyat ka blerë gjithashtu shtëpi historike në qytetin e vjetër të Damaskut, një Trashëgimi Botërore e UNESCO-s si një nga qytetet më të vjetra të banuara në vazhdimësi, për ta kthyer atë në destinacion turistik.
Përgjatë bregdetit sirian, Mohammad Al-Khayyat po punonte për të realizuar planet e tij për terminalin e kroçierave dhe resortin që do të përfshinte fushën e golfit Trump, një projekt që do të ndërtohej në tokë që ishte pronë e qeverisë siriane.
Por me secilën nga këto marrëveshje kishte një problem. Ato vareshin të gjitha nga heqja e përhershme e sanksioneve amerikane.
Kjo sepse bankat e huaja dhe investitorët e tjerë nuk pranonin të jepnin kapitalin e nevojshëm për t’i financuar këto përpjekje sa kohë nuk qenë të sigurtë se sanksionet e vendosura në 2019 nuk do të riktheheshin sërish pas heqjes së përkohëshme.
Sanksionet ishin jo vetëm shumë të rënda dhe kufizuese për shtetin dhe partnerët e tij tregtarë, por dënonin edhe këdo që përfitonte duke u përfshirë në aktivitete rindërtimi, pasi cilësohej si përfitim nga konflikti sirian.
“Të gjithë po e prisnim këtë çast kur sanksionet do të hiqeshin përgjithmonë dhe është diçka madhështore për Sirinë,” tha Ramez Al-Khayyat.
Diplomacia e Fushës së Golfit
Magjepsja e Kongresit nisi në pranverë.
Disa prej anëtarëve ti tij iu ofruan fluturime falas drejt Sirisë.
Heqja e sanksioneve mbështetej gjerësisht nga grupet siriano-amerikane dhe disa ligjvënës. Ata argumentuan se një lëvizje e tillë do të fuqizonte rimëkëmbjen e Sirisë duke inkurajuar më shumë investime të huaja tashmë që Z. al-Assad nuk ishte më president.
Një pjesë e madhe e punës u bë nga biznesmeni siriano-amerikan, Tarek Naemo, shok fëmijërie i Mohamad Al-Khayyat, cili pranoi në një intervistë se po punonte për projektin e fushës së propozuar të golfit që do mbante emrin Trump.
Z. Naemo, i cili jeton në Florida dhe drejton një firmë investimesh për të cilën tha se kishte bërë marrëveshje me partnerë që përfshinin Autoritetin e Investimeve të Katarit, filloi bashkë me të shoqen, që të kortezhonin disa dhjetëra kongresmenë, duke nisur me Kryetarin e Kongresit, Mike Johnson.
Të dhënat tregojnë se ky akses u mundësua nga një sërë kontributesh gjatë fushatës nga Z. Naemo, bashkëshortja e tij dhe njerëz të tjerë në mbrojtje të kauzës.
Z. Ullson, kongresmeni republikan i Karolinës së Jugut ishte një shenjestër e veçantë. Z. Naemo u bë mik i tij, duke e shoqëruar atë në seanca qitjeje, në Resortin Omni Homestead në Hot Springs dhe duke ndjekur me të shfaqjen “Të Mjerët” në Qendrën Kenedi, ku ndodhej edhe Z. Trump.
Në qershort të 2025-ës, Z. Uillson kishte paraqitur legjislacionin që bënte thirrje për heqjen e plotë të sanksioneve ndaj Sirisë.
Pengesa Kryesore
Ndërsa stuhia e lobimeve përparonte, mbetej megjithatë një pengesë madhore. Nuk qe fjala për Z. Trump. Atë e kishin bindur.
Në maj Z. Trump hoqi përkohësisht sanksionet ndaj Sirisë pas një takimi në Riad me Z. al-Sharaa dhe Mohammed bin Salman, princin e kurorës saudite, i cili e kishte nxitur këtë vendim të Trumpit. Sauditët duan gjithashtu të përfshihen në rindërtimin e Sirisë.
Por Siria dhe investitorë si Khayyatët, kishin ende nevojë për një akt nga Kongresi që ta bënte të përhershme heqjen e sanksioneve. Pikërisht në këtë moment u përballën me një kongresmen, i cili u bë pengesa kryesore.
Brian Mast, kongresmeni republikan i Floridas dhe kryetar i Komitetit për Çështjet e Jashtme, ishte i shqetësuar se heqja e të gjitha sanksioneve mund të linte disa minoritete në Siri përballë persekutimit dhe masakravee.
Përballja vendimtare ndodhi në 9 nëntor, natën para se Z. Trump të takohej me Z. al-Sharaa – kreu i parë i shtetit sirian që vizitonte Shtëpinë e Bardhë qysh se vendi fitoi pavarësinë nga Franca në 1946-ën.
Tre blloqe larg Shtëpisë së Bardhë, Z. Mast dhe disa kongresmenë të tjerë, përfshi Z. Uillson, darkuan privatisht me Z. al-Sharaa në hotelin St. Regis.
Senatori Richard Blumenthal e kujton si një moment të sikletshëm. Tek e fundit, Z. al-Sharaa ishte një ish-anëtar i Al Kaedas në Irak, armik direkt i trupave amerikane në Mosul dy dekada më parë. Dhet ani po kërkonte ndihmë.
Z. Mast, një veteran i ushtrisë i cili i humbi të dyja këmbët në vitin 2010 teksa shërbente si teknik për çmontimin e bombave në Afganistan, nuk ishte i sigurtë nëse mund t’i besonte presidentit të ri sirian. Gjatë darkës, e pyeti: “Pra, nuk jemi më armiq?” Z. al-Sharaa iu përgjigj se dontë që ta çlironte vendin e tij nga e kaluara.
Asnjë fjalë nuk u tha në lidhje me marrëveshjet e familjes Trump, kujton Blumenthal.
Marrëveshjet në zhvillim
Kolona të trupave ruse lëvizin rregullisht përgjatë autostradës bregdetare në veri të Sirisë, drejt një baze ajrore aty pranë që Rusia vazhdon ta kontrollojë. Jo shumë larg, qëndron një statujë e rrëzuar e ish-presidentit sirian Hafez al-Assad, babait të Bashar al-Assad. Një nga krahët e saj është këputur dhe fytyra gjigante është zhytur në baltë.
Jashtë rrugës kryesore, në buzë të Mesdheut pranë qytetit portual të Latakias, familje të tëra kultivojnë lakra, patëllxhanë, gjethe rrushi dhe kultura të tjera në një nga zonat më pjellore të Sirisë.
Kjo është toka ku pritet të ndërtohet fusha e golfit me emrin Trump.
Ajo ndodhet në rajonin nga vjen familja Assad dhe shumë banorë vendas, përfshirë Bashar al-Assad dhe të afërm të tij, i përkasin një pakice fetare të njohur si alavitë. Kjo lidhje shpjegon pjesërisht pse qindra banorë të zonës u masakruan nga grupe vigilante vitin e kaluar, në javët pas rrëzimit të regjimit.
Ka pak informacion konkret mbi statusin e resortit të planifikuar, i cili mund të mbajë emrin e familjes Trump.
Por në mesin e fermerëve vendas qarkullojnë zëra. Si për shembull tek Sinan Younis, 42 vjeç, dhe vëllezërit e tij, që e punojnë këtë tokë prej dekadash edhe pse nuk janë pronarë të saj. Bujqësia është burimi i vetëm i të ardhurave për rreth dy duzina anëtarësh të familjes së tyre.
“Po ne?” pyet Younis, ndërsa ndalon për një moment punën e mbjelljes së fidanëve të patëllxhanit. “Si mund ta marrin gjithë këtë, për një arsye të tillë? Pse tokën tonë, tokën nga e cila jetojmë?”
Këto pyetje vetëm sa shtojnë tensionet, ndërsa familja jeton ende me frikën e një vale tjetër dhune që mund t’i godasë ata dhe alavitët e tjerë. Korrja e patëllxhanit vitin e kaluar u shty, pasi Younis thotë se iu desh të përdorte kamionin e fermës për të mbledhur trupat e pajetë të fqinjëve të vrarë gjatë sulmeve.
Në Uashington, ndërkohë, disa anëtarë të Kongresit, përfshirë Mast, mbeten të shqetësuar se Siria nuk ka përmbushur pritshmëritë pas heqjes së sanksioneve.
“Nuk besoj se ndonjëri prej nesh mendonte se kalimi nga diktatori Bashar al-Assad te presidenti aktual sirian Ahmed al-Sharaa do të ishte pa incidente,” tha Mast në shkurt gjatë një seance dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve. “Por kemi parë tashmë shumë incidente — sipas mendimit tim, tepër shumë raste dhune sektare ndaj pakicave fetare dhe etnike.”
Megjithatë, leva që kishte Shtetet e Bashkuara — mundësia për të rikthyer menjëherë sanksionet — tashmë nuk ekziston më, dhe rikthimi i tyre nga Kongresi do të ishte politikisht i ndërlikuar.
Ndërkohë, paratë e huaja nga investitorë si familja Khayyat vazhdojnë të derdhen në Siri.
Kjo është e dukshme edhe në aeroportin e Damaskut, ku — ndërkohë që lufta vazhdon në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme — një flotë makinerish të rënda po shkatërron atë që ka mbetur nga terminali i viteve ’60, për projektin e Khayyatëve.
Për më tepër, Mohamad Al-Khayyat ka siguruar së fundmi një licencë për të qenë importuesi ekskluziv i produkteve të kompanisë amerikane SC Johnson, si qeset Ziploc, insekticidi Raid dhe freskuesit e ajrit Glade, të cilat nuk mund të shiteshin drejtpërdrejt në Siri para heqjes së sanksioneve.
Veçmas, në Shqipëri, projekti gjigant bregdetar i Jared Kushner dhe Ivanka Trump po ecën me ritme të shpejta.
Fillimisht, Khayyatët do të shërbenin thjesht si kompani ndërtimi në resort. Por gjatë vitit të fundit — pikërisht kur po zhvillohej lobimi për heqjen e sanksioneve — negociatat kanë ndryshuar, sipas drejtuesve të përfshirë në marrëveshje. Kushner dhe Khayyatët kanë vendosur të bëhen partnerë në projekt.
Ivanka Trump udhëtoi atje në janar për t’u takuar me Ramez Al-Khayyat në një mbledhje me arkitektë dhe drejtues të tjerë, për të diskutuar dizajnet e mundshme. Në takim mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Po investojmë në holding për të siguruar që ka kapital të mjaftueshëm,” tha Ramez Al-Khayyat. “Pra është një sipërmarrje e përbashkët mes dy kompanive dhe në fakt e menaxhojmë bashkë.”
Një zëdhënës i Kushner refuzoi të komentonte.
Ndërkohë, flitet edhe për mundësinë që Khayyatët të bashkëpunojnë me Kushner për projekte të pasurive të paluajtshme në Siri, tani që sanksionet Caesar janë hequr.
“Ai është një njeri i shkëlqyer dhe përpiqemi të bëjmë diçka të madhe së bashku,” tha Ramez Al-Khayyat, duke iu referuar Kushner. “Po paraqesim shumë mundësi.” /New York Times