Nëse për vite me radhë rrugët kanë qenë “arteriet” kryesore të ekonomisë shqiptare, dekada që vjen synon të sjellë një kthesë të fortë, më pak varësi nga transporti rrugor dhe më shumë investime në hekurudhë.
Objektivi është rritje me 20% e transportit hekurudhor deri në vitin 2030 dhe dyfishim deri në vitin 2050, si dhe një rritje me 15% e transportit detar brenda kësaj dekade. Duke rritur investimet në hekurudhë synimi është që transporti i mallrave të shkëputet nga varësia e rrjetit rrugor dhe të kalojë në atë me tren.
Janë 9 projekte hekurudhore, disa në zbatim e pjesa më e madhe ende në letër, me vlerë 2.4 miliardë euro. Më e kushtueshmja është linja Durrës Prishtinë 750 milionë euro, ndjekur nga rehabilitimi i hekurudhës Rrogozhinë-Pogradec/Rrajcë – Kufiri me Maqedoninë e Veriut 541 milionë euro dhe më pas Vorë-Hani i Hotit plot 375.7 milionë euro.
Burimet e financimit për të transformuar transportin në vend nuk janë vetëm nga buxheti i shtetit, por bazohen në praktikën e koncesioneve, partneriteteve publike private, kreditë nga institucionet financiare ndërkombëtare (BEI, BERZH, Banka Botërore) dhe mbështetjen e BE-së.
“Strategjia promovon partneritetet publike-privat dhe koncesionet, veçanërisht në ndërtimin e rrugëve dhe projektet kryesore infrastrukturore, si instrumente plotësuese për mobilizimin e investimeve private dhe përmirësimin e efikasitetit në zbatimin e projekteve”, thuhet në dokument.
Në strategjinë e transportit të hartuar nga Ministria e Infrastrukturës, thuhet se deri në vitin 2030 do të bëhen 7.9 miliardë euro investime për një transformim të thellë të mënyrës si lëvizin njerëzit dhe mallrat.
Fokus të madh do të ketë mirëmbajtja e rrugëve, që do të ketë edhe një fond të posaçëm që do të financohet nga tarifat e akseve që janë me pagesë, dhe synimi i caktuar në strategji është që deri në 2030-ën, afro 20% e rrugëve të vendit të jenë me pagesë për kalimtarët.
L