Shkencëtarët kanë zbuluar një të dhënë befasuese që mund të shpjegojë mospërputhjet e mëdha lidhur me shpejtësinë e zgjerimit të Universit.
Fushat magnetike jashtëzakonisht të dobëta, të krijuara pak pas Big Bengut, mund të jenë pjesa që mungon në ekuacionin e kozmologjisë moderne, duke ofruar njëkohësisht një dritare drejt fizikës së energjive ekstreme në Universin e hershëm, shkruan ScienceDaily.
Megjithëse zgjerimi i Universit është një fakt i vërtetuar mirë, komuniteti shkencor përballet me të ashtuquajturin „tensioni i Hubble-it”, një mospërputhje e madhe midis dy metodave kryesore të matjes së konstantës së Hubble-it.
Metoda e parë, indirekte, bazohet në luhatjet e sfondit kozmik të mikrovalëve (drita e mbetur nga Big Bengu), të matura nga teleskopë si Planck, dhe tregon një shpejtësi prej rreth 67 km/s/Mpc.
Metoda e dytë, e drejtpërdrejtë, mat distancën deri te galaktikat e largëta duke përdorur supernova të tipit Ia dhe yje Cefeidë si „qirinj standardë” (me ndihmën e teleskopëve Hubble dhe James Webb), duke arritur një vlerë më të lartë, prej rreth 73 km/s/Mpc. Edhe pse ndryshimi duket i vogël, ai është statistikisht domethënës dhe sugjeron se diçka mund të mungojë në modelin standard.
Rrugë të reja për të kuptuar momentet e para të historisë së Kozmosit
Një studim i ri, i realizuar nga fizikanët Karsten Jedamzik, Levon Pogosian dhe Tom Abel, shqyrton hipotezën e fushave magnetike primordiale.
Duke përdorur simulime komplekse tredimensionale të plazmës primordiale, studiuesit analizuan mënyrën se si këto fusha magnetike ndikojnë në rikombinim, momentin kur protonet dhe elektronet u bashkuan për të formuar atomet e hidrogjenit, duke bërë që Universi të bëhej transparent.
Tërheqja dhe shtytja e grimcave të ngarkuara nga fushat magnetike mund të kenë përshpejtuar formimin e hidrogjenit, duke ndryshuar grumbullimin e materies dhe, rrjedhimisht, madhësinë e modeleve të vëzhguara në sfondin kozmik të mikrovalëve.
Ky korrigjim ndryshon vlerën e konstantes së Hubble-it të nxjerrë nga të dhënat, duke zbutur tensionin midis dy metodave të matjes.
Rezultatet, të publikuara në revistën Nature Astronomy, tregojnë se të dhënat vëzhguese favorizojnë praninë e këtyre fushave magnetike primordiale, me një intensitet prej vetëm 5 deri në 10 pikogaus.
Kjo vlerë është e mjaftueshme jo vetëm për të shpjeguar ndryshimet në matjet e zgjerimit të Universit, por edhe për të përfaqësuar „farën” nga e cila janë zhvilluar fushat e fuqishme magnetike që vërehen sot në galaktika dhe grumbuj galaktikash.
Konfirmimi përfundimtar i kësaj teorie do të hapë rrugë të reja për të kuptuar momentet e para të historisë së Kozmosit.