Emri i Azir Aliut, ish-ministër për Shoqëri Informatike dhe një nga figurat kryesore të Aleancës për Shqiptarët në koalicionin VLEN, po qarkullon me intensitet në qarqet politike si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, pas dorëheqjes së Arben Taravarit, përcjell INA.
Në një deklaratë për mediat, Aliu nuk e mohoi mundësinë, por theksoi se vendimi nuk është marrë ende dhe se gjithçka do të diskutohet në ditët në vijim.
“Ende nuk kemi biseduar për këtë temë. Ditët në vijim do të kemi takime, sepse deri tani kemi qenë të fokusuar te reagimi i qytetarëve ndaj krizës së brendshme në parti. Për ne, fjalën e fundit gjithmonë e ka qytetari,” u shpreh Aliu, duke lënë të hapur mundësinë për një rikthim në qeveri me një nga portofolët më të ndjeshëm në këtë fazë.
Kryeministri Hristijan Mickoski ndërkohë ka konfirmuar se postet e lëna nga krahu i Taravarit i mbeten koalicionit VLEN. Ai theksoi se pret që emrat e rinj për postet e lëna vakante nga përfaqësuesit e dorëhequr të përcaktohen deri në fund të kësaj jave.
“Ky portofol mbetet në kuadër të koalicionit VLEN. Pres që javën tjetër të kem propozim. Dje, pas seancës së qeverisë, patëm koordinim të koalicionit. Po diskutojmë për të ardhmen dhe kemi caktuar fundin e kësaj jave si afat për vendime konkrete,” deklaroi Mickoski javén e kaluar.
Pas largimit të Taravarit nga pozita e ministrit të Shëndetësisë, u dorëhoqën gjithashtu edhe Flakron Bexheti nga posti i zëvendësministrit të Bujqësisë dhe Elfet Ismaili nga ai i zëvendësministrit të Mbrojtjes. Largimi i tyre erdhi pas vendimit të krahut të Taravarit për të braktisur koalicionin qeveritar.
Kryesia e Aleancës për Shqiptarët dy javë më parë vendosi që të dal prej Qeverisë.
Kreu i saj, Arben Taravari theksoi pakënaqësi rreth përmbushjes së zotimeve dhe për mosfunksionimin e koalicionit VLEN.
Sipas tij, një nga arsyet e largimit ishte edhe heqja e “balansuesit”, duke theksuar se vazhdimisht është premtuar se do të sillet ligji për përfaqësimin adekuat, por nuk ka diçka konkrete. Ai theksoi se ishte premtuar që ky ligj do të sillet ne nëntor, por akoma nuk prezantohet.
Për koalicionet parazgjedhore në zgjedhjet lokale, ai premtoi se do të jetë i hapur për koalicion me çdo parti.