6
Studiuesit në Peru kanë njoftuar zbulimin e mbi 100 strukturave arkeologjike të panjohura më parë në Gran Pajatén, një vendbanim parakolumbian i izoluar në malet e Andeve. I ndodhur rreth 500 kilometra në veri të kryeqytetit Lima, në Parkun Kombëtar Río Abiseo – një trashëgimi botërore e UNESCO-s – kompleksi përmban rrënojat e një civilizimi misterioz që u pushtua nga Perandoria Inka pak përpara mbërritjes së konkistadorëve, sipas revistës Smithsonian.
Për shkak të vendndodhjes së tij shumë të izoluar, Gran Pajatén – që ndodhet në një lartësi të madhe dhe është i rrethuar nga vegjetacion i dendur – është shumë i vështirë për t’u arritur si nga turistët, ashtu edhe nga studiuesit. Pikërisht për këtë arsye banorët vendas të këtyre zonave malore të izoluara, Chachapoya, njiheshin edhe me emrin “luftëtarët e reve”.
Civilizimi Chachapoya qëndroi kundër kolonizimit më gjatë se grupet e tjera indigjene që patën përplasje me Perandorinë Inka. Misteri i këtij civilizimi bëhet edhe më i madh, pasi dihet shumë pak rreth tij.
Kompleksi Gran Pajatén ndodhet larg çdo vendbanimi modern, është ndërtuar në një lartësi të madhe dhe i rrethuar nga natyrë e paprekur.
Gran Pajatén u zbulua në vitet ’60, por kërkimet stagnuan pasi arkeologët gjetën 26 struktura të para në vitet ’80. Zbulimet e fundit, të njoftuara nga Fondi Botëror i Monumenteve (WMF), përbëjnë një arritje të madhe për studiuesit që hulumtojnë këtë civilizim të fshehtë.
“Edhe pse ekspertët e dyshonin që Gran Pajatén ishte më i madh, zbulimet tona ishin të papritura – jo vetëm për nga përmasat, por edhe për mënyrën se si ato e rishkruajnë rolin dhe rëndësinë e këtij vendi,” tha Juan Pablo de la Puente, drejtor ekzekutiv i WMF në Peru.
Studiuesit përdorën teknologji si LiDAR (imazhëri me laser për detektim dhe matjen e distancës) dhe fotogrametri për të “parë përmes kurorës së pyllit” dhe zbuluan një vendbanim urban të sofistikuar me tarraca bujqësore, ndërtesa rrethore dhe varre të gdhendura në shkëmbinj në lartësi afër 3000 metrash.
Hartografia digjitale e vendit u lejoi arkeologëve të analizojnë zbulimet në lidhje me mjedisin natyror dhe me një rrjet rajonal të rrugëve parakolumbiane që lidhin vendbanime të ndryshme të Chachapoya-ve.
Gran Pajatén ishte një qendër e rëndësishme për popullin Chachapoya për rreth dy shekuj, derisa Perandoria Inka u zgjerua në rajonin malor që sot njihet si San Martin.
Relievet dhe mozaikët prej guri që përshkruajnë figura njerëzore tregojnë se Gran Pajatén kishte një rol të rëndësishëm kulturor. “Ky vend me shumë gjasa kishte një rëndësi ceremoniale dhe simbolike, duke funksionuar njëkohësisht edhe si një qendër strategjike kulturore dhe territoriale,” shpjegoi Puente.
Zbulimet arkeologjike konfirmojnë se Gran Pajatén ishte i banuar nga popullsia Chachapoya në shekullin XIV, megjithëse disa analiza tregojnë se njerëzit mund të kenë jetuar aty shumë më herët.
Restauruesit kanë kryer punime për ruajtjen e sitit arkeologjik që ai të mbetet i paprekur dhe i dobishëm për studiuesit e ardhshëm. Edhe pse vendndodhja mbetet e vështirë për t’u vizituar për shumicën e njerëzve për shkak të relievit të thyer dhe vegjetacionit të dendur, hartografia digjitale dhe imazhet 3D u ofrojnë kuriozëve mundësinë të shohin si dukeshin strukturat e ndërtuara nga ky civilizim misterioz.
“Duke përdorur teknologji të avancuar, ekipi ynë ka mundur të mbledhë informacione vizuale dhe shkencore që i japin jetë Gran Pajatén-it, ndërkohë që mbrojnë mjedisin e tij të ndjeshëm,” tha Bénédicte de Montlaur, presidente dhe drejtoreshë e përgjithshme e WMF.
Edhe pse janë vendosur në hartë qindra struktura të reja, studiuesit kanë analizuar vetëm 10% të të dhënave të mbledhura përmes teknologjisë LiDAR. “Ajo që më entuziazmon më shumë është fakti që ka ende shumë për t’u eksploruar,” tha Puente. “Rruga që na pret është plot me mundësi dhe udhëtimi sapo ka filluar.”